E vërteta online: Kur mediat «ringjallin» plakun pas 17 viteve

Kopjimi i lajmeve pa verifikim e me qëllime tendencioze e propoganduese nga disa media serbe është bërë praktikë që po çimentohet në mediat e Kosovës.

Të gjithë mund ta kenë besuar lajmin se një kosovar me plis kritikon shëndetësinë kosovare dhe lavdëron atë të Beogradit. Në realitet, kosovari me plis ka ndërruar jetë në vitin 2002. Ai nuk ka folur kurrë për mediat e Beogradit. Lajmi i publikuar fillimisht nga portali serb «Kurir» dhe i përkthyer nga mediat online në Kosovë, nuk ka pasur aspak hapësirë për t’u besuar. Si fillim fotografia me të cilën ilustrohet shkrimi nuk përputhet me emrin e të intervistuarit në shkrim.

Kopjimi i lajmeve nga një media në tjetrën, në shumë raste duke mos e cituar autorin dhe burimin, rrezikon të shndërrohet në dukuri të zakonshme për mediat online në Kosovë. Në dhjetor të vitit të shkuar, portali serb «Kurir» publikoi një shkrim sipas të cilit një shtetas kosovar me emrin A. Camaj, lavdëronte sistemin shëndetësor në Beograd dhe shante atë të Prishtinës. Gazeta serbe e ilustronte shkrimin me fotografinë e një të moshuari me plis të bardhë në kokë duke implikuar dhe njëkohësit duke mashtruar lexuesin si në Beograd po ashtu edhe në Prishtinë se ishte ai personazhi për të cilin bënte fjalë artikulli.

LEXO EDHE: Lajme të rreme në emër të sportit dhe të kryeministrit

I menjëhershëm ishte reagimi i mediave online në Kosovë, jo për ta verifikuar një sulm të këtillë ndaj shëndetësisë, por ta për shpërndarë për audiencën e vetë, në gjuhën shqipe. Teknika e përkthimit, kopjimit, publikimit në mediat online të Kosovës si dhe shpërndarjes në media sociale u përdor veçanërisht në këtë rast. Në një kohë kur mjekët kosovarë u zhytën në grevë nga pakënaqësia për rrogat një lajm i këtillë do të godiste qytetarët e Kosovës tashmë të lënduar nga sistemi i dobët shëndetësor. Padyshim, një lajm i tillë sjell më shumë klikime meqë po flitet për shëndetin.

Kjo ndodh sidomos kur mediat vendosin tituj tendencioz si në këtë rast. «Kosovari me plis: Në spitalin e Prishtinës të trajtojnë si lopë – Beogradi dhe zoti ma shpëtuan djalin» – ky është titulli që zuri vend në disa media online në Kosovë dhe më gjerë në rajon në mediat e gjuhës shqipe.

LEXO EDHE: A ndikuan portalet fantome në rezultatin zgjedhor të vitit 2017?

Titulli do të ndryshohej disa ditë më vonë, por jo edhe teksti, pas komenteve të shumta në adresë të mediave përkatëse nga familjarët e personazhit në fotografi, i cili siç do të konfirmonin familjarët për qëllime të këtij artikulli, ka vdekur që në vitin 2002.

Emri i tij nuk është A. Camaj siç shkruan portali serb «Kurir», por është Uzair Pirkuqi, i lindur në vitin 1932 në komunën e Dragashit. Fotografia e cila ka qarkulluar në mediat e Kosovës dhe ato të Serbisë daton nga koha e luftës dhe sipas familjarëve mund të jetë bërë në kampet e refugjatëve të ikur nga Kosova në Kukës. Mediat e Kosovës nuk kanë arritur të dëshmojnë vërtetësinë e deklaratës së shtetasit nga Deçani A. Camaj për të cilin ka shkruar gazeta serbe «Kurir».

LEXO EDHE: E vërteta online: Gazetaria e verifikimit në pikëpyetje

Për Serbeze Haxhiaj, gazetare në Radio Televizionin Publik, lajmet e mediave serbe në të shumtën e rasteve janë të njëanshme dhe pjesë e makinerisë së propagandës politike. «Si të tilla ato vërshojnë edhe tregun në Kosovë dhe opinionit i serviren si lajme të ngjyrosura politikisht dhe shpesh jo të sakta. Çështja e tërheqjes së njohjes ka qenë një prej elementeve të shpeshta ku publikut në Kosovë i janë servirur lajme të marra nga Serbia që kanë qenë komplet në shërbim të aparatit shtetëror propagandues», thekson Haxhiaj.

