fbpx

A do të merr Maqedonia sivjet datë për negociata me BE-në?

Edhe politikanët edhe analistët shpresojnë që Maqedonia sivjet mund të merr datë për fillim të negociatave anëtarësim në Bashkimin Evropian. Punët më së shumti varen prej nesh, vlerësojnë ata, gjithsesi duke i theksuar edhe sfidat me të cilat do të ballafaqohet BE-ja, shkruan REL, transmeton Portalb.mk.

Optimizëm në Qeveri dhe pritshmëri më të matura në sektorin qytetar për sigurinë se Maqedonia këtë vit do të merr datën për negociata me Bashkimin Evropian.

Pa ndërhyrë në spekulime për datën, mund të thuhet se në masë të madhe kjo varet nga ne, thotë Zoran Neçev nga Instituti për demokraci.

“Para se gjithash kjo varet nga zbatimi i Marrëveshjes së Prespës, kurse më tutje edhe nga zbatimi i pakos së reformave”, thotë Neçev.

Sipas zëvendës kryeministrit për euro-integrime Bujar Osmani, tani derisa janë realizuar 66 përqind të masave të hartuara të pakos së reformave. Qeveria është e fokusuar në reformat në gjyqësor, shërbimet e sigurisë, administratën publike dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, deklarojnë prej atje. Afati për përfundim të Planit 18 është deri në miratimin e Raportit të ri të Komisionit Evropian që zakonisht për vendet kandidate publikohet në prill.

Neçev, në anën tjetër thekson se Plani 18 përmban segmente prej katër fushave të cilat janë pjesë e konkluzioneve të Këshillit Evropian nga muaji qershor 2018.

“Ende është herët, s’kemi ndonjë pasqyrë preliminare deri ku është plotësimi i gjitha këtyre aktiviteteve. Por, ajo që mund të themi se mungon në këtë moment është një pasqyrë e ritmit të zbatimit të reformave në lidhje me Planin e Qeverisë, edhe pse ky Plan është publikuar para disa muajsh, për të parë cila është shkalla e realizimit të aktiviteteve dhe çka parashihet në periudhën e ardhshme”, thotë Neçev.

Deri më prill na pret edhe shumë punë konsideron Simonida Kacarska nga Instituti për politikë evropiane. Ajo si të rëndësishme, ndër tjerash, i numëron edhe ndryshimet në Ligjin për gjykatat dhe në statutin e Drejtorisë për siguri dhe kundërzbulim.

“Mendoj që nëse të gjitha ato ligje reformuese kalojnë në Kuvend dhe vendosen në bazë të shëndoshë atëherë në masë të madhe do të ketë argumente me të cilat Qeveria do të mund të kërkojë fillim të negociatave vitin e ardhshëm”, thotë Kacarska.

Prapë se prapë të gjithë i theksojnë edhe zhvillimet në Bashkimin Evropian. Vendet anëtare këtë vit pritet të jenë të ngarkuara me daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, kurse do të mbahen edhe zgjedhje për Parlamentin Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button