Ndërroi jetë bashkëpunëtori i fundit nazist që kishte jetuar në SHBA

Mediat gjermane kanë raportuar se ka vdekur personi që mendohet të jetë bashkëpunëtori i fundit nazist që ka jetuar në Shtetet e Bashkuara.

Mediat “Frankfurter Allgemeine Zeitung” dhe “Westfaelische Nachrichten” cituan zyrtar gjerman, të cilët njoftuan se Jakiw Palij, 95 vjeçar, ka vdekur më 9 janar në qytetin gjerman Ahlen, transmeton REL.

Nuk janë bërë të ditura shkaqet e vdekjes.

Palij, ka qenë roje i ish-kampit nazist, ndërkaq ka jetuar me dekada pa u vënë re në New York, derisa u zbulua e kaluara e tij dhe ai u deportua në Gjermani në vitin 2018.

Departamenti i Drejtësisë tha se Palij ka shërbyer si roje i armatosur në kampin nazist në Trawniki në Poloninë e pushtuar.

Ai kishte përkatësi etnike ukrainase ndërkaq ishte i lindur në territorin polak. Palij emigroi në SHBA më 1949 dhe u bë shtetas amerikan më 1957.

E kaluara e tij u zbulua më 2003 ku më pas iu mor shtetësia amerikane si dhe u lëshua urdhëri të deportohet në Gjermani .

Departamenti I Drejtësisë ka thënë se ai ka pasur rol kyç në ndihmën për shfarosjen e hebrenjëve në kampin Trawniki.

Deportimi i tij u shtye me vite të tëra pasi as Polonia dhe as Ukraina nuk e pranonin. Gjermania gjithashtu nuk e pranoi për një kohë duke thënë se ai asnjëherë nuk ka qenë shtetas gjerman.

Por vitin e kaluar qeveria gjermane u pajtua ta pranojë atë.

Ambasadori amerikan Richard Grenell, i cili ka lobuar në Gjermani për të pranuar Palij, ka thënë se ai është njoftuar me vdekjen e tij.

“Do të ishte tronditëse për shumë amerikanë nëse ai kishte vdekur në SHBA, në atë që shumë e konsideronin si një ikje të rehatshme” ka thënë Grenell për Associated Press.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button