Ramush Haradinaj: Marrëveshja e Prespës është dëshmi për mundësi edhe për situata të tjera në rajon

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në intervistën ekskluzive për MIA-n flet për efektet nga Marrëveshja e Prespës ndaj çështjeve të tjera të hapura në fqinjësi, për dëshirën për kthim të paqes, stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik që do të pasojnë me kuptimin e rrugës euroatlantike të të gjitha vendeve nga rajoni.

Haradinaj në intervistë thekson se angazhohet për marrëveshje gjithpërfshirëse me Serbinë, edhe pse pranon se kjo për shkak të problemeve dhe animoziteteve nga e kaluara, shkon vështirë. Është i bindur, megjithatë, se marrëveshja e mundshme do ta stabilizojë rajonin, dhe do t’ia sjellë zhvillimin ekonomik, para së gjithash, dy popujve.

“Me rëndësi është që populli ta gjejë platformën e vet dhe ajo platformë të jetë e kuptuar nga të gjithë. Mendoj se Marrëveshja e Prespës është baza për atë platformë, për pajtim, dhe, kuptohet, për mirëkuptim të ndërsjelltë dhe për besimin mes popullit, në suaza të jetës politike. Ne atë e vlerësojmë si progres, si arritjen e vetë marrëveshjes, ashtu edhe implementimin e saj. Pajtimi është i rëndësishëm në suaza të shoqërisë.
Në shumë qarqe të rajonit flitet për modelin e Marrëveshjes së Prespës mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë dhe kur e tërë kjo do të zgjidhet, unë mendoj se do të jetë dëshmi për mundësi për t’u zgjidhur edhe situata të tjera. Gjithsesi të gjitha situatat janë specifike në mënyrën e vet. Mendoj se ajo tek ju ishte trimëri për shumë kë, sepse ju shkuat drejt atij pajtimi dhe kthimi të besimit ndaj njëri-tjetrit. Për Maqedoninë është me rëndësi edhe ajo që marrëdhëniet ndëretnike janë të mira. Kjo është e mirë dhe ne i vlerësojmë përpjekjet e kryeministrit aktual të Maqedonisë, zotëri Zaevit, sepse në mënyrë të vet kontribuoi drejt atij pajtimi”, tha Haradinaj.

I pyetur se a mund të shfrytëzohet Marrëveshja e Prespës si model për zgjidhjen e kontestit Kosovë – Serbi, kryeministri i Kosovës, Haradinaj ka theksuar se problemet që Kosova dhe Serbia kanë ndërmjet vete, sjellin një listë të gjatë të gjërave duke filluar, siç thotë ai: “Nga dëmshpërblimi i luftës, sukcesioni, tregtia dhe politika, të drejtat e komunitetit serb që jeton në Kosovë, të drejtat fetare dhe të tjera”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button