Taravari nga vizita zyrtare në Bruksel: Maqedonia të fillojë menjëherë me reformat rrënjësore!

Në kuadër të vizitës zyrtare në Bruksel, një delegacion i Aleancës për Shqiptarët i përbërë nga Sekretari i Përgjithshëm, Arben Taravari, dhe udhëheqësi i Departamentit për Euro-Integrime, Arben Fetai, zhvilluan sot një takim me Deputetët evropianë Knut Fleckenstein, Eduard Kukan dhe Ivo Vajgl, njofton Aleanca për Shqiptarët, transmeton Portalb.mk.

Në kumtesën e Aleancës për Shqiptarët thuhet se: “Gjatë takimit me tre deputetët të cilët kanë qenë figurat kryesore të Parlamentit evropian në lidhje me zhvillimet politike në Maqedoni në legjislaturën aktuale të këtij institucioni, Taravari ka sqaruar marrëveshjen e arritur më 8 janar midis Aleancës për Shqiptarët dhe Kryeministrit Zaev rreth amendamenteve kushtetuese të propozuara nga Aleanca”.

“Bashkëbiseduesit u pajtuan që këto amendamente që kanë për qëllim avancimin e pozitës kushtetuese të shqiptarëve dhe ndërtimin e një shoqërie multietnike dhe demokratike, kontribuojnë gjithashtu në evropianizimin e Republikës së Maqedonisë”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.

Sipas tyre Taravari i siguroi bashkëbiseduesit se ndryshimet kushtetuese do të përmbyllen me kontributin e Aleancës për Shqiptarët, e cila edhe njëherë do të dëshmohet si një ndër forcat kryesore për të çuar Maqedoninë drejt integrimit në NATO dhe në BE.

Nga Aleanca për Shqiptarët njoftojnë se bashkëbiseduesit janë pajtuar për nevojën urgjente pas përmbylljes së procesit të ratifikimit të Marrëveshjes së Prespës që Maqedonia të fillojë me zbatimin e reformave rrënjësore për të forcuar shtetin ligjor dhe siguruar zhvillim të gjithmbarshëm shoqëror dhe ekonomik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button