Ekskluzive: Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim lëndën për Almir Aliun, Boban Iliq do të mbrohet në liri

Këshilli Penal i Gjykatës së Apelit e ka shfuqizuar lëndën për rastin e vdekjes së vogëlushit katërvjeçar nga Kumanova, Almir Aliu dhe të njëjtën e ka kthyer në rigjykim, konfirmon ekskluzivisht për Portalb.mk, avokati, Asmir Alispahiç.

Avokatët ende nuk e dinë se për çfarë arsye është shfuqizuar lënda, pasi që ende nuk e kanë marrë vendimin.

“Gjykata e Apelit e ka shfuqizuar lëndën për ngjarjen e pakëndshme ku ka humbur jetën Almir Aliu dhe lëndën e ka kthyer në vendosje në Gjykatën e Shkallës së Parë në Kumanovë. Ne ende nuk e kemi marrë vendimin nga Gjykata e Apelit, se për çfarë arsye është shfuqizuar lënda. Pasi që do të kthehet lënda në Gjykatën e Shkallës së Parë në Kumanovë, Gjykata ka obligim të caktojë seancë për diskutim kryesor”, thotë për Portalb.mk Alispahiç.

Sipas obligimeve ligjore, shpjegon avokati Alispahiç, për paraburgimin që i është shqiptuar të akuzuarit të parë, Boban Iliq, për momentin kur është shfuqizuar lënda, shfuqizohet edhe paraburgimi për të njëjtin, që do të thotë se Iliq do të mbrohet në liri, por do të ketë masa të kujdesit.

Ndryshe, më 1 tetor të vitit 2018 u mbajt seancë publike në Gjykatën e Apelit në lidhje me ankesat e palëve për vendimin e shkallës së parë të Gjykatës së Kumanovës.

Prokuroria e Lartë gjatë seancës  në Gjykatën e Apelit kërkoi që të dënuarit për vepër të rëndë kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion, Boban Iliq dhe të dënuarve për dhunë, Sami Demiri dhe Abdullah Aliu t’u rritet dënimi.

Në korrik të vitit 2016-të, vogëlushi nga Kumanova Almiri, u shkel me makinë nga Iliq, pasi që paraprakisht babai i vogëlushit dhe ai kishin pasur një zënkë banale në ambulancë.

Fillimisht, Iliq ndiqej për veprën vrasje me paramendim, megjithatë e njëjta më pas u rikualifikua nga Prokuroria duke e ndjekur për veprën penale “vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion nga neni 300 paragrafi 2 në lidhje me nenin 297 paragrafi 1 nga Kodi Penal”.

LEXO: BDI takon familjarët e Almirit, iniciojnë komision parlamentar për rishikim të procesit
LEXO: Sa mund ta ndihmojë drejtësinë për Almirin Komisioni Anketues i BDI-së?

Për rastin në fjalë ka pasur reagime të ashpra në opinion, duke organizuar protesta masive nga qytetarët të cilët e dënuan aktin e Prokurorisë, për shkak të rikualifikimit të lëndës.

Gjatë gjykimit, pati reagime në lidhje me atë se janë bërë lëshime gjatë procedurës, gjegjësisht janë marrë për dëshmi ekspertizat neuropsikiatrike të ekspertëve me licenca me afate të skaduara. Pos kësaj, edhe pse në kamerat e sigurisë shihet qartë se vëllai i Bobanit, Bojan Iliq, ka qenë i përfshirë në rrahjen me Sedat Aliun, Sami Demirin dhe Abdulla Aliun, ai nuk u përfshi në akuzë, gjegjësisht nuk u dënua.

Më 5 prill të vitit 2018, Boban Iliq, u dënua me 6 vjet burg, babai i Almirit, Sedat Aliu me 6 muaj, ndërkaq Sami Demiri dhe Abdullah Aliu me nga 9 muaj burg.

LEXO: Rasti “Almiri”, Avokati i Popullit thotë se ka reaguar në kohë, avokati mbrojtës demanton

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button