UNICEF: Humbja e durimit bën të rinjtë të largohen nga Bosnja

Përfaqësuesja e Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF) në Bosnjë e Hercegovinë, Geeta Narayan, thotë se të rinjtë po largohen nga Bosnja nga shkaku se kanë humbur durimin.

Në një intervistë me Anadolu Agency (AA), ajo tha se të rinjtë e Bosnjës kanë humbur durimin nga shkaku se nuk dëgjohet zëri i tyre përfshirë këtu edhe mungesën e investimeve tek të rinjtë.

Duke shpjeguar aktivitetet e UNICEF-it në Bosnjë, Narayan rrëfen se ato janë përqendruar në vitet e para të edukimit të fëmijëve, por pa injoruar edhe zhvillimin e tyre social.

“UNICEF ka një gamë të gjerë çështjesh me të cilat merret lidhur me të drejtat e fëmijëve. Punojmë në fushat e arsimit, kujdesit, përfshirjes sociale dhe shëndetit të fëmijëve, si dhe rritjen e hershme dhe zhvillimit e tyre”, thotë Narayan.

– Pengesat drejt arritjes së potencialit të plotë

Përfaqësuesja e UNICEF-it thekson se në Bosnjë, ashtu si edhe në shumë vende të tjera të botës, fëmijët me aftësi të kufizuara përjashtohen nga arsimi për çka përballen me pengesa të shumta drejt realizimit të potencialit të tyre të plotë.

“Kemi organizuar shumë evente dhe fushata të vogla përmes të cilave themi se është mirë që fëmijët me vështirësi dhe ata me aftësi të kufizuara, të përfshihen në një program të përbashkët arsimor sepse ashtu mësojnë më mirë”, tha Narayan.

Ajo shprehet se ky vit është veçanërisht i rëndësishëm për UNICEF-in në Bosnjë dhe partnerët e tyre sepse siç thotë me rritjen e numrit të migrantëve dhe refugjatëve në vend, është rritur edhe numri i fëmijëve të cilët ndodhen në një situatë jo të mirë.

“Bëjmë shumë për ti përfshirë në një program të rregullt shkollor, sepse ajo është mënyra më e mirë që këta fëmijë ti kthehen normalitetit”, thotë Narayan.

– Aplikacioni i përgjigjes së shpejtë

Narayan tregon se UNICEF-i nuk është i fokusuar vetëm në një fushë për sa i përket mbrojtjes të të drejtave të fëmijëve po në më shumë, si arsimi, kujdesi shëndetësor, përfshirja sociale, por nëse do të veçonim një çështje thotë ajo, atëherë “do të thoja se është shqetësimi ynë për adoleshentët, fëmijët e moshës dhjetë deri në 18 vjeç”.

“Kemi një nismë të ndërmarrë së fundmi që është një mënyrë e të komunikuarit me të rinjtë, që u lejon atyre të bëjnë pyetje vetëm përmes telefonit ku dhe marrin një përgjigje të menjëhershme, dhe në këtë mënyrë kuptojmë se çfarë është ajo që të rinjtë dëshirojnë”, thotë Narayan.

Ajo rrëfen se aplikacioni është pa pagesë dhe konfidencial, për çka aktualisht ka rreth 400 përdorues të regjistruar.

UNICEF-i u themelua në vitin 1946, me qëllim që të tejkalojë pengesat të cilat çojnë në varfëri, dhunë, sëmundje dhe diskriminim e fëmijëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button