Po përgatiten ndryshime ligjore që vaksinat të bëhen kusht për regjistrim në shkollë

Shteti po i shqyrton të gjitha aspektet dhe dispozitat ligjore që vaksinimi të bëhet kusht i detyrueshëm për regjistrimin e fëmijëve në kopsht dhe shkollë. Ministria e Shëndetësisë (MSH), shpjegon për Meta.mk se për shkak të koncesioneve të caktuara, aktualisht fëmijët që nuk janë të vaksinuar pranohen në shkollë, por kjo nuk duhet të vazhdojë si praktikë, transmeton Portalb.mk.

“Duke e pasur parasysh faktin se, për shumë vite, nuk po respektohet kushti për të paraqitur kartën e vaksinimit gjatë regjistrimit në kopsht dhe në shkollë, po shqyrtohen mundësitë ligjore për të bërë ndryshim ligjor dhe aktualisht po zhvillohet komunikim i vazhdueshëm me përfaqësues të Ministrisë për arsim dhe shkencë (MASH) dhe të Ministrisë për punë dhe politikë sociale (MPPS). Mosvaksinimi bart rreziqe serioze për paraqitje të epidemisë, e cila mund të ketë edhe pasoja fatale, ndërsa mund të parandalohet me vaksinim. Janë mbajtur disa takime pune të grupit punues, me përfaqësues të MSH, MPPS dhe të Inspektoratit shtetëror sanitar dhe shëndetësor (ISHSSH). Duke mos i kërkuar kartat e vaksinimit gjatë regjistrimit dhe me rënien e përgjithshme të mbulimit me imunizim, vihet në pyetje zvogëlimi i imunitetit kolektiv, e që është kusht i vetëm për parandalim të suksesshëm të këtyre sëmundjeve ngjitëse. Ashtu, i vëmë në rrezik edhe fëmijët e vaksinuar, ndërsa më shumë ata të cilët për shkak të moshës tyre apo statusit shëndetësor nuk janë vaksinuar”, sqarojnë nga MSH.

Qëllimi  është që, në nivel të resorëve, të gjendet mënyrë për zgjidhje afatgjatë të këtij problemi sepse, siç thonë në Ministrinë e Shëndetësisë, nuk guxon të lejohet rënie e mëtejshme e përqindjes së personave të imunizuar.

Pas shpalljes së epidemisë së fruthit në Shkup, me rekomandim të Komisionit për sëmundje infektive, nga ministria edhe një herë theksojnë se kjo është sëmundje që mund të parandalohet me vaksinim dhe apelojnë tek prindërit që t’i vaksinojnë fëmijët e tyre.

“Shëndeti i qytetarëve, e sidomos i fëmijëve, është prioritet kryesor i Ministrisë se shëndetësisë dhe duhet ta kemi parasysh se imunizimi i rregullt krijon imunitet kolektiv. Përkujtojmë se fruthi mund të jep fotografi klinike shumë të vështirë siç janë ndezja e mushkërive, ndezja e trurit, diarre të rënda e në disa raste edhe vdekje, ndërsa vaksina është masa e vetme e sigurt dhe efektive për të parandaluar epideminë dhe për të mbrojtur fëmijët nga komplikimet e mundshme serioze nga fruthi”, përkujtojnë nga Ministria.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button