S’ka marrëveshje Zaev-Kasami, seanca për ndryshimet kushtetuese nuk do të mbahet sot
Seanca plenare për ndryshimet kushtetuese që u paralajmërua për sot, do të vazhdojë nesër, me fillim prej ora 12:00, pasi që ende nuk është arritur marrëveshje ndërmjet kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev dhe kryetarit të Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, transmeton Portalb.mk.
LEXO: Kryeministri Zaev nuk i ka siguruar 80 votat: “E Maqedonisë nuk është njëjtë, sikur maqedonas”
LSDM-ja nuk ka qëndrim të qartë nëse kërkesa e Lëvizjes BESA me kryetar Bilall Kasamin, për nënshtetësi e rrezikon identitetin maqedonas.
“Atë që e kemi deklaruar dhe që e tha edhe sot kryeministri Zoran Zaev, në atë qëndrojmë”, kjo ishte përgjigja e zëdhënësit dhe deputetit të LSDM-së, Kostadin Kostadinov, në pyetjen e Portalb.mk sot në konferencën e tij për shtyp, nëse kërkesat e Lëvizjes BESA e rrezikojnë identitetin maqedonas.
Ndonëse gazetarja e Portalb.mk, dy herë ia parashtroi pyetje në lidhje me këtë çështje, Kostadinov nuk u përgjigj në mënyrë direkte me “po” ose “jo”, por vetëm se “ngelemi në qëndrimin tonë që e kemi deklaruar”.
LEXO: LSDM-ja nuk tregon qëndrimin nëse kërkesa e Kasamit e rrezikon identitetin maqedonas (VIDEO)
Nga ana tjetër, lëvizjet pro-ruse “Tvrdokorni” dhe “Maqedonia Bllokon” edhe sot janë duke protestuar para Kuvendit të Maqedonisë, kundër ndryshimeve kushtetuese.
Shumica parlamentare ende nuk i ka siguruar 80 vota, pasi që deputetët e Lëvizjes BESA e kanë kushtëzuar votën “për” me amendamente që kanë të bëjnë me “çështjen shqiptare” – për të cilat janë duke u realizuar takime koordinuese me grup ekspertësh për të shqyrtuar mundësitë e përfshirjes së tyre në pakon e ndryshimeve kushtetuese.
Përndryshe, dje kryeministri Zoran Zaev duke i prezantuar argumentet pse duhet të votohet për ndryshimet kushetuese, i falënderoi të gjithë që kanë dhënë kontribut dhe tha se me Lëvizjen Besa ende nuk janë marrë vesh por që pret marrëveshje.
LEXO: Ndryshimet kushtetuese, Lëvizja BESA me kryetar Kasamin ende nuk është bindur
“Vota juaj PËR është votë për adhmërinë dhe për NATO-n” tha mes tjerash ai.
Rendi i ditës ka katër pika:
1. Përcaktim i Propozim-amendamenteve XXXIII, XXXIV, XXXV dhe XXXVI të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë;
2. Miratim i amendamenteve XXXIII, XXXIV, XXXV dhe XXXVI të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë;
3. Shpallja e amendamenteve XXXIII, XXXIV, XXXV dhe XXXVI të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë;
4. Propozim-ligj Kushtetues për zbatimin e amendamenteve XXXIII, XXXIV, XXXV dhe XXXVI të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë;
- Secili amendament përcaktohet me shumicë të thjeshtë (61 deputet), më pas hapet diskutimi i përgjithshëm për to. (PIKA 1)
- Pastaj, hapet diskutim për secilin amandament në veçanti dhe votohet për secilin amandament me shumicën e dy të tretave (80 vota). (PIKA 2)
- Më pas, votohet me shumicën e dy të tretave (80 vota) për të gjithë amandamentet së bashku. (PIKA 3)
- Ndërsa në fund hapet Ligji Kushtetues për zbatimin e amendamenteve për miratimin e së cilit duhet gjithashtu shumica e dy të tretave (80 vota). (PIKA 4)
Ndryshe, kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi kohë më parë paralajmëroi se pret që debati për ndryshimet kushtetuese të përfundojë më herët se 15 janari, kur është edhe data e fundit për miratim.
LEXO: Aleanca për Shqiptarët dhe Besa me amendamente ndaj propozimeve qeveritare
Në seancë nuk do të marrin pjesë deputetët e VMRO-DPMNE-së, të cilët të shoqëruar nga lideri i partisë, Hristijan Mickoski, dje u janë bashkuar protestës që nisi dje para Kuvendit të Maqedonisë, si formë për të shprehur pakënaqësinë ndaj procesit të zbatimit të Marrëveshjes së Prespës.
Kalkulime për sigurimin e 2/3 të votave
Mes kryeministri të Maqedonisë, Zoran Zaev dhe liderëve të dy partive shqiptare opozitare, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA janë duke u zhvilluar konsultime, pasi që të njëjtit kanë kushtëzuar votën “për” me kërkesa që lidhen me “çështje shqiptare”.
Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev është deklaruar optimist për 80 votat e nevojshme për miratim të ndryshimeve kushtetuese, pasi që dje i njëjti ka realizuar takim me liderin e ASH-së, Ziadin Sela, në të cilën u morën vesh për ndryshime shtesë në Preambulë.
Zaev dhe Dimitrov janë shprehur të gatshëm të pranojnë kërkesën e Besës që shteťësia në dokumentet personale në gjuhën shqipe të shkruhet vetëm si “qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut” ndërsa në gjuhën maqedonase, shtetësia të mbetet “maqedonase/qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut” ashtu siç propozon Qeveria. Propozimin e Besës Zaev pritet ta diskutojë edhe me 8 deputetët e përjashtuar nga VMRO-DPMNE-ja.