Maqedoni, diskutimi i fundit në Kuvend për ndryshimet kushtetuese, ende nuk ka marrëveshje Zaev-Kasami

Pasi që u miratua dorëheqja e deputetit Tomisllav Tuntev dhe u zgjodh Rubin Zemon në vend të tij, në ora 17 u hap diskutimi për ndryshimet kushetuese të Maqedonisë, njofton Portalb.mk.

Kryeministri Zoran Zaev duke i prezantuar argumentet pse duhet të votohet për ndryshimet kushetuese, i falënderoi të gjithë që kanë dhënë kontribut dhe tha se me Lëvizjen Besa ende nuk janë marrë vesh por që pret marrëveshje në ditët në vijim për kërkesat që lidhen me “çështje shqiptare”.
LEXO: Ndryshimet kushtetuese, Lëvizja BESA me kryetar Kasamin ende nuk është bindur

“Vota juaj PËR është votë për adhmërinë dhe për NATO-n” tha mes tjerash ai.

Seanca vazhdon nesër në ora 13. Rendi i ditës si vijon ka katër pika:

1. Përcaktim i Propozim-amendamenteve XXXIII, XXXIV, XXXV dhe XXXVI të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë;
2. Miratim i amendamenteve XXXIII, XXXIV, XXXV dhe XXXVI të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë;
3. Shpallja e amendamenteve XXXIII, XXXIV, XXXV dhe XXXVI të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë;
4. Propozim-ligj Kushtetues për zbatimin e amendamenteve XXXIII, XXXIV, XXXV dhe XXXVI të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë;

  • Secili amendament përcaktohet  me shumicë të thjeshtë (61 deputet), më pas hapet diskutimi i përgjithshëm për to. (PIKA 1)
  • Pastaj, hapet diskutim për secilin amandament në veçanti dhe votohet për secilin amandament me shumicën e dy të tretave (80 vota). (PIKA 2)
  • Më pas, votohet me shumicën e dy të tretave (80 vota) për të gjithë amandamentet së bashku. (PIKA 3)
  • Ndërsa në fund hapet Ligji Kushtetues për zbatimin e amendamenteve për miratimin e së cilit duhet gjithashtu shumica e dy të tretave (80 vota). (PIKA 4)

Ndryshe, kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi kohë më parë paralajmëroi se pret që debati për ndryshimet kushtetuese të përfundojë më herët se 15 janari, kur është edhe data e fundit për miratim.


Edhe pse ishte e paralajmëruar se sot në orën 12:00 dhe më pas në ora 16 do të fillojë faza përfundimtare e ndryshimeve kushtetuese që parashihen me Marrëveshjen e Prespës së nënshkruar ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë, ajo është shtyrë për shkak se Komisioni Për Zgjedhje dhe Emërime duhet ta verifikojë mandatin e deputetit të ri të LSDM-së, pasi që paraprakisht deputeti Tomisllav Tuntev dha dorëheqje, transmeton Portalb.mk.

Seanca për ndryshimet kushtetuese ende nuk dihet kur do të fillojë sepse siç duket ende nuk ka marrëveshje mes Lëvizjes Besa me kryetar Bilall Kasamin dhe liderit të LSDM-së dhe kryeministrit Zoran Zaev.

seancën plenare të 75-të të Kuvendit të Maqedonisë, në rend dite të saj janë katër pika: verifikim i propozim- amendamenteve të Kushtetutës së Maqedonisë, miratimi i amendamenteve, shpallja e amendamenteve dhe miratimi i ligjit kushtetues për zbatim të amendamenteve.

Pika e katërt e Rregullores së Kuvendit të Maqedonisë, “Miratimi dhe shpallja e amendamenteve të Kushtetutës”, parasheh:

Neni 202
(1) Amendamentet për ndryshimin e Kushtetutës miratohen me shumicën e dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve.
(2) Vendimin për ndryshimin e Preambulës,  të neneve të vetadministrimit  lokal, nenit 131, të cilësdo dispozite që ka të bëjë me të drejtat e pjesëtarëve të bashkësive, duke përfshirë veçanërisht nenet 7, 8, 9, 19, 48, 56, 69, 77, 78, 86, 104 dhe 109, si dhe vendimin për shtimin e cilësdo dispozite të re, që ka të bëjë me lëndën e atyre dispozitave dhe atyre neneve, Kuvendi e miraton me shumicën e dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve, në të cilën medoemos duhet të ketë shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve, që u përkasin bashkësive, të cilat nuk janë shumicë në Republikën e Maqedonisë.
Neni 203
Kuvendi merr vendim për shpalljen e amendamenteve të Kushtetutës, me shumicën e dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve.

