Osmani: nisën punimet për autostradën Shkup-Bllacë, pritet të përfundojnë në vitin 2025

Në Sekretariatin për Çështje Evropiane, sot zyrtarisht filluan punimet për ndërtimin e projektit prioritet “ndërtimi i autostradës Shkup – Bllacë”. Do të jetë me gjatësi prej 12.5 kilometra, do të kushtojë 110 milionë euro, do të ketë 4 tunele, 8 ura, kurse do të realizohet në dy faza. Pritet të përfundojë për 54 muaj – në vitin 2025. U paralajmërua edhe vendosja pikëpagesave rrugore, transmeton Portalb.mk.

LEXO: Autostrada Shkup-Bllacë: Kosova e shkeli edhe një afat, Maqedonia në mesin e janarit do t’i fillojë aktivitetet

Dy faza punuese:

Faza e parë – Fillon nga kufiri Bllacë – Hani i Elezit, rruga do të jetë e gjatë 2 kilometra, projektimi është duke u realizuar dhe pritet të jetë gati deri në fund të muajit janar, ndërkaq tenderi do të hapet në shkurt. Punimet në terren do të zgjatin 18 muaj.

Faza e dytë – Do të fillojë nga Bllaca deri në Shkup, do të jetë i gjatë 10.5 kilometra, ndërkaq projektimi pritet të përfundojë deri në fund të vitit 2019. Tenderi do të hapet në fillim të vitit 2020. Do të ketë  4 tunele në gjatësi prej 4 kilometra, 8 ura dhe objekte të tjera. Do të jetë në dy drejtime, me nga dy korsi me gjatësi prej 3 metra, dhe një korsi për ndalesë me gjerësi prej 2.5 metra. Vlera totale 110 milionë euro. Punimet do të zgjatin 36 muaj.

Siç njoftoi drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Zoran Kitanov, në kuadër të projektimit për fazën e dytë, pritet të realizohet edhe vlerësim për efektet e autostradës në ambientin jetësor dhe aspektin social

“Në kuadër të këtij projekti, do të realizohet vlerësim në efektin e ambientit jetësor dhe aspektet sociale”, tha Kitanov.

Tenderi për 1,9 kilometrat e parë do të hapet në shkurt

Sipas ministrit për Transport dhe Lidhje, Goran Sugareski, tenderi për fazën e parë të autostradës, i cili u paralajmërua se do të hapet në nëntor të 2018-s, do të hapet në muajin shkurt.

“Që mos të humbet kohë, kemi vendosur që autostrada të ndërtohet në dy faza. Faza e parë nga kufiri deri në Bllacë, në gjatësi prej 2 kilometra, dhe faza e dytë, nga Bllaca deri në Stankovec do të ndërtohet në fazën e dytë, në gjatësi prej 10.5 kilometra. Derisa të punohet në fazën e parë, do të realizohet projektimi i fazës së dytë”, tha Sugareski.

Projekti i vitit 2002 hedhet në shportë të mbeturinave

Megjithëse njëherë u tha se projekti i vitit 2002 për 10 kilometrat e autostradës Shkup – Bllacë do të pësojë korrigjime, për të njëjtën sot thanë se nuk do të përdoret fare dhe se projekti për këtë pjesë është përpiluar nga fillimi.

“Është realizuar projekt për pjesën e dytë, në gjatësi prej 10.5 kilometra edhe në vitin 2002, por i njëjti projekt është vjetërsuar, dhe nuk mund të përdoret”, tha Kitanov, i cili i pyetur nga Portalb.mk, se sa ka qenë vlera e projektit që do të hidhet në shportë të mbeturinave, i njëjti nuk kishte informacione.

Ndërkaq, se realizohet projekt pati deklaruar edhe ish-ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri, i cili pati premtuar se deri në fund të 2015-s duhet të përfundojë projekti për autostradën Shkup – Bllacë, që u premtua nga Bashkimi Demokratik për Integrim që në mars të 2014-s.

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, i cili është edhe koordinator i realizimit të projektit për ndërtimin e autostradës Shkup – Bllacë, tha se e njëjta do të ndihmojë në formimin e korridorit Shkup – Prishtinë.

“Sot po e bëjmë nisjen e punimeve të autostradës Shkup – Bllacë, i cili bashkë me autostradën Hani i Elezit – Prishtinë do ta bëjë korridorin Shkup – Prishtinë, projekt i cili merr rëndësi, për shkak se përpjekja për të ndërtuar të njëjtin, është duke ndodhur që 20 vjet, përpjekje këto ndonjëherë të pasuksesshme, ndonjëherë të lëna në harresë, por ja që erdhëm në situatë që po e shënojmë nisjen e punimeve të këtij projekti”, tha Osmani.

Efektet e ndërtimit të autostradës Shkup – Bllacë janë:
– Distanca kohore Shkup – Prishtinë, nga 120 minuta do të zvogëlohet në 45 minuta;
– Lidhje me të madhe politike ndërmjet Maqedonisë dhe Kosovës;
– Eksportimin e mallrave më cilësore dhe me çmime më të ulëta nga Maqedonia në Kosovë;
– Rritje të bashkëpunimit bilateral dhe ekonomik Maqedoni – Kosovë;
– Do të mundësojë lidhje farefisnore dhe miqësore të shtetasve të Maqedonisë me të Kosovës dhe
– rritje të rrjetit rrugor ekonomik në Ballkanin Perëndimor.

Zyrtarisht nisin punimet për ndërtimin e autostradës Shkup – Bllacë

Përndryshe, nga ana tjetër, Qeveria e Kosovës e ka shkelur edhe një afat për autostradën Prishtinë – Hani i Elezit, e cila edhe pse u paralajmërua se do të përfundojë më 31 dhjetor, nuk u bë. E njëjta pritet të lidhet me autostradën Shkup-Bllacë.

Ndryshe, Autostrada Prishtinë – Hani i Elezit që lidhë Kosovën me Maqedoninë dhe me të cilën duhet të lidhet edhe autostrada Shkup – Bllacë kap shumën e rreth 600 milionë euro dhe po ndërtohet në një trase tërësisht të re, me gjatësi prej 55 kilometrash. Përmes aksit rrugor Kosovë – Maqedoni brenda ditës kalojnë mbi 5000 automjete ndërkaq, importi i mallrave nga Maqedonia në Kosovë në vitin e kaluar ka qenë mbi 150 milionë euro, ndërsa, eksporti nga Kosova në Maqedoni ka qenë mbi 35 milionë euro. Kjo autostradë shihet edhe si alternativë e vetme e lidhjes së Maqedonisë me autostradën Rruga e Arbrit që lidhë Maqedoninë, Kosovën dhe Shqipërinë.

LEXO MË SHUMË:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button