Është mbyllur salla e kirurgjisë në Spitalin “8 Shtatori”, mungojnë anesteziologë dhe infermiere

Spitali i përgjithshëm i qytetit “8 Shtatori” javën e kaluar e mbylli një nga dy sallat e operacionit në Departamentin e posa hapur të traumatologjisë, për shkak të mungesës së infermiereve dhe anesteziologëve, përcjell Portalb.mk.

Më së shumti nga mbyllja e sallës ka pësuar realizimi i operacioneve ortopedike, ku duhet t’i shtyjnë pacientët e planifikuar. Presion plotësues janë edhe pacientët të cilët kanë thyerje dhe lëndime tjera, të cilët nuk mund të presin dhe duhet doemos të trajtohen menjëherë.

Drejtori i spitalit “8 Shtatori” Kristijan Kostov thotë se javën e kaluar ishin të detyruar të mbyllin një nga sallat e departamentit të ri, për shkak se mungojnë anesteziologë dhe infermiere.
“Aktualisht jemi duke punuar me 9 anesteziologë, pasi që 3 kanë dalë në pension. Na mungojnë edhe 40 infermiere që të mund të punojmë normalisht. Përveç Departamentit të traumatologjisë nuk funksionon dhe një nga sallat tjera, ashtu që nga gjithsej shtatë salla tani funksionojnë vetëm pesë”, thotë Kostov.Departamenti i ri i Traumatologjisë në SPQ “8 Shtatori” u hap më 7 shtator, 2018, e cili është i vendosur në hapësirën që më parë e përdorte spitali private Filipi II. Në hapjen e Departamentit, për të cilin fillimisht u tha se do të jetë Qendër për Trauma, morri pjesë edhe kryeministri Zoran Zaev dhe bashkëshortja e tij Zorica. Ai me atë rast tha se në Departamentin e ri, i cili është bërë sipas standardeve më moderne, pritet të trajtohen 2.000 pacientë .

• DO TA ZGJIDHIM EDHE PROBLEMIN E MARRJES SË MJEKËVE NGA SPITALET PUBLIKE NË ATO PRIVATE, THA FILIPÇE NË HAPJEN E TRAUMATOLOGJISË NË SPITALIN “8 SHTATORI”

Pjesa operative sipas Kostov zhvillohet ashtu që operacione një ditë realizon njëri departament, ndërsa ditën tjetër departamenti tjetër, gjegjësisht nuk ka ndërprerjen e operacioneve sipas fushave të specializimit.
“Kemi pranuar edhe pesë specializantë, por ata aktualisht janë në specializim në Klinikën për anesteziologji, rianimacion dhe trajtim intensiv dhe specializimin duhet të përfundojnë në maj” thotë Kostov.

Ai tha se kishin kërkuar miratim nga Ministria e shëndetësisë për punësim të infermiereve dhe leje për të angazhuar një nga anesteziologët në pension.

“Ministria e shëndetësisë e ka miratuar punësimin e 20 infermiereve, e tani jemi duke pritur miratimin edhe nga Ministria e financave. Dje bisedova dhe ka gjasa të mëdha të na lejojnë të angazhojmë kolegun e pensionuar”, thotë Kostov.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button