Maqedoni, pushteti pa interes t’i pranojë kërkesat për ligjin për kazinot, opozita paralajmëron amendamente

Partitë opozitare paralajmërojnë amendamente për propozim-ligjin për lojërat e fatit, Ministria e Financave nuk është e interesuar që ta informojë opinionin për rrjedhën e ligjit, ndërkaq Lëvizja Anti-Bixhoz i rikujton deputetët që t’i pranojnë kërkesat e tyre të theksuara gjatë protestës më 21 dhjetor të vitit të kaluar në Tetovë, që përveç qytetarëve në mënyrë masive u përkrah edhe nga bashkësitë fetare, por edhe nga autoritetet lokale, njofton Portalb.mk.

Ministria e Financave ka një javë që ende nuk u përgjigjet pyetjeve të Portalb.mk, në lidhje me atë se në cilën fazë është propozim-ligji për lojërat e fatit, a ka ndonjë ndryshim nga versioni i parë dhe a do të ndryshohet largësia e kazinove dhe objekteve të lojërave të fatit nga institucionet arsimore, më shumë se sa është në versionin aktual, gjegjësisht 500 metra.

Lëvizja Anti-Bixhoz, sot nëpërmjet një konference për shtyp i rikujtoi autoritetet qendrore se duhet t’i miratojnë kërkesat e tyre.

  1. Të gjitha objektet e lojërave të fatit (kazinot, bastoret sportive si dhe të gjitha lojërat e ngjashme të fatit) të largohen 3km nga vendbanimet.
  2. Ndarja e 5% të buxhetit që vjen nga lojërat e fatit për riparimin e objekteve me interes publik (shkolla, çerdhe, biblioteka, spitale si dhe shoqatave dhe qendrave që organizojnë aktivitete për rehabilitimin e të varurve nga lojërat e fatit.
  3. Të hartohet strategji nacionale për t’i edukuar nxënësit, studentët dhe gjithë qytetarët për dëmet që i shkakton bixhozi. këto kërkesa janë të pa kontestueshme!
Lëvizja Anti-Bixhoz. Foto: Dritan Abdiji
Lëvizja Anti-Bixhoz. Foto: Dritan Abdiji

Ndonëse, ministri i Financave, Dragan Tevdovski ka thënë se do t’u bëjë analizë këtyre kërkesave, megjithatë deri më tani, nga Ministria nuk tregojnë asgjë.

Në lidhje me propozimet edhe nga Partia Liberale, por edhe nga qytetarët që të aplikohet ligj sikur në Shqipëri, sipas të cilit, që nga viti 2019 iu vu dryni të gjitha kazinove dhe bastoreve, pushteti ka rezerva. Siç deklaroi kryeministri Zoran Zaev, kjo masë masë është radikale, duke theksuar të dhënën se në këtë veprimtari punojnë rreth 6.000 qytetarë dhe se të njëjtët do të ngelin pa punë.

Deklarata e këtillë e kryeministrit, sipas Lëvizjes Anti-Bixhos është e papërgjegjshme, duke e pasur parasysh se për 6.000 persona, anashkalohen të gjithë qytetarët.

Protestë kundër kazinove në Tetovë, 21.12.2018
Protestë kundër kazinove në Tetovë, 21.12.2018

Partitë opozitare shqiptare paralajmërojnë amendamente, partia në pushtet heshtë

Ndonëse nënkryetarja e BDI-së, Teuta Arifi, mori pjesë në protestën e 21 dhjetorit të organizuar nga Lëvizja Anti-Bixhoz, partia e saj nuk e sheh të arsyeshme të na përgjigjet nëse kur do të arrijë para deputetëve do të dorëzojnë amendamente për propozim-ligjin për kazinot. Për dallim prej tyre, partitë opozitare shqiptare, konfirmojnë se do të dorëzojnë amendamente, por nuk zbulojnë se çfarë konkretisht do të jenë.

Qeveria e Maqedonisë- kazino ilustrim

“Aktualisht jemi në fazën e përgatitjes së amendamenteve dhe shqyrtimin e formave si mund të rregullohet ky fenomen i cili po lë pasoja të rënda për familjet e qytetarëve. Jemi duke shqyrtuar mënyra të ndryshme, nga mbyllja e plotë e tyre, deri tek distancimi i lokacioneve të lojërave të fatit nga vendbanimet, shkollat, universitetet, qendrat studentore e kështu me radhë. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, si bazë për rregullimin e lojërave të fatit jemi duke i marrë edhe përvojat nga vendet e zhvilluara, përfshirë këtu edhe modelin e Shqipërisë që po e aplikon qeveria e Kryeministrit Edi Rama nga 1 janari i këtij viti, e cila po duket se po jep rezultate. Në moment që do të kemi versionin përfundimtar  të amendamenteve dhe propozim ligjin, do i bëjmë publik për opinionin”, tha për Portalb.mk, Orhan Murtezani nga Lëvizja BESA me kryetar Afrim Gashin.

Nga Lëvizja BESA me kryetar Bilall Kasamin, thonë se kanë formuar një grup pune për këtë çështje, por se në vazhdiësi do të kërkojnë “mbështetje për miratim të një ligji që i thotë stop kësaj dukurie”.

“Në kuadër të partisë kemi formuar një grup i cili punon për të ofruar një zgjidhje rreth kësaj çështje dhe në momentet e përshtatshme politike do dalim edhe publikisht të kërkojmë mbështetje për të sjellë një ligj i cili do t’i thotë STOP kësaj dukurie që po shkatërron familjet dhe rininë tonë”, thotë Elmedin Memishi nga Lëvizja BESA me kryetar Bilall Kasami.

Edhe nga Aleanca për Shqiptarët “besojnë” se do të kenë amendemnte për këtë propozim-ligj, por se tani janë të fokusuar në ndryshimet kushtetuese.

“Besoj se do të kemi, por për momentin jemi të fokusuar në ndryshimet kushtetuese”, thotë Flakron Bexheti nga Aleanca për Shqiptarët.

Ndryshe, disa herë qytetarët e Tetovës dhe në disa komuna të Shkupit kanë protestuar kundër kazinove dhe bastoreve të cilat gjenden në afërsi të objekteve arsimore. Me propozim-ligjin e ri parashikohet që të largohen në largësi prej 500 metrave, por kjo, sipas qytetarëve, prapë nuk është e mjaftueshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button