Estetika e lypsarisë

Në këtë shkrim do t’i referohemi një vepre të përkthyer nga ne, “Udhëpërshkrimet e Frankfurtit”, do të ndalemi te një sekuencë nga kujtimet e Ahmed Hashimit të shkruara në vitin 1932, një vit para vdekjes, gjatë kohës së kurimit të tij në qytetin e Frankfurtit. Subjekti i kolumnës është karakteri i lypsarit në në Perëndim dhe Lindje, pra një vështrim krahasimtar, shtuar kësaj edhe qasjen ndaj lypsarisë në trojet tona, sot dhe këtu. Pra shqyrtojmë “artin” e kërkimit të parave me pamje të natyrshme dhe kamuflazh, me shkathtësi nga njëra anë dhe me dredhira, në tjetrën. Ja rrëfimi origjinal i autorit, me pak shkurtime, dhe më pas, përditësimi ynë lidhur me këtë fenomen:

“Gjëja që më nevrikos më shumë në rrugët e Frankfurtit ishin lypsarët. Ky lloj lypsari, me këmishë dhe jakë të pastër; me shami të bardhë e të hekurosur, i ngjan një zotëriu që pasi ka ngrënë një sillë të mirë dhe pasi ka ndezur një cigare, mes turmës së entuziazmuar merr rrugën drejt vendit të punës.

…të gjithë ata që në grupe nga dy a tre vetë këndojnë pjesë operash dhe operetash nëpër rrugët më të bukura dhe më të frekuentuara, nga mëngjesi deri në mbrëmje; që bëjnë atmosferë me violinë ose me harmonikë, janë të këtij lloji. Fitimi ditor i tyre nuk është më i paktë se sa ai i arritur nga një transaksion i rëndomtë.

Në vendet e Lindjes së Afërt dhe të Largët, njerëzit e veshur në këtë mënyrë, që shtrijnë dorën duke kërkuar mëshirë nga kalimtarët e rastit, mund të mbledhin vetëm ajër dhe të hanë dajak. Një zonjë apo zotëri i mëshirshëm atje nuk mund të tolerojë që lypsari t’u ngjajë kaq shumë dhuruesve. Nga ato anë, për të vënë në lëvizje mekanizmin emocional të zemrës së vet, lëmoshëdhënësit kërkojnë nga lypsari një makiazh të frikshëm à la Lon Chaney, si dhe një skenë rrëqethëse.

Sipas estetikës lindore, lypësi nuk duhet të ketë sy. Në vend të syrit duhet të ketë dy cipa të plasura, dhe prej tyre duhet të kenë dalë dy copa mishi të përgjakura që shtrihen drejt faqeve të copëtuara. Lypësi nuk duhet të ketë as gojë e as dhëmbë. Në vend të gojës duhet të shfaqet terri i dy greminave të pafundme; kurse dhe dhëmbët duhet t’i duken si copëza kocke të ngulura shkel e shko në mish. Në vend të duarve dhe të këmbëve duhet të ketë çengelë të hekurt rrapëllyes, ose dërrasa të kombinuara. Ja veshja e lypësit: verës duhet të jetë i veshur me një xhup të trashë copë-copë, që do ta bëjë ujë në djersë; ndërsa dimrit një këmishë paçavure gjithë vrima, në të cilën do të dridhet si thupër. Ai i jepet lëmoshë një lypësi që nuk i rrjedh gjaku rrëke nën rrezet e diellit të gushtit…?

Ç’artistë të mëdhenj janë lypsarët mbresëlënës të Indisë, të Marokut, të Buharës dhe të Semerkandit! Po këta lypsarë gjermanë me kollare…?!

