Pas votimit të ndryshimeve kushtetuese, VMRO-DPMNE kërkoi zgjedhje të parakohshme parlamentare

VMRO-DPMNE-ja kërkoi që Kuvendi menjëherë të shpërndahet dhe të shpallen zgjedhje të parakohshme parlamentare, bashkë me zgjedhjet presidenciale.
Këtë sonte e deklaroi kryetari i opozitës, Hristijan Mickoski, pasi që paraprakisht në Kuvend u votuan ndryshimet kushtetuese nga Marrëveshja e Prespës, njofton Portalb.mk.

“Sipas dispozitave ligjore dhe në bazë të përvojës së kaluar në këto zgjedhje, VMRO-DPMNE do të fitojë dhe vullneti i shumicës së qytetarëve do të respektohet. Janë të nevojshme zgjedhje në të cilat Zaev do të rrëzohet, ndërkaq Maqedonia do të fitojë, populli do t’i tregojë se e dëshiron Maqedoninë apo Maqedoninë e Veriut të Zaevit, e cila është e turpëruar”, tha Mickoski.

Në pyetjen në lidhje me hapat e mëtutjeshme të partisë, Mickoski tha se ato do të shihen në periudhën e ardhshme, ndërkaq nuk e përjashtoi as mundësinë për bojkotimin e Kuvendit.

“Të gjitha opsionet janë të hapura. Kjo që ndodhi sot është e premte e zezë për Maqedoninë, për qytetarët, për popullin maqedonas, për kombin maqedonas”, shtoi ai.

Ai deklaroi se VMRO-DPMNE mbetet në qëndrimin se nuk e përkrahin ndryshimin e Kushtetutës me qëllim të ndërrimit të emrit kushtetues.

Ndryshe, pas një beteje të gjatë dhe të lodhshme, me shumë situata të panjohura që nga qershori i vitit 2018 kur u nënshkrua Marrëveshja e Prespës, sonte më në fund Kuvendi i Maqedonisë dha dritë jeshile për ndryshimin e emrit të shtetit. U miratuan katër amandamentet që ndryshuan Kushtetutën e vendit dhe kur të hyjnë në fuqi, shteti do të quhet “Maqedonia e Veriut”.
Ky akt, Maqedonisë i siguron antarësim në NATO dhe datë bisedimesh me Bashkimin Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button