S’ka marrëveshje Zaev-Kasami, seanca për ndryshimet kushtetuese nuk do të mbahet sot

Seanca plenare për ndryshimet kushtetuese që u paralajmërua për sot, do të vazhdojë nesër, me fillim prej ora 12:00, pasi që ende nuk është arritur marrëveshje ndërmjet kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev dhe kryetarit të Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, transmeton Portalb.mk.

Në ndërkohë, 8 deputetët e pavarur kanë shprehur qëndrimin e tyre se janë kundër kërkesës së Lëvizjes BESA, pasi që kanë thënë se nëse pranohet kërkesa, ata nuk do të votojnë “për” ndryshimet kushtetuese.

LEXO: Kryeministri Zaev nuk i ka siguruar 80 votat: “E Maqedonisë nuk është njëjtë, sikur maqedonas”

LSDM-ja nuk ka qëndrim të qartë nëse kërkesa e Lëvizjes BESA me kryetar Bilall Kasamin, për nënshtetësi e rrezikon identitetin maqedonas.

“Atë që e kemi deklaruar dhe që e tha edhe sot kryeministri Zoran Zaev, në atë qëndrojmë”, kjo ishte përgjigja e zëdhënësit dhe deputetit të LSDM-së, Kostadin Kostadinov, në pyetjen e Portalb.mk sot në konferencën e tij për shtyp, nëse kërkesat e Lëvizjes BESA e rrezikojnë identitetin maqedonas.

Ndonëse gazetarja e Portalb.mk, dy herë ia parashtroi pyetje në lidhje me këtë çështje, Kostadinov nuk u përgjigj në mënyrë direkte me “po” ose “jo”, por vetëm se “ngelemi në qëndrimin tonë që e kemi deklaruar”.

LEXO: LSDM-ja nuk tregon qëndrimin nëse kërkesa e Kasamit e rrezikon identitetin maqedonas (VIDEO)

Nga ana tjetër, lëvizjet pro-ruse “Tvrdokorni” dhe “Maqedonia Bllokon” edhe sot janë duke protestuar para Kuvendit të Maqedonisë, kundër ndryshimeve kushtetuese.

Shumica parlamentare ende nuk i ka siguruar 80 vota, pasi që deputetët e Lëvizjes BESA e kanë kushtëzuar votën “për” me amendamente që kanë të bëjnë me “çështjen shqiptare” – për të cilat janë duke u realizuar takime koordinuese me grup ekspertësh për të shqyrtuar mundësitë e përfshirjes së tyre në pakon e ndryshimeve kushtetuese.

Përndryshe, dje kryeministri Zoran Zaev duke i prezantuar argumentet pse duhet të votohet për ndryshimet kushetuese, i falënderoi të gjithë që kanë dhënë kontribut dhe tha se me Lëvizjen Besa ende nuk janë marrë vesh por që pret marrëveshje.
LEXO: Ndryshimet kushtetuese, Lëvizja BESA me kryetar Kasamin ende nuk është bindur

“Vota juaj PËR është votë për adhmërinë dhe për NATO-n” tha mes tjerash ai.

Rendi i ditës ka katër pika:

1. Përcaktim i Propozim-amendamenteve XXXIII, XXXIV, XXXV dhe XXXVI të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë;
2. Miratim i amendamenteve XXXIII, XXXIV, XXXV dhe XXXVI të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë;
3. Shpallja e amendamenteve XXXIII, XXXIV, XXXV dhe XXXVI të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë;
4. Propozim-ligj Kushtetues për zbatimin e amendamenteve XXXIII, XXXIV, XXXV dhe XXXVI të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë;

  • Secili amendament përcaktohet  me shumicë të thjeshtë (61 deputet), më pas hapet diskutimi i përgjithshëm për to. (PIKA 1)
  • Pastaj, hapet diskutim për secilin amandament në veçanti dhe votohet për secilin amandament me shumicën e dy të tretave (80 vota). (PIKA 2)
  • Më pas, votohet me shumicën e dy të tretave (80 vota) për të gjithë amandamentet së bashku. (PIKA 3)
  • Ndërsa në fund hapet Ligji Kushtetues për zbatimin e amendamenteve për miratimin e së cilit duhet gjithashtu shumica e dy të tretave (80 vota). (PIKA 4)

Ndryshe, kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi kohë më parë paralajmëroi se pret që debati për ndryshimet kushtetuese të përfundojë më herët se 15 janari, kur është edhe data e fundit për miratim.

LEXO: Aleanca për Shqiptarët dhe Besa me amendamente ndaj propozimeve qeveritare

Në seancë nuk do të marrin pjesë deputetët e VMRO-DPMNE-së, të cilët të shoqëruar nga lideri i partisë, Hristijan Mickoski, dje u janë bashkuar protestës që nisi dje para Kuvendit të Maqedonisë, si formë për të shprehur pakënaqësinë ndaj procesit të zbatimit të Marrëveshjes së Prespës.

Kalkulime për sigurimin e 2/3 të votave

Mes kryeministri të Maqedonisë, Zoran Zaev dhe liderëve të dy partive shqiptare opozitare, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA janë duke u zhvilluar konsultime, pasi që të njëjtit kanë kushtëzuar votën “për” me kërkesa që lidhen me “çështje shqiptare”.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev është deklaruar optimist për 80 votat e nevojshme për miratim të ndryshimeve kushtetuese, pasi që dje i njëjti ka realizuar takim me liderin e ASH-së, Ziadin Sela, në të cilën u morën vesh për ndryshime shtesë në Preambulë.

Përveç takimit Zaev – Sela, është realizuar edhe takim ndërmjet grupit punues të lëvizjes BESA të udhëhequr nga deputeti, Fadil Zendeli dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov për të shqyrtuar çështjen “e shtetësisë” në ndryshimet kushtetuese.

Zaev dhe Dimitrov janë shprehur të gatshëm të pranojnë kërkesën e Besës që shteťësia në dokumentet personale në gjuhën shqipe të shkruhet vetëm si “qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut” ndërsa në gjuhën maqedonase, shtetësia të mbetet “maqedonase/qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut” ashtu siç propozon Qeveria. Propozimin e Besës Zaev pritet ta diskutojë edhe me 8 deputetët e përjashtuar nga VMRO-DPMNE-ja.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button