Shqipëria e Sami Frashërit

Në enciklopedinë historiko-gjeografike me gjashtë vëllime dhe me pesëmijë faqe, Sami Frashëri nuk kishte si të mos hidhte dritë edhe mbi Shqipërinë dhe personalitetet më të shquara të saj. Ajo është cilësuar si kryevepra e tij e shkruar në gjuhën turke me alfabet arab.

Për shkaqet që mund të merren me mend, sigurisht se pjesa më e vështirë e kësaj vepre kapitale, për autorin qe ajo që ka të bëjë me Atdheun e tij. Megjithatë, në kapitujt Arnautlluk dhe Arnaud (Shqipëria dhe Shqiptarët), Samiu shkroi gjerë e gjatë për ta (për krahinat, qytetet, kasabatë, fshatrat, pyjet, malet, fushat, lumenjtë, liqejtë…; për lashtësinë e shqiptarëve, tiparet e tyre identitare, pozitën e femrës, virtytet dhe veset shqiptare…), duke hedhur dritë edhe mbi fenomene e figura gati të harruara, mbi ngjarje të rëndësishme, por të paevidentuara paraprakisht në ndonjë vepër tjetrër të kësaj rëndësie. Kështu, në “Kâmûs al-a’lâm” (1889-1898), Samiu flet për Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, Ali Pashë Tepelenën, Mimar Sinanin, Pjetër Bogdanin, Abdyl Frashërin, Elena Gjikën, Aqif Mehmed Pashë Tetovën…

Me të dhënat mbi shqiptarët e shquar dhe atdheun e tyre të natyrshëm, rilindësi i shquar synoi ndërkombëtarizimin e çështjes sonë, në një kohë kur qenë pjekur kushtet për pavarësimin e Shqipërisë…

Në vijim, për lexuesit e PortAlb-it, po sjell në parafrazim të lirë vetëm disa të dhëna të përgjithshme për shqiptarët, ashtu si i prezantoi në Enciklopedinë turke Sami Frashëri – ky personalitet gjigant i shkencës dhe kulturës së shekullit XIX, veprat e nduarnduarshme të të cilit, në veçanti e futën në borxh shkencën dhe kulturën e shtetit Osman.

Shqiptarët, thotë Samiu, pa u friguar se do të përgënjeshtrohem nga historia, meqenëse edhe vetë i takoj racës shqiptare, janë një komb që banon, që në kohët më të hershme, në anën perëndimore të Gadishullit Ballkanik.

Duke qenë mes popujve dhe shteteve të mëdha, të parët e shqiptarëve (pellazgët dhe ilirët) ranë në dorë të pushtuesve të ndryshëm, por nuk i ndryshuan zakonet dhe vetitë e tyre. Njerëzit e mëdhenj të këtij populli, kanë qenë të detyruar të mësojnë në gjuhë të tjera, kështu që kanë mundur shumë pak të shërbejnë në ngritjen e popullit të cilit i takonin.

Në këtë gjendje ishin edhe kur në trojet e tyre shkeli këmba e sulltanëve Osmanë.

Më pastaj Skënderbeu i mblodhi të gjithë princërit dhe kretët tjerë të Shqipërisë për besëlidhje dhe bashkim, të cilët e njohën atë për kryekomandant të tërë Arnautllëkut. Duke qenë një njeri jashtëzakonisht trim, i aftë dhe me përvojë luftarake…, ai hyri në luftë me Osmanlinjtë dhe mundi t’i bëjë ballë për një kohë të gjatë ushtrisë së dërguar nga ana e shtetit Osman.

Pas vdekjes së Skënderbeut, tërë Shqipëria ra në duart e pushtetit Osman dhe, gjatë kësaj kohe, disa qindra-mija shqiptarë u shpërngulën për në Kalabri e Siqeli, e një pjesë e tyre u shpërndanë nëpër Venedik, Gjenevë, Marsej, bile edhe në Spanjë.

Pas mbetjes së shqiptarëve nën pushtetin osman, shqiptarët muslimanë shkruanin në alfabetin arab, shqiptarët ortodoksë në alfabetin grek, kurse shqiptarët katolikë në alfabetin latin. Kështu, meqë veprat e tyre ishin të mbushura me fjalë dhe shprehje të huaja, letërsia kombëtare shqiptare nuk ka mundur ta zë vendin e saj të merituar. Vetëm në kohën e Sulltan Abdylmexhidit të Dytë kur edhe shqiptarëve iu bë e mundshme të shkruajnë gjuhën dhe letërsinë e tyre, filluan të përparojnë…

Kështu flet Sami Frashëri për Shqiptarët dhe heroin e tyre Skënderbeun në Enciklopedinë e përfunduar në vitin 1898. Një vit më vonë (1899), ai botoi në Bukuresht veprën programatike të shkruar në Gjuhën shqipe “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhetë?”, në të cilën në mënyrë më të drejtëpërdrejtë i qaset historisë së dhimbshme të Shqipërisë dhe vuajtjeve të saj nën shputat e të tjerëve. Nga ky manifest i pavdekshëm, po shkëpus paragrafin, të cilin duket sikur e ka shkruar për shqiptarët dhe politikat e tyre aktuale: “O vëllezër shqipëtarë! Të mos na gjejnë si ata të egërtit e Avstralis’ e t’Afrikës, që ven’ evropianët e i gënjejnë me ca ruaza e me ca dragole të qelqërta e pasqyra të pafillta, e u marrinë vendet e tyre nga dora. Të mos gënjehemi edhe ne ashtu me ca copa pafillesh e qelqesh që s’vlejnë gjë fare, e të lëmë të drejtat e kombit e të mëmëdheut tënë në duartë të huajet e t’armikëvet tanë”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button