Abit Hoxha, studiues i mediave, e konsideron si praktikë të dëmshme kopjimin e lajmeve, veçanërisht atyre të mediave serbe që kanë agjendë propaganduese. «Lajmet që vijnë nga shumica e medias në Serbi për Kosovën nuk janë lajme të besueshme», thotë ai. Këto «lajme» kanë qasje minimale në Kosovë dhe kanë burime jokredibile. Lajmet që vijnë nga Serbia për Kosovën pothuajse gjithmonë janë të njëanshme, të politizuara me punën e partive politike në pushtet në Serbi, të fryra, si dhe shumë shpesh janë lajme të rrejshme», thotë Hoxha.

LEXO EDHE: Lajme nga spitali apo lajme për spital?

Një problem tjetër, sipas Hoxhës, është se gazetarët në Ballkan nuk qëndrojnë të papërfshirë në lajmet që i raportojnë. Këtë problem e kanë edhe mediat në Kosovë meqë vetë kopjimi pa verifikim të lajmeve është tregues se shumë media në Kosovë funksionojnë vetëm për të tërhequr klikime e pompozitet në dëm të mirëinformimit.

«Shumica e gazetarëve, raportimin politik e bëjnë sikur ai në sport- ‘për njerëzit tanë dhe të tjerët’-, duke vendosur veten në protagonizëm të lajmit e jo duke raportuar si observues i papërfshirë. Gazetarët në Ballkan janë pjesë e bashkëjetesës me politikën», shtoi ai.
Të paktën në dy raste mediat serbe janë dënuar për përdorimin e gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve si dhe për shpërndarjen e lajmeve të pa vërteta.

Siç shkruan www.kallxo.com Gjykata e Apelit në Beogradit ka gjobitur në prill të vitit 2018 tabloidin pro-qeveritar «Informer» për botimin e të pavërtetave rreth BIRN në Serbi dhe redaktorit të saj, Sllobodan Georgiev. Gjykata rikonfirmoi se «Informer» ka publikuar informata të rreme në një artikull me titullin: «Ata donin të përvetësojnë 23,2 milionë euro», shkruankallxo.com. E njëjta gazetë është dënuar nga Gjykata e Lartë në Beograd edhe për përdorimin e fjalës «šiptar» ndaj disa aktivistëve të Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Beograd. Ata u quajtën fashistë dhe armiq të Serbisë, të cilët përkrahin «šiptari», shqiptarët e Kosovës. Gjykata e ka dënuar gazetën «Informer» për shkak të gjuhës së urrejtjes dhe shkeljes së nderit të aktivistes Anita Mitiq.

LEXO EDHE: Tymi mediatik: Zjarri në Stamboll e tymi në Obiliq

«Shprehja ‘šiptar’ nga Gjykata e Beogradit konsiderohet politikisht jo korrekte dhe me përmbajtje fyese në gjuhën serbe për pjesëtarët e nacionalitetit shqiptar të cilët jetojnë në Kosovë, në vend të përdorimit të fjalës ‘albanci’, kur i referohen shqiptarëve të Kosovës».
Kjo gjuhë e urrejtjes, por edhe të tjera raste kur mediat serbe gënjejnë pa dorëza, do të duhej të shërbenin si fakte të rëndësishme për mediat në Kosovë se disa nga kolegët e tyre në Serbi nuk janë mjaftueshëm të besueshëm sa për ta sjellë prodhimtarinë e tyre për audiencën në Kosovë. Sidomos jo pa i verifikuar lajmet por duke i përkthyer e publikuar si lajme të mirëqena.

Në këtë mënyrë do t’i kontribuonin gazetarisë së mirëfilltë, do të ruanin besueshmërinë e lexuesve, do ta rrisnin mirëinformimin që padyshim do të ndikonte në zbutjen e urrejtjes ndëretnike që sa vjen e bëhet më e fortë edhe 20 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë. Mbi të gjitha, një punë profesionale e jo tendencioze mënjanon gabimet që hapin plagë të së kaluarës sikurse rasti i plakut që pothuajse dy dekada nuk frymon e mediat i tmerrojnë të afërmit e tij me lajme se kinse familjari i tyre po mjekohet në Beograd.

Ky artikull është përkrahur në kuadër të projektit të financuar nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë dhe i zbatuar nga BIRN dhe AGK. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian ose BIRN-it dhe AGK-së.

Nga: Arta Berisha

BURIMI: ZËRI.INFO

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button