Një ditë e pyeta një gjerman:

  • Si i mëshironi këta njerëz?
  • S’mund të imagjinoj një gjerman që do të jepte diçka pa qenë i detyruar. Për këtë arsye, lypsari gjerman, për të na bërë t’i japim lëmoshë, nuk e ndjen nevojën që të përdorë rrenën ose të poshtërojë veten. Kjo është një çështje e veçantë etike. Tani le t’i qasemi çështjes nga perspektiva e arsyes. Njeriu që lyp, sa më shumë t’i ngjajë njeriut të thjeshtë, aq më tepër është i afërt me mua; aq më shumë ia kuptoj hallin. Nga ana tjetër, ajo krijesë që ka dalë jashtë formës humane, nuk i përket më llojit tim. Nuk mund të ndjej mëshirë për të. Mëshira lindore është e palogjikshme!

U skuqa. Dhashë një përgjigje kuturu:

  • Ne nuk ndjejmë mëshirë për lypsarin; ne kemi frikë prej tij. Kjo frikë rritet në proporcion me shëmtinë e lypësit. Besojmë se shëmtia mbart në vetvete fuqi të rrezikshme. Për ne, paraja e dhënë një lypsari që ngjall frikë dhe urrejtje nuk është lëmoshë, por një shpërblim modest dhënë artistit të frikës, horrorit. Lindja është atdheu i popujve të artit.” (f. 51-52)

Shtrohet pyetja ç’pikëpamje kemi ne për lypsarët e rrugëve tona, të dherave shqiptare, që i hasim në çdo cep, ca realë, hallexhinj, e një pjesë “mashtrues”, tagrambledhës? Jemi në dilemë mes spirituales, “dorën që shtrihet mos e kthe bosh”, dhe investigatives a priori “ky/kjo është mashtrues/e”. Çështja, në fakt duhet të jetë, si të krijojmë kulturën e lypsarëve që kërkojnë diçka, duke dhënë diçka tjetër si kundërvlerë. ”Bën art, akrobacione…”, kulturë që të shtyn ta motivosh me të gjitha metodat.

Në mjedisin tonë, “kultura e lypsiqarisë” dita ditës po masovizohet si rrjedhim i varfërimit ekonomik, por edhe i efektit “shih rrushi rrushin e piqu”. Lypsarët i gjen në xhami, në treg, para barnatores, në udhëkryq, në kafene, në çajtore, gjithkund. Që është më e keqja, edhe fëmijë, në mesin e të cilëve ka edhe të ndërgjegjshëm, që janë në procesin e parakohshëm të kalimit në profesion, në tregti. Shesin çokollata, faculeta, çamçakëza… Moralisht, për gjynah, sepse s’janë në moshë për të fituar, për të bërë para, por shumë më të ngritur se sa dhjetëra të moshërritur që lypjen, shtrirjen e dorës e kanë bërë profesion, ndërsa janë të aftë edhe fizikisht edhe mendërisht. Një droje sociologjike që lind kohëve të fundit është ajo e heronjve humanistë që ndihmojnë maksimalisht familjet, me ushqim, madhe edhe me shtëpi, me kulm mbi kokë. Jashtëzakonisht etike. Gjërat merren nga të pasurit dhe u jepen të varfërve. Por, nga ana tjetër, mos vallë përmes mediatizimit po e afirmojmë kulturën e shpresës për “realizime jetike” në saje të tjerëve, në vend që të mbështetemi te vetja? Mos po na ikin penjtë duarsh dhe lypsaria të bëhet mënyrë jetese. Në këtë drejtim, në kategorinë e lypsarëve, me gjasë, mund të futen edhe ata që jetojnë në krah të të tjerëve, familjarëve nga kurbeti dhe që në Euro-Amerikë harxhimet i masin me peshoren e artarit, ndërsa për arsye emocionale i ndihmojnë me gjithçka të këtushtmit që “hanë e pinë, shijojnë lokale e lokalitete pa bërë shumë hesape”. E po, paraja e fituar nga tjetri harxhohet më kollaj, apo jo? Dhe një gjë për fund: të ndihmuarit atij që s’e meriton është një lloj vrasjeje, sepse ai kurrë më s’bëhet i zoti i vetvetes.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button