Kur gazetaria njolloset me servilosje, nuk mund të ketë lajme objektive

Burimi: KriThink

Tekst tipik për reklamim. Tekst tipik për servilosje. Tekst tipik për të shfaqur një realitet rozë, edhe pse gazetarët e kanë detyrim më të madh të nxjerrin pjesën e errët, e jo atë “rozë”. Por, gazetari në këtë rast nuk ka menduar për lexuesit e tij, si dikush të cilëve ua ka borxh informacionin, të vërtetën, por, me gjasë ka menduar vetëm për përfitimet personale dhe për “rrahjen shpatullave” që do tia bëjë personi për të cilin ka thurrur elozhe.

Lajmi i plotë

Linku deri te artikulli: Ali Ahmeti sot ka ditëlindjen, ja sa vite ka mbushur?

Data e publikimit: 04.01.2019

Data e recensionit: 11.01.2019

Recensuese: Ferikan Iljazi

Sa të lexoni një titull që thurr lavde e hiperbolizon, lereni, mos harxhoni kohë!

Ndoshta si informacion i thjeshtë se lideri i partisë BDI ka ditëlindjen dhe mbush kaq ose kaq vite është në rregull, por në momentin kur gazetari, që në hyrje fillon me glorifikime të liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, tashmë nisë pjesa subjektive dhe kjo më nuk quhet informatë dhe nuk bën pjesë në gazetari.

Cili është interesi publik?

Vetëm për të ilustruar se sa shumë pak gazetari ose informacion ka në këtë tekst, do ti përcjellim disa kualifikime të gazetarit për politikanin Ali Ahmeti. Në çdo moment, mbani mend se këtë tekst e ka shkruar një gazetar!

  • Një nga figurat më markante të shoqërisē shqiptare në tre dekadat e fundit,
  • Ali Ahmeti themeloi subjektin Bashkimi Demokratik për Integrim me të cilin ka ngadhnjyer në të gjitha proceset zgjedhore qysh nga vitit 2002 e gjer më sot.
  • Krahas kontributit kombëtar, veprimtaria e tij politike identifikohet me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, zyrtarizimin e flamurit kombëtar dhe gjuhës shqipe, themelimit të dy universiteteve shqiptare, ndarjes teritoriale, vendosjes së shtatoreve të figurave më të mëdha të kombit, punësimin e 25.000 shqiptarëve në administratën shqiptare, integrimin e Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian dhe shumë të tjera.

Dikush që nuk i njeh mirë rrethanat politike në Maqedoni, vërtetë do të besonte në të gjithë këto kualifikime, pa patur parasysh fare pjesët kritikuese për të cilat gazetari ose autori i këtij teksti, nuk e ka marrë mundimin të shkruajë, pasi misioni i tij duket qartë se cili ka qenë, për të lavdëruar dhe ngritur në qiell.
Pa dashur të hyj në analizë të vërtetësisë së këtyre pohimeve, do të thoja vetëm se qytetarët nuk meritojnë një manipulim të tillë nga dikush që e ka për mision ti informojë ose “tua hapë sytë” për gjërat e errëta që ndodhin në shoqëri, pasi është korrigjuesi i shoqërisë.

Vini re tekstet që nuk përmbajnë parime gazetareske

Në Kodin e Gazetarëve të Maqedonisë ka një mori obligimesh morale, etike, të gazetarëve. Ndër to është edhe obligimi që të raportohet në mënyrë të paanshme, pa asnjë ndikim politik, pa lavdërata ose gënjeshtra, pa përdorur median si platformë për përfitime personale, qofshin ato në para, apo në simpati, ndikim ose ngjashëm. Por, si duket në këtë tekst, nuk është marrë parasysh asnjë parim i gazetarit. Meqë në këtë tekst nuk ka autor, atëherë nuk kemi se kujt tia adresojmë këshillat, por sido që të jetë, qytetarët janë ata që munden me lehtësi të ndihmojnë përmirësimin e gazetarisë. Në qoftë se nuk u japin peshë lajmeve të këtilla, nuk harxhojnë kohën për ti lexuar, atëherë edhe ndikimi dhe praktika e tyre do të zbehet.

*Projekti KriThink – “Të menduarit kritik për qytetarët me aftësi mediatike – CriThink” zbatohet nga Metamorfozis dhe Eurothink.  Projekti financohet nga Bashkimi Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button