Pika e pestë e Rregullores së Kuvendit të Maqedonisë, “Procedurën e miratimit të ligjit kushtetues për zbatimin e Kushtetutës”:

Neni 204
(1) Të drejtë për të propozuar miratim të ligjit kushtetues për zbatimin e Kushtetutës ka Presidenti i Republikës, Qeveria dhe  së paku 30 deputetë.
(2) Dispozitat e kësaj Rregulloreje që kanë të bëjnë me paraqitjen  dhe shqyrtimin e ligjit në leximin e dytë, në mënyrë përkatëse zbatohen edhe në procedurën e miratimit të ligjit kushtetues.
(3) Ligji kushtetues miratohet me shumicën e dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve.
(4) Kuvendi merr vendim për shpalljen e ligjit kushtetues me shumicën e dy të tretave të votave nga numrit i përgjithshëm i deputetëve

LEXO: Aleanca për Shqiptarët dhe Besa me amendamente ndaj propozimeve qeveritare

Kalkulime për sigurimin e 2/3 të votave

Mes kryeministri të Maqedonisë, Zoran Zaev dhe liderëve të dy partive shqiptare opozitare, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA janë duke u zhvilluar konsultime, pasi që të njëjtit kanë kushtëzuar votën “për” me kërkesa që lidhen me “çështje shqiptare”.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev është deklaruar optimist për 80 votat e nevojshme për miratim të ndryshimeve kushtetuese, pasi që dje i njëjti ka realizuar takim me liderin e ASH-së, Ziadin Sela, në të cilën u morën vesh për ndryshime shtesë në Preambulë.

Përveç takimit Zaev – Sela, është realizuar edhe takim ndërmjet grupit punues të lëvizjes BESA të udhëhequr nga deputeti, Fadil Zendeli dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov për të shqyrtuar çështjen “e shtetësisë” në ndryshimet kushtetuese.

Zaev dhe Dimitrov janë shprehur të gatshëm të pranojnë kërkesën e Besës që shteťësia në dokumentet personale në gjuhën shqipe të shkruhet vetëm si “qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut” ndërsa në gjuhën maqedonase, shtetësia të mbetet “maqedonase/qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut” ashtu siç propozon Qeveria. Propozimin e Besës Zaev pritet ta diskutojë edhe me 8 deputetët e përjashtuar nga VMRO-DPMNE-ja.

VMRO-ja do ta bojkotojë seancën

Partia opozitare maqedonase nuk merr pjesë në seancën e 9-janarit në Kuvendin e Maqedonisë. Kryeparlamentari, Talat Xhaferi ka paralajmëruar se pret që debati për ndryshimet kushtetuese të përfundojë më herët se 15 janari, kur është edhe data e fundit për miratim.

“Seanca është caktuar për më 9 janar, dhe shpresoj se në bazë të dinamikës që ajo të mbarojë shpejtë. Supozimet janë që deri më 15 janar të përmbyllet. Maksimalisht mund të zgjatë 12 ditë, sipas rregullave. Por nuk besoj se do harxhohet afati maksimal i afatit”, tha Xhaferi.

Votat do të kuptohen në ditën e votimit

Deri në ditën e votimit nuk do të dihet se a janë siguruar 80 votat “për” ndryshimet kushtetuese, kështu ka deklaruar kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.

Përndryshe, megjithëse ligji për amnisti ishte parakusht për votën “për” të 80 deputetëve të pavarur, kryeministri Zoran Zaev paraprakisht ka theksuar se: “76 persona kanë deklaruar se do të votojnë për ndryshimet kushtetuese”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button