Reshjet e borës, Qyteti i Shkupit ka hedhur 355 tonë kripë

Ekipet e Shërbimit dimëror të Qytetit të Shkupit po punojnë intensivisht në terren në pastrimin e borës nga rrugët, trotuaret dhe bulevardet e qytetit, njofton Portalb.mk.

“Gjatë mbrëmjes së kaluar, janë pastruar të gjitha bulevardet dhe rrugët që janë në kompetencë të Qytetit të Shkupit. Me kripë gjithashtu janë kaluar edhe të ashtuquajturat “pika kritike”. Janë hedhur 355 tonë kripë, dhe sot në mëngjes të gjitha bulevardet dhe rrugët që janë nën kompetencë të Qytetit të Shkupit janë të pastruara dhe të kalueshme”, njoftuan nga Qyteti i Shkupit.

Kryetari Shilegov dje e vizitoi Qendrën për menaxhim dhe kontroll të trafikut ku ndoqi punën e Shërbimit diimëror dhe situatën në terren.

Dje në mbrëmje dhe sot në mëngjes, përveç rrugëve, ekipet e ndërmarrjeve publike me mekanizëm dhe me dorë e pastruan borën nga trotuaret. Në punën për pastrimin e trotuareve, janë të angazhuar 80 punëtorë nga NP “Higjiena komunale” dhe NP “Parqet dhe gjelbërimi”. Në të njëjtën kohë, ekipet e NP “Ujësjellësi dhe kanalizimi” punojnë në pastrimin e pusetave .

Shërbimi dimëror i Qytetit të Shkupit po e ndjek situatën në terren dhe do të ndërhyjë sipas nevojave.

Qyteti i Shkupit u rekomandon shoferëve që të jenë të kujdeshshëm gjatë vozitjes dhe t’u përmbahen kushteve të rrugëve. Rikujtojmë se në kompetencë të Qytetit të Shkupit janë bulevardet dhe disa rrugë të caktuara të qytetit, ndërsa rrugët e tjera janë në kompetencë të komunave dhe ato janë përgjegjëse për pastrimin dhe mirëmbajtjen e tyre.

U bëjmë thirrje qytetarëve, këshillave shtëpiake dhe pronarëve të objekteve afariste t’i përmbushin obligimet ligjore për pastrimin e borës nga hyrjet deri te objektet e tyre.

NP “Higjiena komunale” apelon që komunat ta realizojnë obligimin e tyre për të pastruar rrugët që janë në kompetencë të tyre dhe bën thirrje për efikasitet më të madh në këtë sferë, me qëllim që mbeturinat komunale të grumbullohen pa ndërprerje.

Qyteti i Shkupit për këtë sezon dimëror ka siguruar 4 000 ton kripë, që së bashku me sasitë e mbetura të sezonit të kaluar arrin në 4.500 tonë kripë, si dhe 300 ton asfalt të ftohtë.

Bartës i aktiviteteve për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve do të jetë NP “Rrugë dhe rrugica” me mekanizimin e plotë dhe potencialin e personelit që e ka në dispozicion. Edhe këtë vit, Qyteti i Shkupit do të angazhojë makineri shtesë nga 15 kamionë të cilat janë të pajisura me pajisje navigimi dhe shoferë që do të shërbejnë ë gjatë tërë sezonit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button