Ish-ministri i Brexit: Akuza të rënda Gjermanisë

David Davis, ish-ministri i Brexit, para votës për marrëveshjen e Theresa May me BE në parlamentin britanik të martën (08:01), kritikon kancelaren gjermane dhe BE për qëndrimin e tyre në negociatat e daljes nga BE, njofton Dojçe Vele.

„Europa ishte e vendosur, që ne të mos kishin asnjë lloj avantazhi.” Kështu është shprehur ish-ministri britanik për Brexitin, David Davis në një intervistë për revistën gjermane „Der Spiegel”. Në një kohë që vendi i tij u përpoq gjatë negociatave të Brexit që të arrihej „një përfundim i mirë për të gjitha palët”, Brukseli ndoqi kursin e ashpër. Dhe vërtet, zonja Merkel me përafërsi ka thënë, se Britania e Madhe nuk do të përfitojë në asnjë rast nga Brexit, është shprehur Davis. Në korrikun e vitit të kaluar, David Davis dorëzoi postin e ministrit për Brexit, sepse ai strategjinë e kryeministres, Theresa May kundrejt Europës e konsideronte si shumë të butë.

Dalja pa marrëveshje „e përballueshme”

David Davis parashikon, se marrëveshja e Theresa May me BE nuk ka për të pasur jetë të gjatë. Parlamenti britanik do ta refuzojë atë javën e ardhshme. Sipas Davis kjo marrëveshje „do të dështojë, edhe nëse i bëhen disa korrigjime kozmetike, e vjen për votim një herë të dytë apo të tretë.” Ai e konsideron si të „përballueshme”, një dalje nga BE pa marrëveshje. Ndërkohë kancelarja gjermane, Angela Merkel është mjaft e angazhuar për një dalje të rregulluar të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian. Por ajo mendon se Gjermania është e përgatitur mirë, në rast të një daljeje pa marrëveshje. Janë miratuar ndërkohë shumë ligje, „që edhe në një rast të tillë pasojat të jenë sa më të vogla”, ka thënë Merkel në një diskutim me nxënësit e një shkolle gjermane gjatë vizitës së saj në Athinë më 11-12 janar. Për pyetjen, nëse Brexit shënon edhe fillimin e fundit të BE-së, Merkel ka thënë se „këtë nuk e pres.”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button