PROTESTAT E STUDENTËVE – MAJ ’68

Shpërthimi botëror i fundit i energjisë utopiste – Pjesa e Parë 

Në vitet ’60 të qindveçarit XX kishte një numër të madh trazirash studentore në mbarë botën. Më 1964, nga Universiteti Berkley i Kalifornisë nisi të përhapet Lëvizja për lirinë e fjalës (Free Speech Movement).  Në ShBA, lufta në Vietnam ka qenë pretekst i drejtpërdrejtë i pakënaqësisë. Pos kësaj, edhe zezakët synojnë t’i realizojnë të drejtat e veta. Trysnia e shtetit ndaj radikalëve të majtë, në atmosferën e luftës s ftohtë, ishte e madhe. Këtu duhet përmendur edhe LSD-n. Hipikët proklamojnë revolucion politik por edhe revolucion të brendshëm. Anëtarët e Lëvizjes Bit duan mënyrë hedoniste të jetesës. Veprojnë edhe Panterët e zinj, organizatë afroamerikane që predikonte socializëm revolkucionar. Përhapen kultura masive, flokët e gjata. Nga kjo doli ajo që u quajt E majta e re.

Lindi një lëvizje spontane e pastrukturuar e cila mori forma të ndryshme, por që kishte një qëllim të përbashkët – utopinë. Thelbësore për këtë lëvizje është zhvillimi i kontrakulturës, kulturës së re e cila i kundërvihet kulturës së vjetër. Kjo lëvizje është kundër që politika të jetë mënyrë e jetës.

E majta e re e ripërkufizoi nocionin e revolucionit, nocionin e subjekteve revolucionare dhe nocionin e jetës. Kthesat e bëra atëherë, ndjehen edhe sot.

Një lëvizje qytetare u shfaq në Irlandën Veriore. Konflikte dhe demonstrata pati në Milano dhe në Torino, ndërsa jeta normale në Romë u paralizua. Shpërthejnë protesta në Spanjën e Frankos – në Barcelonë dhe në Madrid. Në mars shpërthejnë protesta në Poloni. Vala e revoltës përfshin edhe Brazilin. Më 4.4.1968 u vra luftëtari i të drejtave qytetare Martin Luter King, Junior (1920-1968) i cili më 1964, në moshën 35-vjeçare mori çmimin Nobel për paqe. Vrasja e këtij kleriku baptist shkaktoi trazira në 100 qytete të ShBa-së, përfshi edhe Uashigtonin. Shpërthejnë protestat edhe kundër luftës në Vietnam dhe sagregacionit. Në Siudad-Meksiko, një javë para se të fillonin Lojërat olimpike verore, policia vrau 78 demonstrantë. Protestat shpërthejnë në Tokjo, në Berlin, në Paris, në Beograd, në Zagreb. Në aspektin kohor, por edhe për nga energjia e vet, në këtë varg protestash mund të përfshihet edhe “Pranvera e Pragës”. Vala e ’68 ishte edhe kundër komunizmit sovjetik.

Më 27 nëntor 1968 demonstrata të fuqishme me kërkesa kombëtare, politike, ekonomike, sociale, kulturore shpërthyen edhe në Prishtinë si dhe në qytetet e tjera të Kosovës. Më 22 dhe 23 dhjetor demonstrata të fuqishme pati edhe në Tetovë.

Planeti nisi të vlojë. Të rinjtë kërkonin ndryshime.

*   *   *

Shkolla e Frankfurtit ushtroi ndikim të fuqishëm te studentët. Ata i përcillnin me vëmendje ligjëratat e filozofit dhe të sociologut gjerman Teodor Adornos (1903-1969), të filozofit gjerman Maks Horkhajmerit (Max Horkheimer, 1895-1973), apo të filozofit amerikan të lindur në Gjermani – Herbert Markuzes (1898-1979). Ushqeheshin nga veprat e filozofëve dhe të shkrimtarëve të mëdhenj – të Zhan-Pol Sartrit (1905-1980), të Martin Hajdegerit (1889-1976. Përplaseshin ndër vete për Marksin (1818-183), Gjergj Llukaçin dhe Ernest Blloh-un (1885-1977).

