Zendeli: Ende s’kemi vendosur nëse do të votojmë “për” ndryshimet kushtetuese (VIDEO)

Deputeti i Lëvizjes BESA me kryetar Bilall Kasami, Fadil Zendeli sot pas takimit me përfaqësuesin e NATO-s, ka komentuar deklaratën e zëvendëskryeministrit, Bujar Osmani, dhe ka thënë se partia e tij nuk e pengon procesin eurointegrues të Maqedonisë, por ata të cilët i ndryshuan rregullat, raporton Portalb.mk.

Deputeti Zendeli megjithëse u pyet disa herë se a do të votojnë nëse nuk pranohen kërkesat e tyre, ai u përgjigj: “Do të shohim se si do të zhvillohet debati”.

“Ne do të vazhdojmë me debatin, dhe do të shohim se si do të vazhdojë debati. Ne nuk jemi pengesë, ne e kemi përkrahur iniciativën për ndryshimet kushtetuese, po gjatë procesit u ndryshuar rregullat. U paraqitën edhe disa punë të reja, që për ne si parti shqiptare janë kundërthënëse. Prandaj them se ne nuk e pengojmë procesin, por ato që i ndryshojnë rregullat”, tha Zendeli.

Sa i takon takimit me përfaqësuesin e NATO-s, Zoran Jankoviq, deputeti Zendeli tha se është përfunduar se Maqedonia duhet sa më shpejtë të bëhet pjesë e Aleancës dhe se duhet të vazhdojë dialogu për kërkesat e tyre.

“Me përfaqësuesin e NATO-s erdhëm në përfundim që vendi sa më shpejtë të jetë pjesë e NATO-s. Biseduam edhe rreth procesit të ndryshimeve kushtetuese. Ne si deputet kemi parashtruar kërkesat tona, propozim amendamentet, të cilat siç e dini edhe ju, janë në procedura parlamentare. Në takim këmbyem mendimet, dhe erdhëm në përfundim se duhet të vazhdojë dialogu”, tha Zendeli.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button