BarCamp – Tetovë: Energjia e ripërtëritshme si zgjidhje për ambientin përmirëson jetën e qytetarëve

Banorët e Maqedonisë mund të përfitojnë nga shfrytëzimi i burimeve alternative të prodhimit të energjisë së ripërtëritshme nëse qeveria dhe sektori privat përkushtohen për të punuar më serioizisht në këtë drejtim. Kështu do të rritet kualiteti i jetës së tyre duke pasur mjedis më të pastër jetësor, posaçërisht ata që jetojnë në vende ku ndotja është më e madhe, siç është qyteti i Tetovës.  Është ky një nga konkluzionet e diskutimit të katërt me radhë të BarCamp – Tetovë, shkruan Portalb.mk.

Të shtunën mbrëma në Tetovë u mbajt edicioni i katërt i “BarCamp Tetovë”. Në të folësit dhe pjesëmarrësit diskutuan për burimet e energjisë të ripërtëritshme, për atë se si mund ata të përdoren në jetën e përditshme të qytetarëve për të pasur jetë më kualitative me mjedis më të pastër. Gjithashtu u diskutua edhe për mundësitë e Maqedonisë dhe Tetovës konkretisht si dhe për pengesat që e pamundësojnë këtë vend të jetë 100% me energji të ripërtëritshme.

Mbeturinat si mundësi për energji alternative

Sedat Mahmudi
Sedat Mahmudi

Sedat Mahmudi, specialist në fushën e burimeve të ripërtëritshmeenergjetike, shpjegoi se “Energji e ripërtëritshme konsiderohet çdo lloj burimi energjie që vjen nga burimet natyrore, si: dielli, era, shiu, baticat dhe zbaticat, dallgët, dhe nxehtësia gjeotermale.”

Mahmudi në prezantimin e tij mes tjerash tha se mbeturinat në Maqedoni mund të shfrytëzohen si burim alternativ i energjisë, duke marrë parasysh faktin se si individë mesatarisht çdo ditë prodhojmë gjysmë deri në një kilogram mbeturina, njofton Portalb.mk.

“Investime të mëdha në botë bëhen për këtë lloj burimi energjie ku bëhet djegia e mbeturinave sipas standardeve dhe minimizohet ekspozimi i gazrave të rrezikshëm të cilët ndotin ambientin jetësor. Burimet e energjisë nga burimet alternative janë parametër dhe bazament kryesor për një zhvillim të qëndrueshëm të një vendi . Sipas paramentrave parashihet që deri në vitin 2023, afër një e treta e prodhimit të rrymës të bëhet nga burimet e ripërtëritshme”, u shpreh Mahmudi.

Komuna e Tetovës ende nuk ka përpiluar planin për mjedisin jetësor 

Skender Palloshi
Skender Palloshi

Udhëheqësi i njësisë për mbrojtje të mjedisit jetësor në Komunën e Tetovës, Skender Palloshi, e prezantoi idenë për planin lokal aksional për mjedisin jetësor të Komunës së Tetovës. Sipas tij, ky është plan strategjik për zhvillimin e komunës dhe ka për qëllim të detektojë të gjitha problemet që kanë të bëjnë me mjedisin jetësor, t’i rendit sipas rëndësisë së tyre dhe të propozojë zgjidhje, buxhete dhe të ngjajshme.

“Plani lokal aksional është një plan që është e detyrueshme me ligj të përgatitet, mirëpo mungesa e një organi që e kontrollon e bën të vështirë implementimin e tij. Sipas ligjit, inspektoriati duhet të kontrollojë implementimin e tij, megjithatë në praktikë konstatoj që kjo nuk është aspak efikase”, tha ndër të tjera Skender Palloshi, njofton Portalb.mk.

Ai nuk dha afat se kur do të shohim versionin përfundimtar të planit, por premtoi se i njëjti do të jetë i përfunduar gjatë vitit 2019, si dhe do të përpilohet nga ekspertë dhe do të konsultohen edhe QJQ-të dhe qytetarët.

Palloshi u ballafaqua me më shumë pyetje nga publiku në lidhje me funksionimin e njësisë së mjedisit në Komunën e Tetovës, për mungesën e transparencës së Komunës si ndaj OJQ-të ashtu edhe ndaj mediave, për inspektoratin dhe për një sërë problemesh në nivel lokal.

Modeli që ka shpresë për më shumë vende: Centali elektrik në Kosovë

Në BarCamp u diskutua edhe për centralin me erë në Kamenicë të Kosovës, central elektrik ky që është zhvilluar si pjesë e projektit KITKA të ndërmarrjes Guris Holding për gjenerim të energjisë elektrike nga burime të ripërtëritshme. Më shumë mbi këtë central, si funksionon dhe si është i ndërtuar foli Xhevat Kanlinuro që është edhe inxhinjer elektrik dhe udhëheqës i centralit me erë, njofton Portalb.mk.

Xhevat Kanlinuro
Xhevat Kanlinuro

“Ekziston hapësirë për investime të tilla edhe në Maqedoni, megjithatë për momentin vendi më i përshtatshëm është Butrinti i Shqipërisë ku ka erë me shpejtësi 10m/s. Për të bërë investime të tilla duhet të kryhet një analizë e gjerë. Maqedonia është pak prapa sa i përket kësaj çështje, por më së paku duhen pesë vite përgatitje dhe analizë për të filluar një investim të tillë”, u shpreh Xhevat Kanlinuro.

Ai theksoi se një nga pengesat më të mëdha për ngecjen e Maqedonisë në fushën e investimit në energjitë e ripërtëritshme është faktori politik dhe situatat shpesh tensionuese në vend që vështirësojnë sigurinë e investuesve dhe prandaj ato tërhiqen ose nuk investojnë aspak.

BarCamp është një format të cilin individ të pavarur mund ta organizojnë. Tema të ndryshme janë diskutuar në këto lloj debatesh të organizuara dhe kjo paraqet ngjarje joformale që përkrahet nga komuniteti dhe në mes tjerash i jep shumë rëndësi debatit interaktiv ndërmjet folësit dhe pjesëmarrësve. BarCamp #4 Tetovë u organizua nga Elmedina Abdulahi dhe Mentar Mahmudi për herë të katërt në Tetovë.

BarCamp #4 Tetovë
BarCamp #4 Tetovë

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button