Markuze ishte figurë e shquar e Shkollës së Frankfurtit, shkollë e filozofisë që merrej me rivlerësimin e Marksit. Më 1933 e la Gjermaninë dhe u vendos në ShBA. Sipas tij “ndryshimi revolucionar mund të vijë vetëm prej elitave të tjetërsuara, siç janë studentët”.  

Protestat e ’68-s paraqesin shkallëzim të konfikteve sociale në mbarë botën. U protestua edhe kundër elitave ushtarake dhe burokratike. Një numër i madh i demonstarntëve u vranë, u plagosën dhe u arrestuan nga forcat policore dhe ushtarake të pushtetarëve.

Filozofë, sociologë dhe historianë prominentë thonë: “Shkaqet dhe rrënjët e revoltës së ’68-s ndodhen thellë në të kaluarën. Ato vazhdojnë të ekzistojnë edhe sot”. Lindi miti mbi veçantinë e ’68-s.

*   *   *

Zëri i protestës vjen nga Sorbona – Pesëdhjetë vjet kanë kaluar nga ngjarjet e majit dhe të qershorit të vitit 1968 të cilat e ndryshuan rrënjësisht shoqërinë tradicionale franceze të fishkur të asaj kohe. Ishte një kohë kur në shoqëri mbizotëronin konceptet autoritare dhe konservatore të vjetruara. Për të nxjerrë përfundime thelbësore për revoltën e majit të ’68-s të shekullit XX, vlerësimin duhet ta bëjnë historianët e Evropës.

Pjesëmarrësit e ngjarjeve të majit të ’68-s u ballafaquan atëherë me gogolin e deriatëhershëm të shoqërisë së mbyllur – me autoritetin. Vetëm të kujtuarit  e majit të ’68-s në Francë, edhe pas disa dekadave ndillte ose respekt të thellë ose urrejtje.

Ndonëse bota sot dallohet shumë nga ajo e para pesëdhjetë viteve dhe nuk ka ngjashmëri të madhe me rrethanat që çuan në protesta masive, në ato ngjarje ka do gjëra që janë mjaft të ndërlikuara dhe të pathëna, të cilat as në raportin e sotëm të forcave nuk zbardheen plotësisht.

Sociologu, kulturologu  dhe filozofi francez Edgar Moren (1921-) majin e ’68-s e konsideron “ngjarje sfingë” për arsye se sot e kësaj dite mbetet një enigmë e madhe. Sipas tij, ’68-a nuk është revolucion i vërtetë për arsye se revolta nuk kishte për qëllim shembjen e drejtpërdrejtë të pushtetit, por është më shumë se valë, e cila papritmas u ngrit nga thellësitë e oqeanit dhe iu përplas anijes së labërguar, duke i shkaktuar plasaritje nëpër të cilën edhe sot depërton nga pak ujë.

Në vitin 1992 E. Moreni, nëpërmjet gazetës Le Monde  i dërgoi letër të hapur akademikut serb Dobrica Qosiqit, me të cilën e konsideronte si njërin nga përgjegjësit kryesorë të luftës në Bosnjë dhe Hercegovimë.

Sot mbizotëron mendimi i përgjithshëm se revoltat e majit dhe të qershorit të ’68-s bëjnë pjesë në radhën e ngjarjeve që e kanë karakterizuar historinë bashkëkohore të Francës, si rrallë ngjarje tjetër. Revolta e cila kishte karakter spontan e bllokoi për disa javë krejt Francën, duke e treguar natyrën e vet kryekëput sociale, ekonomike, kulturore dhe politike.

Revolta ishte e drejtuar në radhë të parë kundër një shoqërie tejet konservatore e cila vazhdonte t’i respektojë traditat, prej kohësh të tejkaluara. Revolta ishte e drejtuar edhe kundër gjeneral Sharl dë Golit (Charles de Gaulle, 1890-1970). Duke qenë dhjetë vjet president i Francës (1959-1969), një pjesë e popullsisë ishte gjithnjë më i pakënaqur me politikën e tij.

