Maqedoni, dhuna në familje mes ligjeve dhe ndërgjegjes

Numri i zmadhuar i viktimave të dhunës në familje, sipas ekspertëve, është rezultat i moszbatimit të masave për mbrojtjen e viktimave, i zgjidhjeve joadekuate juridike të rasteve, por edhe të vetëdijes së ngritur tek viktimat të paraqesin dhunën në familje, shkruan REL, transmeton Portalb.mk.

Në vitin 2018 në qendrat për punë sociale në Maqedoni janë regjistruar 1300 raste të dhunës në familje, në të cilat pjesa më e madhe e viktimave kanë qenë gra. Kjo shifër tregon se dhuna në familje, veçanërisht dhuna mbi gratë në Maqedoni, ka tendencë të rritjes. Ndër shkaqet kryesore për këtë, sipas ekspertëve, është ajo që viktimat jo gjithmonë vendosin pas divorcit të iniciojnë proces gjyqësor për shkak të frikës nga revanshizmi, pastaj mungesa e përfundimit adekuat juridik apo shqiptimi i dënimeve minimale për kryerësit, ndërsa Komiteti Helsinkit para pak kohe ka alarmuar edhe për trajtim joadekuat të viktimave nga ana e qendrave sociale. Arsye tjetër për numrin e zmadhuar është edhe ngritja e vetëdijes tek viktimat e dhunës në familje të cilat kohëve të fundit gjithnjë e më tepër po i denoncojnë rastet në institucionet kompetente.

Masa ka, por duhet të zbatohen

Për luftë kundër dhunës në Maqedonisë është miratuar plan nacional aksional për zbatimin e Konventës së Stambollit, kurse këtu është edhe Ligji ekzistues për parandalim dhe mbrojtje nga dhuna në familje. Megjithatë, numër i madh i aktivistëve dhe shoqatave të cilat luftojnë kundër dhunës në familje konsiderojnë se ekzistojnë mangësi të shumta në zbatimin e tyre adekuat dhe me kohë, për çka viktimat nuk janë tërësisht të mbrojtura. Sipas konkluzioneve nga debati i fundit për masat e përkohshëm të mbrojtjes nga dhuna në familje, për t’u përmirësuar sistemi i mbrojtjes, nevojitet zbatim urgjent dhe adekuat i masave të mbrojtjes siç janë: Ndalesa që kryerësi t’i afrohet viktimës, ndalesa të posedojë armë zjarri, mjekim i detyrueshëm i kryerësit dhe mënjanimin e tij nga shtëpia pavarësisht pronësinë…

Ngritja e vetëdijes

Prapë se prapë pjesë e aktivistëve në vend konsiderojnë se arsye për numrin e zmadhuar të rasteve dhe viktimave të regjistruara të dhunës në familje nuk është vetëm zbatimi i dobët i ligjeve, por edhe fakti që pas fushatave dhe edukimeve të shumta, viktimat kanë filluar të inkurajohen dhe të paraqesin dhunën në familje.

Nga Qendra për ndihmë juridike falas për viktima të dhunës në familje në Tetovë, që është një prej qendrave më aktive në Maqedoni, thonë se përvoja e tyre ka treguar që ka filluar të ngritët vetëdija, para se gjithash tek femrat, që për dhunën në familje të mos heshtet prandaj tani numri i rasteve të paraqitura është zmadhuar konsiderueshëm.

“Përgjithësisht numri rritet, që ne e shënojmë si rezultat i vetëdijes së ngritur, që edhe është qëllim i fushatave tona, e jo rezultat i dhunës së zmadhuar. Indikator për ne është numri i zmadhuar i rasteve të paraqitura, kurse jo numër i zmadhuar i dhunës së shfaqur. Numër i zmadhuar i rasteve të denoncuara që është tregues për vetëdije të ngritur. (Viktimat) Janë të inkurajuara, gjendja ka ndryshuar shumë nga ajo prej 15 vite më parë”, thotë Sllagjana Josifovska, koordinatore e projekti në Qendër.

Problem me rrënjë të thella

“Një nga hulumtimet më të fundit i OSBE-së, për dhunën mbi gratë në shtet, tregon se 14 përqind e grave kanë qenë viktimë e dhunës fizike ose seksuale pasi kanë mbushur moshën 15 vjeçare, nga partneri apo person tjetër. Rreth 44 përqind e grave kanë qenë viktima të dhunës psikologjike nga partneri intim, 3 prej 10 grave kanë qenë viktima të ngacmimit seksual, kurse 1 prej 10 grave këtë e ka përjetuar në 12 muajt e fundit. 7 përqind të grave i ka përcjell ndjekës”, deklaroi ambasadori i OSBE-së, Klemens Koja, në forumin rajonal për promovim dhe implementimin e Konventës së Stambollit për çrrënjosjen e dhunës në familje.

Sipas euro-ambasadorit Samuel Zhbogar, i cili gjithashtu ka qenë pjesëmarrës në forum, në rajon çdo e treta grua është viktimë e dhunës.

“Të dhënat sipas të cilave 20 deri 40 përqind e grave në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe Turqi vuajnë nga dhuna fizike, kurse mbi 50 përqind e grave prej dhunës psikologjike, tregojnë se ky fenomen është thellë i rrënjosur në këtë pjesë të botës”, ka thënë Zhbogar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button