Punë e madhe! Shteti paguan!

Një thirje djalërisë: Na mungon ndërgjegja“, titullohet shkrimi i autorit Harilla Kuçulit, i botuar në revistën kulturale “Rilindja”, të Korçës, më 1 janar të vitit 1936.

Ky shkrim duhet të lexohet me kujdes nga “pjekmënia” (adoleshenca), nga mësuesit, prindërit, nga të gjithë qytetarët, sepse flet për ndjenjën e munguar për pronën publike.

Mungesën e ndjenjës për jetën e përbashkët e kanë kritikuar shumë autorë të elitës më të ndritur të kësaj periudhe, shkrimet e të cilëve i flasin bukur dhe mençurisht kohës sonë.

Për këtë ves kanë shkruar: Gjergj Fishta, Faik Konica, Fan Noli, Migjeni, Branko Merxhani, Anton Harapi, Midhat Frashëri, Ismet Toto, Nebil Çika, Tajar Zavalani, Vangjel Koça, Kris Maloki e shumë të tjerë.

Për këtë ves kanë shkruar autorë të huaj, qoftë me dashamirësi apo dashakeqësi.

Kanë shkruar edhe autorë të ditëve të sotme, ngjashëm siç dikur pati shkruar Harilla Kuçuli.

“‘Pun’ e madhe! Shteti e paguan!’. Këto i tha Ymeri shokut të tij të dashur Vasilit, kur ky i fundit, një ditë theu një qelqe n’Internat… Është për t’u vajtuar se ato fjalë nuk u – dëgjuan nga ndonjë fshatar i pa – ditujtur. Atëherë gjesti nuk do të ishte as për t’u përmendur. Është për të thënë “keq e mos ma keq” se i përmenduri është një i ri që në të arthmen, shpejt a vonë, do të jetë një anëtar i klasës drejtonjëse”.

Ashtu si dikur, edhe sot “të panumurtë janë të rinjtë që nuk ndjejnë asnjë dashuri për pasurinë shtetnore”. Nuk duan ta dinë se “tërthorazi dëmtojnë vehten e tyre, kur e dëmtojnë shtetin”. Kjo ndodhte dje dhe ndodh sot, sepse mungon marrëdhënia e qytetarit me shtetin; se shtetin ata e ndjejnë si diçka të huaj.

Ndër vite formohen breza indiferentësh, dëmtuesish e përvetësuesish të pronës publike.

Kur njeriu në fëmijëri e “pjekmëni” nuk e kultivon ndjenjën për pronën publike, atëherë, kur nesër do të drejtojë punët e shtetit, ai do ta keqpërdor ose do ta përvetësojë pronën publike.

Ky ves mund të flaket nëse nëpër shkolla dhe familje do të kultivohej ndjenja për jetën e përbashkët, sipas formulës: “të mundësojmë përparimin e populli nëpërmjet përmirësimit të vendit”. Kjo mund të bëhet vetëm nëpërmjet ndërgjegjes për pronën e përbashkët. Kjo sepse “një punë sado konstruktive dhe e organizuar nuk sjell fruta pa një ndërgjegje njerëzore” dhe për këtë djalëria (rinia) duhet të bindet në çerdhe, kopshte e shkolla.

Sot kudo shohim politikanë që e përvetësojnë pronën publike. Janë ata që në kohën e “pjekmënisë” i kanë thënë shokut të tyre të dashur: “Pun’ e madhe! Shteti e paguan!”.

Shteti vërtet paguan, por ai përherë paguan me paratë tona. Shteti mund t’i paguajë keqpërdoruesit dhe përvetësuesit e pronës publike, por shteti mund të paguajë për ndërtimin e shkollave, rrugëve, spitaleve, teatrove, palestrave, stadiumeve.

Varet prej nesh se çfarë i lejojmë shtetit të paguajë: duam që të kemi shtet social, me qytetarë të lirë e të barabartë apo duam një shtet që rrjep; duam një shtet të organizuar, që udhëhiqet nga njerëz me ndërgjegje njerëzore e shoqërore apo duam një shtet të degjeneruar, që degjeneron edhe njeriun më të ndershëm.

Duke mos pasur ndërgjegje shoqërore votojmë politikanë të papërgjegjshëm. I votojmë ata që janë të ngjashëm me ne. Menjëherë pasi i votojmë të ngjashmit si ne, fillojmë të prodhojmë kilometra demagogji dhe tonelata moral. Prodhojmë pafajësi personale dhe fajësi kolektive. Bëjmë sikur duam ta ndryshojmë shoqërinë dhe nuk duam ta ndryshojmë vetveten. “Lëviz vetë, përpara se të lëvizësh botën”, ky është mësimi që na jep Sokrati.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button