Kriza e majit e zgjoi popullsinë, e cila e përgjumur nga sukseset shoqërore dhe ekonomike të të ashtuquajturës periudhë e “Tridhjetë të famshmëve”, tanimë nisi të kuptojë se koha e prosperitetit kishte përfunduar.

*   *    *

Të parët që u ngritën në protestë ishin studentët e Parisit. Në mars u tubuan nëpër fakultete. Më pas lëvizja e bëri për vete edhe klasën punëtore si dhe kategoritë e tjera të popullsisë në mbarë Francën. Pasuan revoltat sociale më të mëdha në historinë e vendit.

Sistemi arsimor i Francës nuk ishte ndryshuar që kur Napoleon Bonaparti (1769-1821) e kishte rihapur Sorbonën në vitin 1808, pas Revolucionit Francez. Profesorët i lexonin me zë leksionet e vjetruara dhe gjithmonë të njëjta, në sallat pa nxehje të mjaftueshme. Protestat ishin të pashmangshme. Në vjeshtë të vitit 1967 10.000 studentë të Nantit – degë e Sorbonës në afërsi të Parisit, ngritën zërin e protestës kundër shërbimeve jopërkatëse në universitet.

Duhet theksuar se ngjarjet e ’68-s udhëhiqeshin nga lëvizja e pazakonshme e studentëve dhe e punëtorëve, e cila prej 50 milionë banorëve të Francës së asaj kohe, 11 milionë i nxori në grevë të përgjithshme dymujore. Punëtorët kishin vetëm kërkesa materiale – paga më të mëdha, studentët ndërkaq kërkoni kushte më të mira nëpër fakultete, duke shprehur njëherazi edhe pakënaqësi ndaj regjimit të Dë Golit. Në forma të ndryshme, demonstratat e majit manifestuan revoltë kundër çdo lloj autoriteti.

Pjesëmarrësit dhe studentët kërkonin liri morale. Një prej kërkesave të para kishte të bënte me krijimin e konvikteve studentore të përziera dhe lejimin e vizitave të meshkujve në dhomat studentore të femrave. Punëtorët ndërkaq ua refuzonin dëgjueshmërinë punëdhënësve rigorozë dhe të rreptë.

Përgjithësisht, studentët e vunë në dyshim shoqërinë konsumatore, sistemin e arsimit, kapitalizmin, pjesën më të madhe të institucioneve shtetërore si dhe vlerat tradicionale. Me fjalë të tjera, studentët kundërshtuan dhe mohuan çdo gjë që deri atëherë askush nuk ka mundur as ta mendonte.

*   *   *

S’ka dyshim se në ngjarjet e Francës ndikuan një mori rrethanash në mjediset studentore dhe në ato të punëtorëve, anë e kënd Evropës dhe botës, siç ishin protestat tronditëse në Gjermani, në Itali, në ShBA, në Japoni, në Meksikë ose në Brazil, kuptohet edhe në Çekosllovaki, gjatë asaj që u quajt “Pranvera e Pragës”. Me një fjalë, kemi të bëjmë me një front të gjerë.

Specifika e Francës dhe trashëgimia e majit të ’68-s qëndron në faktin se demonstratave masive të studentëve, më 13 maj iu bashkëngjitën edhe të gjithë punëtorët me grevën e përgjithshme. Ndërkohë, pandërprerë mbaheshin tryeza të rrumbullakëta, nëpër të cilat ditë e natë debatohej për ngjarjet. Organizoheshin kuvende të përgjithshme, debate, seanca joformale – në rrugë, në fabrika, në shkolla, në fakultete, nëpër teatro, madje edhe në muze.

Bazuar në trashëgiminë e atyre ngjarjeve dramatike, edhe sot në Francë e praktikojnë të mbajnë debate dhe të shtjellojnë tema të rëndësishme, jo vetëm nëpër mediume por edhe në vende të tjera publike, mu si në ’68-n.

Lidhur me shkaqet e revoltës më të madhe të historisë së shekullit XX në Francë, që në krye të herës u bënë analiza të shumta kontradiktore dhe interpretime të ndryshme. U analizua sidomos trashëgimia e protestave, përkatësisht ndikimi i tyre në jetën e përgjithshme në të ardhmen.

