Gruevski te Musa për 11 vjetorin e MKO?

Manifestim modest për 13 gushtin pritet nga Sekretariati për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit për të shënuar 11 vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.

Për herë të parë pritet që në një përvjetor të MKO-së të marrë pjesë edhe vet kryeministri Gruevski. Sipas burimeve të Qeverisë, Musa Xhaferi tashmë u ka dërguar ftesa kreut shtetëror, por ende nuk ka konfirmin nëse Nikolla Gruevski do të merr pjesë në këtë ceremoni.

Nëse Gruevski pranon ftesën e Xhaferit kjo do të jetë hera e parë që ai merr pjesë në shënimin e kësaj dite. Vitin e kaluar, në shënimin e 10 vjetorit të kësaj marrëveshjeje, Gruevski nuk u paraqit në konferencën speciale në Ohër. Atëherë Gruevski pati deklaruar se maqedonasit e respektojnë, por nuk e festojnë Marrëveshjen e Ohrit.

Por duket se prej atëherë kanë ndryshuar gjërat dhe janë “ngrohur” marrëdhëniet mes VMRO-së dhe BDI-së. Para dy muajsh kryeministri për herë të parë morri pjesë në kremtimin e 10 vjetorit të themelimit të Bashkimit Demokratik për Integrim. Pas shënimit të përbashkët të Ilindenit, 2 gushtin e kaluar, duket se dy partitë qeveritare kanë lënë pas mosbesimin dhe paragjykimet, duke përforcuar bashkëpunimin.

Me rastin e 11 vjetorit të MKO-së nga Qeveria thonë se sivjet për herë të parë do të dorëzojnë Raport mbi punën e Sekretariatit për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit për Komisionin Evropian. Dhjetë vitet e kaluara ky Sekretariat nuk ka dërguar Raport për punën e vet në Bruksel, për çka ka marrë edhe kritika nga KE.

“Ky Raport është pjesë e udhërrëfyesit, obligimeve që i kemi për zhvillimin e negociatave aderuese, paraqasëse për aderim në Bashkimin Evropian. Është raport i Sekretariatit për punën e tyre gjatë këtyre 11 viteve” – thotë zëdhënësi i Qeverisë Muhamet Hoxha.

Ajo që Brukselit dhe opozitës më shumë i vret syrin është fakti se njëmbëdhjetë vite pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit përfaqësimi i drejtë dhe adekuat mbetet i pa implementuar.

Kjo çështje mbetet një prej çështjeve më atraktive për përplasjen e shifrave mes partive qeveritare dhe atyre opozitare. Megjithatë, është fakt se nga 972 institucione në Maqedoni, në më tepër se gjysmën prej tyre, respektivisht në 495 institucione nuk ka asnjë shqiptar. Duke u bazuar në këtë, nuk duhet të habitemi nëse edhe VMRO dhe Gruevski sivjet feston “të arriturat” e Marrëveshjes së Ohrit./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button