Kryeministri Zaev nuk i ka siguruar 80 votat: “E Maqedonisë nuk është njëjtë, sikur maqedonas”

Para nisjes së vazhdimit të seancës plenare për ndryshimet kushtetuese, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev edhe sot është shprehur optimist se i ka siguruar 80 votat “për” – pasi që pret që sot të miratohet amendamenti i parë, edhe pse siç tha ai, me Lëvizjen BESA ende vazhdojnë konsultimet për kërkesat për “çështjen e identitetit”, transmeton Portalb.mk. Nëse nuk i siguron 80 votat, Zaev paralajmëroi se do të japë përgjegjësi.

“Duhet të bëhet sqarim në atë se ‘E Maqedonisë’ nuk është njëjtë, sikur ‘maqedonas’”, tha Zaev.

Kryeministri Zaev ka komentuar edhe deklaratën e djeshme të liderit të Lëvizjes BESA, Bilall Kasami ku thotë se nuk do të votojë për ndryshimet kushtetues, nëse nuk pranohen kërkesat e tyre.

“Zotëri Kasami e di se për çfarë flasim, dhe për çfarë fola unë më herët. Ky proces në fund të debatit do të japë një rezultat. Unë jam një maqedonas, dhe nuk mund të bëhem shqiptar. Ku do të bëhet fjalë për shtetësi, nuk është përkatësi etnike. Prandaj kemi kërkuar që të jetë edhe maqedonas”, tha Zaev.

Kryeministri Zaev ka bërë të ditur se nuk i ka siguruar ende 80 votat, ndërkohë që shprehu optimizëm se sot pret të miratohet amendamenti i parë.

“Nuk mund të them se për momentin i kemi 80, sepse debati duhet të zhvillohet. Unë besoj se duhet të votohet sot amendamenti i parë. Mickoski nuk është aty, prandaj unë them se sot duhet të votohet. Por kjo nuk varet prej meje”, tha Zaev.

Kryeministri Zaev deklaroi se nëse nuk sigurohen 80 votat, do të japë përgjegjësi.

“Ose do të kemi 80 deputetë, ose do të japim përgjegjësi”, tha Zaev, transmeton Portalb.mk.

Kryeministri Zaev e ka sqaruar kërkesën e Lëvizjes BESA: “Në pjesën e procesit të negociatave, unë më shumë marrë pjesë si lider i LSDM, vetë procesi ka një balancim, dhe kjo do të arrihet me një negociatë. BESA është vendosur në mënyrë principiele në këtë çështje, por thelbi i Besës është që maqedonas/ qytetar të republikës së Maqedonisë, thuhet se të mos duket se shqiptarët po bëhen maqedonas. “Makedonsko” do të jetë, dhe nuk ka dilema këtu. BESA nuk kërkon që të ndërrohet identiteti. Ata kërkojnë që shqiptarët të mos quhen maqedonas, sepse ato nuk janë maqedonas, janë shqiptarë të Maqedonisë. Maqedonasit nuk duhet të frikohen se do të cenohen nga parti shqiptare. Shqiptarët e kanë bërë këtë në referendum, tamam puna që shqiptarët të konsiderohen si cenues të identitetit”, tha Zaev.

Përndryshe, nesër ora 12:00, do fillojë vazhdimi i seancës së 75-të të Kuvendit të Maqedonisë, në të cilën do të zhvillohet diskutimi për fazën e fundit të ndryshimeve kushtetuese të paraparë me Marrëveshjen e Prespëssë nënshkruar ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë.

Shumica parlamentare ende nuk i ka siguruar 80 vota, pasi që deputetët e Lëvizjes BESA e kanë kushtëzuar votën “për” me amendamente që kanë të bëjnë me “çështjen shqiptare” – për të cilat janë duke u realizuar takime koordinuese me grup ekspertësh për të shqyrtuar mundësitë e përfshirjes së tyre në pakon e ndryshimeve kushtetuese.

Përndryshe, dje kryeministri Zoran Zaev duke i prezantuar argumentet pse duhet të votohet për ndryshimet kushetuese, i falënderoi të gjithë që kanë dhënë kontribut dhe tha se me Lëvizjen Besa ende nuk janë marrë vesh por që pret marrëveshje.
LEXO: Ndryshimet kushtetuese, Lëvizja BESA me kryetar Kasamin ende nuk është bindur

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button