Vrulli i lëvizjes së ’68-s ndikoi në mobilizimin masiv gjatë viteve ’70, sidomos në planin e politikës ekologjike dhe të pozitës së femrës.

Edhe pse pa rezultate politike konkrete, ngjarjet e ’68-s luajtën një rol të rëndësishëm në planin social dhe kulturor, duke ndikuar në një sërë reformash në jetën e përditshme, siç janë: sigurimi social më i mirë, reforma në sistemin e arsimit, evolucioni midis gjinive, emancipimi i femrës, legalizimi i grupeve homoseksuale dhe i komuniteteve të tjera.        

Në lëvizjen që ngërthente në vete ideal politik tejet liberal, të paktën kur është fjala për liritë individuale dhe për kritikat ndaj shoqërisë konsumatore, autoritetit dhe imperializmit, u theksuan sidomos problemet e përditshmërisë, të grumbulluara që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore.

Në kohën kur zhvilloheshin protestat studentore nuk flitej për udhëheqësit e revolucionit, mirëpo më vonë disa figura u cilësuan si veprimtarë të dalluar të lëvizjes studentore, si: sociologu Serzh Zhili, Daniel Kon-Bendit, të ashtuquajturit filozofë të ri – filozofi Bernard Anri Levi (1948- ), filozofi Andre Glyksman (1937-2015), filozofi Kristian Zhambe (Christian Jambet, 1949-), filozofi Gi Lardro (Guy Lardreau, 1947-2008), shkrimtari dhe filozofi Moris Klavel (Maurice Clavel, 1920-1979), filozofi dhe shkrimtari Zhan-Mari Benua (Jean-Marie Benoist, 1942-1990), shkrimtari Rober Merl (1908-2004) dhe profesoresha e letërsisë krahasuese në Universitetin e Nju-Jorkut Kristin Ros (1935-). Zhambe dhe Lardro ishin njohës të maoizmit. Prijësit e sipërthënë të majit ’68, kryesisht ishin studentë të filozofisë, të sociologjisë apo të letërsisë.

Filozofi dhe eseisti francez, admirues i revolucionit kuban dhe i Ernesto Çe Gevarës (1928-1967) – Rezhis Debre (Regis Debre, 1940), dhjetë vjet pas ngjarjeve shkroi se ngjarjet e majit të ’68-s janë larg asaj për t’u cilësuar si revolucion. Ato në të vërtetë i shërbyen modernizimit të sistemit kapitalist dhe amerikanizimit të shoqërisë. Në librin “Pjesëmarrje modeste në fjalimet dhe në ceremonitë zyrtare të ditëlindjes së dhjetë” të botuar në vitin 1978, Debre shkruan: Liria morale dhe emancipimi ishin vetëm instrumente që i nevojiteshin borgjezisë së re financiare për ta dërguar në harresë borgjezinë shtetërore të ashpër dhe arkaike dhe për ta shuar idenë për kombin, për pavarësinë, për klasën punëtore dhe për revolucionin.”                

*   *   *

Njëzet vjet pas ngjarjeve të ’68-s, trashëgimia e lëvizjes studentore dhe të punëtorëve mori një kthesë të re në akuzat e studiuesve. Sociologu Gi Hokengen, në vitin 1986 shkruan: “Një pjesë e atyre të cilët morën pjesë në protestat e ’68-s, i tradhtuan idealet dhe kaluan në anën e të majtës neokapitaliste në pushtet”.   

Që nga fundi i viteve ’90 të shekullit XX e deri më sot, gjithnjë e më të rrallë janë mbrojtësit e frymës së ’68-s. Sociologu dhe filozofi francez Zhan-Pjer lë Gof (1949-), ngjarjet e asaj kohe i vlerëson me një pesimizëm të madh. Në vitin 2001 ai shkruan: Ëndrra për barazinë sociale për të cilën aq shumë u përpoqën para më se tri dekadave, është shuar plotësisht. E majta që është dhënë pas havjarit dhe luksit është fajtore për zhvillimin individualizmit në shoqëri dhe të një lloji të ri të konformizmit”.   

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button