Meditime Kuranore mbi Suren El-Kadr

Kur të shumfishohet brenga dhe të shtohen detyrat dobësohet dhe zbehet feja te njerëzit, andaj prej bujarisë dhe mëshirës së All-llahut është që në Kur’an ka zbritur sure të shkurtëra dhe disa të tjera që janë të gjata, që tu përshtaten njerëzve me ambicje të ndryshme gjatë shekujve.

Ska dyshim se suret e shkurtëra janë stacion i rëndësishëm në jetën e shumicës së muslimanëve, sepse shumica e muslimanëve vetëm suret e shkurtëra i dinë dhe vetëm ato i lexojnë në namaz, andaj ka nevojë për meditimi rreth tyre, për të sqaruar qëllimet dhe dimenzionet e ndryshme që i bartin në vete, edhe ate për disa shkaqe:

1- Lidhshmëria e shumicës së muslimanëve me to.

2- Zbulimi i sekreteve të mëdha që gjinden në këto sure.

3- Ngritja për ta kuptuar tërë Kur’anin.

Në realitet shumë sure të Kur’anit në një formë ose tjetër i përmbajnë synimet e Kur’anit, pra përmbajnë tevhidin, edukimin, tregimet, sjelljen, etj.

Ne do të mundohemi që të hedhim pak dritë në disa meditime Kur’anore në suret e shkurtëra.

Prej tyre do të zgjedhim suren El-Kadr.

Sureja El-Kadr

“97:1. Ne e zbritëm atë (Kur’anin) në Natën e Kadrit.

97:2. E ç’të bëri ty të dish se ç’është Nata e Kadrit?

97:3. Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj!

97:4. Me lejen e Zotit të tyre në (atë natë) të zbresin engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje.

97:5. Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit”. (Sureja El-Kadr).

Kjo sure është Mekase sipas mendimit më të saktë, kurse sipas renditjes së zbritjes, ajo është e njëzet e pesta.

Sipas Muaxhahidit kjo sure ka zbritur si shkak i një rasti që është përmendur para Pejgamberit, alejhisselam, për një izraelit i cili kishte luftuar një mijë vjet në rrugë të Zotit, e Pejgamberit, alejhisselam, iu dukë pak ymri i ummetit të vet, atëherë ka zbritur kjo sure.

Në realitet kjo sure përmban ne vete shumë ide të rëndësishme, disa prej tyre do ti sqarojmë:

Një: Domethënia e fjalës Kadr.

Fjala Kadr, e ka kuptimin e vendimit, kurse fjala takdir kuptimin e organizimit. Rrënja e fjalës rrotullohet rreth përcaktimit të gjërave, që e mban domethënien e natës së vendimit, rregullimit dhe gjykimit.

“Në atë (natë) zgjidhet çdo çështje në mënyrë të prerë”. (Ed-Duhan: 4).

Abdullah ibn Abasi dhe Hasan ibn Aliu, radijall-llahu anhuma, kanë thënë:

“Natën e Kadrit All-llahu i përcakton të gjitha exhelet, rizkun, krijimin deri në vitin e ardhshëm”.

Dy: Nata e Kadrit është më e vlefshme se një mijë muaj.

Nga ky ajet dalin disa përfitime:

1- Veçorimi i gjërave është në Dorë të All-llahut, Ai është që i ka dalluar pejgamberët mes tyre, që ka bërë dallimin e disa muajve, dallimin e disa vendeve, madje edhe dallimin e disa ushqimeve.

“E në tokë, copa sipërfaqesh, të ngjitura njëra me tjetrën, kopshte të hardhisë, të mbjella (të llojllojshme) dhe hurma (bimë këto) që janë të degëzuara në shumë trupa dhe jo të degëzuara (nga një filiz) e të gjitha ujiten nga një ujë, dhe Ne shijen në ngrënie të frutave të tyre e kemi dalluar njërën prej tjetrës. Edhe kjo dëshmon me argumente për njerëzit e mençur”. (Er-Ra’d: 4).

2- Nata e Kadrit në realitet është mundësi për ta zgjatur ymrin, sepse një mijë muaj vlejnë më shumë se sa tetëdhjet e tre vite, kurse ai që e arrinë këtë natë dhjetë herë, sikur të kishte jetuar tetëqind e tredhjet vjet, e nëse e arrinë këtë natë njeriu njëzet herë, i zihet sikur të kishte jetuar 1660 vjet. Pa dyshim se kjo është një dhunti shumë e madhe.

3- Nuk duhet shikuar ymrin e gjatë sa duhet shikuar veprat e mira. Andaj shtimi i ymrit nuk do të kishte peshë nëse këto vite nuk shfrytëzohen për shtimin e veprave të mira, sepse mund që një çast i vetëm të jetë më i mirë se tërë jeta e njeriut.

Ska dyshim se Nata e Kadrit vlen sa tetëdhjet e tre vite, mirëpo një çast i sahabeve që kanë qëndruar me Pejgamberin, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, vlen edhe ma shumë. Sepse ata i ka përshkruar Kur’ani duke thënë:

“All-llahu është i kënaqur me të hershmit e parë prej muhaxhirëve (migruesve) dhe prej ensarëve (vendasve-ndihmëtarë) dhe prej atyre që i pasuan ata me punë të mira, e edhe ata janë të kënaqur ndaj Tij. Atyre u ka përgatitur xhennete, në të cilët rrjedhin lumenj, ku do të jenë përjetë të pasosur. E ky është fitim i madh”. (Et-Teube: 100).

Kjo është ajo që na shtyn të tentojmë për të hyrë në erërat e mëshirës së All-llahut dhe të shfrytëzojmë këto mundësi të arta.

Tre: “Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit”.

Në hadithe është treguar se All-llahu është paqë dhe se prej emrave te All-llahut është edhe emri Paqë.

Nata e Kadrit është natë e paqës, sepse është nata e parë në të cilën ka zbritur Kur’ani. Pra, All-llahu botës ia dëshiron paqën dhe sigurinë, ia dëshiron shoqërisë shpëtimin nga rezilat, pastrimin e zemrës dhe shpirtit nga urrejtjet, pastrimin e raporteve nga devijimi, e llojlloj paqeje në shoqëri, madje edhe në botë.

Duhet potencuar se paqa nuk mund të realizohet në mungesë të islamit.

Katër: Nata e Kadrit është lindja e Islamit, andaj edhe duhet të jetë pikënisja e muslimanit, e jo vetëm një pikë kalimtare, por duhet të jetë pikë e ndryshimit në jetën e tij, e jo vetëm përkujtim me rituale të caktuara.

Pesë: Shumë njerëz hadithin që flet për namazin në Natën e Kadrit, e kuptojnë në kuptimin tekstual, kurse si pjesë e këtij kuptimi është edhe zbatimi i porosive dhe kërkesave të kësaj nate, pasi të përfundon kjo natë.

Përmblodhi: Burhan SEFERI

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button