Qendra e skijimit Mavrovë, atraksion turistik dimëror që tërheq shumë vizitorë (FOTO/VIDEO)

Turizmi dimëror në Maqedoni po bëhet gjithnjë më tërheqës dhe më aktual si për turistët vendor, ashtu edhe për ata të huaj, të cilët vendosin që një pjesë të periudhës së dimrit ta kalojnë në qendrat e skijimit të cilat me përmbajtje të llojllojshme mundësojnë rekreacion dhe relaksim për vizitorët.

Një nga ato është edhe Qendra e skijimit Mavrovë, e cila ekziston më shumë se 50 vite, ndërsa gjendet në komunën Mavrovë dhe Rostushë, në Parkun nacional Mavrovë.

Tradita shumë vjeçare e ekzistimit të kësaj qendre të skijimit, bukuritë natyrore me të cilat disponon, pamja e bukur nga lartësitë drejt “qilimit të bardhë”, si dhe mundësitë e ndryshme për rekreacion janë një pjesë e arsyeve me të cilat Qendra e skijimit Mavrovë tërheq shumë vizitorë, veçmas adhurues të sporteve dimërore.

Ognen Cigovski, drejtor ekzekutiv i Qendrës së skijimit Mavrovë, në një bisedë me Anadolu Agency (AA) foli për mundësitë me të cilat disponon kjo qendër, për sezonin turistik dimëror si dhe për mundësinë që të zhvillohet turizmi dimëror në Maqedoni dhe në rajon.

“Sezoni tashmë ka filluar prej 20 dhjetorit, falë sistemit për bërjen e borës që mundëson sezonin ta hapim më herët se zakonisht, ja pra tashmë edhe në fillim të janarit kemi edhe borë natyrore. Të gjitha instalimet e teleferikëve punojnë, të gjitha shtigjet janë të përgatitura për të pranuar skijatorët. Tani në ditë mund të themi se kemi 1.500 deri në 2.000 dhe mund të them se të gjitha kapacitetet janë të plotësuara në dy javët e para të muajit janar”, theksoi Cigovski.

Ai shtoi se Qendrën e skijimit Mavrovë e vizitojnë turistë nga vendi, por edhe nga rajoni dhe më gjerë.

“Meqë kjo periudhë e skijimit në periudhën dimërore dhe vet vendosja e sistemit për bërjen e borës ka rritur interesimin, mund të themi se të gjitha shifrat janë duke u rritur lidhur me mysafirët dhe lidhur me të gjitha kapacitetet që ka Mavrova, qofshin ato hotelierike ose vendosje private. Mysafirët më të shpeshtë janë nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria dhe nga fundi i muajit janar edhe mysafir nga Turqia, meqë pushimi dimëror fillon nga fundi i janarit”, theksoi Cigovski.

Për shkak të vendndodhjes së saj, qendra e skijimit ka një pamje të mirë drejt maleve përreth dhe liqenit të Mavrovës. Ka shtigje skijimi nga 1,255 deri në 1,860 metra mbi nivelin e detit të cilat mirëmbahen dhe kanë kushtet e nevojshme për skijim në borë natyrore dhe teknike. Zona e skijimit servisohet me 3 teleferikë dhe 11 ski-liftë të cilat ofrojnë 25 kilometra shtigje skijimi të mirëmbajtur që janë të ndryshme dhe të përshtatshme për skiatorë profesionalë dhe rekreativë, si dhe për fillestarë.

Po ashtu ekziston edhe një shkollë e skijimit brenda Qendrës së skijimit Mavrovë ku vizitorët mund të mësojnë hapat e para në ski apo snowboarding. Këtu është edhe qendra servisuese për pajisje skijatore dhe snowboarding, poligon për fillestarë, ngjitje malore, park freestile, çiklizëm në borë, skijim nordik ose ndër-ski dhe ski turne.

Parku Nacional “Mavrovë”

Sipas drejtorit ekzekutiv të Qendrës së skijimit Mavrovë, numri i vizitave turistike në Mavrovë është në trend rritës, por sqaron se kjo qendër skijimi është më e vogël se pjesa tjetër e rajonit dhe se mund të konkurrojë me vendpushimet e tjera të skijimit në vendet e rajonit.

“Nuk mundëm të bëjmë krahasim të Mavrovës me qendrat rajonale më të mëdha të skive si Bansko Borovets në Bullgari apo Kopaonik në Serbi. Megjithatë, Mavrova është me të vërtetë një qendër rajonale e vogël e skijimit që lejon në bazë të çmimeve dhe ofertës që të mund të konkurrojë me qendrat rajonale më të mëdha të skijimit që përmenda. Në Mavrovë paketat familjare janë shumë më të përshtatshme për mysafirët, sepse fëmijët fitojnë skijim pa pagesë, trajnime pa pagesë për skijim, pajisje falas, në këtë mund të themi se jemi më të favorshëm se të tjerët dhe çmimet janë më të përshtatshme në Mavrovë, për dallim nga Serbia dhe Bullgaria”, konsideron Cigovski.

Lidhur me infrastrukturën e nevojshme për zhvillimin e turizmit malor në Maqedoni, Cigovski thekson se nevojiten më shumë përpjekje për të realizuar hapat investuese për të ardhur deri te përmirësimi i kushteve të përgjithshme.

Cigovski njoftoi se investimi tjetër i madh në Mavrovë do të jetë zëvendësimi i kapacitetit me një ulëse me teleferik. Ai shfaqi shpresën se në të njëjtën kohë shteti do të ndihmojë në ndërtimin e përmirësimit të infrastrukturës, sidomos në krijimin e hapësirës më të madhe të parkimit për automjetet e mysafirëve.

Në Maqedoni ka disa qendra skijimi, ndër të cilat përveç Mavrovës janë edhe Kodra e Diellit, Nizho Pole afër Manastirit, Krusheva dhe Kozhufi.

Parku Nacional “Mavrovë”

– Mavrova është tërheqës edhe në sezonin turistik të verës

Përndryshe, përveç turizmit dimëror, sipas Cigovskit edhe periudhën e verës, Mavrova është një destinacion tërheqës turistik. Siç tregon ai, për tre vjet me radhë Mavrova intensivisht ka punuar në sezonin veror, ndër të cilat janë përgatitjet verore të ekipeve sportive, si dhe vizitat e çiklizmit nga vendet e Evropës Perëndimore dhe vizitorët e shumtë që ngjiten gjatë verës.

Fatin e Mavrovës nuk e ka edhe Kodra e Diellit, e cila edhe pse me vizitorë më të shumtë, investime nuk ka fare. Mungojnë teleferikë, pista për skijim, nuk ka parkingje, kurse edhe sezonin e ka hapur me ashensorë për skijim me defekte.

LEXO: Sezoni i skijimit në Kodrën e Diellit: Me erë të fortë, reshje të mëdha dhe ashensorë me defekte (VIDEO)
LEXO: Kodra e Diellit, pasuria natyrore e Sharrit e cila degradohet nga viti në vit (FOTO-VIDEO)
LEXO: Kodra e Diellit shembull tipik i nacionalizmit dhe “federalizimit” maqedonas

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button