Luajtja e Super Kupës Italiane në Arabinë Saudite ka shkaktuar reagime

Kufizimet për tifozet femra në tribunat e stadiumit para ndeshjes së Super Kupës Italiane që do të luhet në Arabinë Saudite ka shkaktuar reagime, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim nga Liga e Parë Futbollit të Italisë (Serie A) është bërë e ditur se në ndeshjen që do të zhvillohet më 16 janar në stadiumin Mbreti Abdullah mes Juventusit dhe Milanit, një tribunë do të ndahet vetëm për meshkujt, ndërsa femrat do të mund të shikojnë ndeshjen nga “tribuna familjare” të shoqëruar nga një mashkull.

Deputetet dhe sportistet në Itali, kanë reaguar ndaj kryesisë së Serie A për arsye se ka pranuar një masë të tillë. “Anulojeni ndeshjen…Mos ua shitni të drejtat e grave Arabisë Saudite për 7 milionë euro”, janë shprehur ato.

“A është shaka kjo? Zotërinjtë e futbollit i shesin të drejtat e transmetimit të drejtpërdrejtë të futbollit por kjo nuk ndryshon të drejtat e grave”, shkroi ish-kryetarja e parlamentit italian Laura Boldrini, në një postim në rrjetet sociale.

“Në rast se një grua italiane dëshiron të shikojë vet ose me ndonjë shoqe tjetër të saj nuk do të mund të blejë biletë. A nuk është kjo e neveritshme? A është për t’u shitur për paratë saudite qytetërimi evropian, të cilit i kemi besuar prej qindra vitesh, dhe lufta për të drejtat e grave? Federata menjëherë duhet ta parandalojë këtë gjë të turpshme, të çojnë Super Kupën tek një popull që nuk bën diskriminim ndaj grave dhe vlerave tona”, tha kryetarja e Partisë Fratelli d’Italia, Giorgia Meloni.

Ndërkaq, zëvendëskryetari i Komisionit Parlamentar për Marrëdhëniet me Jashtë, Paolo Grimoldi, ka reaguar duke thënë: “Punë mesjetare. Vallë, për disa milionë, futbolli ynë do të poshtërohet në këtë mënyrë?”.

Deputetet italiane gjithashtu parashtruan pyetjen: “Si mund të merret vendimi që ndeshja e Super Kupës Italiane të luhet në këtë vend, pavarësisht protestës diplomatike që shteti i ka bërë Arabisë Saudite pas vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi?”.

Super Kupa Italiane edhe në të kaluarën ishte zhvilluar në vende tjera për t’i siguruar të ardhura futbollit vendas dhe për të promovuar vendin. Finalja jashtë vendit në vitin 2002 ishte luajtur në Tripoli të Libisë, në 2003 në New Jersey të SHBA-ve, në 2011 dhe 2012 në Pekin të Kinës, në 2015 në Shangaj dhe në 2014 dhe 2016 në Doha të Katarit.

Ndeshja mes fituesit të ligës, Juventusit, dhe atij të kupës, Milanit, pritet të fillojë në ora 20:30 sipas kohës lokale më 16 janar.

Arabia Saudite më 19 tetor kishte lejuar që në tribunë femrat të mund të shikojnë ndeshjen miqësore midis Brazilit dhe Argjentinës, ndërsa ndeshja e Super Kupës Italiane pritet të jetë ndeshja e parë zyrtare në vend që do të jetë e hapur për gratë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button