Kthehuni në vatrat stërgjyshore

Nata nëpër katundet tona është e heshtur në këto ditë dimri. Natë e pazakonshme për traditën tonë ngase dikur kanë qenë netë gëzimi, netë odash me ndenja përmbajtësore, por edhe gazmore. Jashtë bie borë e dritat nëpër dritaret e shtëpive të reja janë rralluar. Edhe qenë nuk ka që ta paralajmërojnë mysafirin, të cilin po e zuri nata në fshat, do të mbetet në rrugë, sepse këtu fjala mikpritje dalëngadalë po bie në humnerën e harresës. Prej shtëpive të dikurshme të traditës nuk ka mbetur asnj gjurmë. Të gjitha janë të reja modelesh të marra na vendet evropiane ose amerikane. Jashtë, rrugëve dëgjohet vetëm fishkëllima e erës së ftohtë e kur pushon pak era ia jep qyqja e natës. Tash s’ka mbetur as ujq përreth që të zbresin e ta shqetësojnë katundin. Edhe po të ketë diku ndonjë në thellësi të malit, fatin do ta kërkojë nëpër pyje duke gërmuar në borë e duke kërkuar ndonj kafshë të vrarë nga stuhia dhe të ftohtët e nuk do të vijë këtu ngase këtu në katundet tona ka vite e vite që nuk është dëgjuar të paëllasë një lopë, s’ka pula, as dhi e dhen.

Një plak e një plakë janë strukur rreth koftorrit. I ngrohin eshtrat dhe bisedojnë. I qajnë hallin njëri-tjetrit si kanë mbetur kështu vetëm. Në rini të vet kanë ëndërruar se pleqërinë do ta kalojnë të rrethuar me nipër e mbesa, madje edhe me stërnipër e stërmbesa, jo me këtë heshtje shurdhuese e të mbetur jashtë rrethit të traditës. Në katund a janë katër a pesë fëmijë a s’janë. Nga ana tjetër numri i ooshatarëve të tyre është rralluar. Të rinjtë i ka gllabëruar perëndimi, pleqtë një nga një i merr Azraili dhe katundi fundoset gjithnjë e më shumë në harresë e në asgjë.

Plaku dikur hedh disa copë drurë në koftorr dhe kërkon nga plaka ta pjekë nga një kafe mbi koftorrin që nis e bubullon. Ndërkohë në televizion sillen anketë pas ankete. Dhe pyetja është e thjeshtë, klishe: “Çfarë dëshire keni për vitin e ri. Çdo i anketuar përgjigjet shkurt: “Të liberalizohen vizat”! Plaku ka pritur që njëri, së paku njëri, të thoshte: të na mbushet shkolla me fëmijë. Kur kafeja vlon dhe plaka i mbush filxhanat, plaku e hap dritaren, ulet i mbështetur mbi parvaz dhe  ia merr këngës:

Mbeçë, more shokë, mbeçë
Përtej Urës së Qabesë
Falëm me shëndet nënesë,
Kàun e zi le ta shesë.

Në pyestë nëna për mua
I thoni që u martua.
Në pyestë se ç’grua mori
Tre plumba te kraharori,

Në pyestë se ç’kalë hypi
Atje tek hypën meiti.
Në pyestë se ç’krushq i vanë
Sorrat e korbat që e hanë.

Ndërkaq plaka e dëgjon e përlotur. Në fund i fshin lotët me shami dhe e pyet plakun pse ia mori kësaj kënge kaq të dhembshme. Plaku që rri te dritarja, i shtyn kanatat e dritares, i hap edhe më shumë dhe thotë:

“Hej ju djem e ju vajza, mos ikni më! Kthehuni në vendin tuaj, të cilin e kemi ruajtur me mijëra vjet për ju. Kthehuni në vatrat e stërgjyshërve tuaj. Në këtë djep të shenjtë të hjuhës. Ku po shkoni tash kështu? Ecni ta punojmë këtë fushë të butë, ecni ta ndërtojmë këtë vend!” Pastaj e mbyll dritaren dhe afrohet te koftorri. Duart nagpak i dridhen nga emocioni që i ka shpërthyer në ato çaste. Plaka nuk pyeti më shumë, ngase kjo ishte përgjigjja që e priste. Pastaj pleqtë heshtin, ndërsa  koftori bubullon dhe e shpërndan ngrohtësinë artificiale në dhomë, e cila nuk e zëvendëson ngrohtësinë që do ta kishin shpërndarë nipat e mbesat të cilët janë diku larg në Gjermani.

“Unë jam mërzitur shumë”! thotë plaka duke iu drejtuar të shoqit, ama edhe ti qenke mërzitur shumë”!

“Jam mërzitur, moj grua, por edhe jam hidhëruar me Evropën. A po i dëgjon ata politikan të Evropës që vijnë e shkojnë “duke na dhënë mend”. Kështu bëni, kështu veproni! Thuajse ne aq për gjuynah jemi nga mendtë. E shfrytëzojnë gjendjen tonë këtu dhe na e zbrazin vendin nga rinia. Ne rriti fëmijët, kurse ata eja dhe merri gati. Tre a katër breza shkuan duke ndërtuar ne Evropën, kurse Evropa dalngadalë po na i shndërron katundet në tokë të shprazët, të shkretë. Po të kishte dashur ajo me pak investime do të kishte mundur të na e zgjidhë problemin. Edhe për ata do të kishte fitime, edhe ne fëmijët e nipër e mbesa do t’i kishim këtu. Po nuk duan, ni dreq e di se çfarë planesh kanë!”

“O Zot, na i kthe fëmijët”! tha plaka duke i fshirë lotët me shami.

Kafetë që i kishin përpara i kishin harruar.

Era e ftohtë përsëri fishkëlloi jashtë për t’ua kujtuar pleqve vetminë!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button