Pasagjeri demantoi informacionin se aeroplani Stuttgart-Prishtinë mori flakë

Një pasagjer i aeroplanit të linjës Stuttgart-Prishtinë ka demantuar lajmet e publikuara në disa portale, sipas të cilave aeroplani në fjalë kishte marrë flakë gjatë fluturimit, njofton Kallxo.com.

Arton Fazliu ka shkruar në profilin e tij për atë që ka ndodhur saktësisht.

Këtë, ai thotë se e bën pas frikës dhe shqetësimeve të ngritura te qytetarët nga plasimi i lajmit sipas tij të pakonfirmuar.

Ai ka treguar se ishte pasagjeri i fluturimit.

Pas rreth një orë fluturim, Artoni tregon se janë informuar se arritja në Prishtinë nuk mund të realizohet për shkak të një defekti teknik dhe se janë të detyruar të kthehen në Stuttgart.

Kur janë kthyer në qytetin gjerman, autoritetet gjermane kishin marrë masat për të ofruar siguri. Jo pse kishte flakë, sipas tij, por janë procedura normale në këso raste.

Pas një ore është zëvendësuar aeroplani dhe të gjithë pasagjerët kanë arritur në Prishtinë në ora 17:00 shëndoshë e mirë.

Ky është postimi i plotë i Arton Fazliut:

“Miq, gjatë ditës së sotme sigurisht jeni shqetësuar nga një lajm i tillë i publikuar nga mediat tona. Këtyre të fundit aq ju bënë që permes lajmeve te pakonfirmuara dhe te pazyrtarizuara sjellin frikë dhe shqetësim në mesin tonë. Mbi gjithçka, për ta qëndron klikimi dhe përfitimi, prandaj nuk është diçka e re për tu befasuar.

Si pasagjer i linjës së fluturimit që është paraparë të realizohet sot nga aeroporti i Stutgartit për në aeroportin e Prishtinës, e ndjej për obligim të sqaroj ecurinë e fluturimit në mënyrë që opinioni ta ketë inormacionin e vërtetë nga dikush që ka qenë në vendngjarje.

Fluturimi EW5712, perkatesisht aeroplani “Air Berlin”, që është në menagjim të kompanisë ” Eurowings”, në ora 10:35 nga aeroporti i Stutgartit e ka nisur fluturimin e tij të rregullt në drejtim të aeroportit të Prishtinës. Arritja në Prishtinë është paraparë të realizohet rreth orës 12:35. Megjithatë, pas një orë fluturimi kemi marrë informacionin se arritja për në Prishtinë nuk mund të realizohet ngase është paraqitur një defekt teknik, prandaj për shkaqe sigurie duhet të kthehemi sërish në Stuttgart (nuk ka ateruar në Slloveni). Kthimi në aeroport është realizuar dhe sigurisht se autoritetet gjermane kanë marrë të gjitha masat e duhura për të na ofruar siguri, duke angazhuar policinë, zjarrëfikësit (këta angazhohen gjithmonë, jo sepse aeroplani ishte kapluar nga flakët) dhe ekipet tjera emergjente. Pas një ore është bërë zëvendësimi i aeroplanit me një aeroplan tjetër, po ashtu nga kompania “Eurowings”, dhe rreth orës 17:00 kemi arritë shëndosh e mirë në Prishtinë.

Në këto momente të gjithë pasagjerët sigurisht se janë në mesin e familjarëve të tyre.”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button