DERA

dera
era përvidhet e verdhë
e fryn në të thua butë
ajo hapet
dhe e panjohura kanoset
me kërcëllimë
nga jashtësia
shkoj
dhe e mbyll
e mbyll vetveten

një paqartësi e paskajme
dhe një pasiguri
e kufizuar me derë
këndej frika
fryma e ligë që u fut me erën
dhe mosprania e ëndrrës
andej e panjohura
dridhet si ndërgjegje e lënduar
dhe zabel në errësirë

unë gjithmonë nga kjo anë e derës
nga tjetra
ndoshta deti i pafund
ku shtrihet gjerë e gjatë liria
dhe shumë agime të lulëzuara
dhe shija e viteve rinore
dhe ndoshta çuni i ëndërruar
si noton ajrit të praruar

shikoj për birë të çelësit të derës
a mos trokiti kush
kush është në derë
mos është dyshimi
fryma e ligë
mos është mendjelehtësia
ose legjenda
ose mos është kthyer konstantini
i cili e dha besën

edhe hanibali
është para dere
merr frymë thellë

e hap
më duhet ta hap
pastaj del bota
për dere
në ajër të pastër
majave
dhe rënieve
nëpër bëma
e të pabëra
shkon deri në trojë
dhe kthehet
kurse dera
hapet
mbyllet
hapet e mbyllet
natë e ditë
dhe një amshim të tërë

me të
me derën
nëna ime mat madhështinë
dua nuse
nga derë e madhe

në prag të derës
pret nëna e dashur
dhe babai i moçëm
e ndonjë penelopë
e këtu qëndiset shpresa

në derë lidhet
buqeta e fillimit
me lule mali
në derë vendoset
korniza e zezë
e mbarimit
me fotografi bardhë e zi

hej dil një herë
dhe shiko
a mos trokiti kush
në derë

Autor: Lindita Ahmeti

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button