Prindërit nuk ankohen kur kopshtet i kthejnë fëmijët pa vaksinë MRP 

Pesë fëmijë të pa-vaksinuar për fruthin, rubeolën, parotitis (MRP) nuk janë pranuar të akomodohen sot në kopshtin “Koço Racin” në Qendër, sipas rekomandimeve të Ministrisë së shëndetësisë (MSH). Ndërkohë, inspektorët e Inspektoratit shtetëror sanitar dhe shëndetësor (IShSSh) po kontrollojnë, nëse ka fëmijë të cilët janë pranuar, e të cilët nuk janë vaksinuar me MRP,  shkruan “Meta“, transmeton Portalb.mk.

Infermierja kryesore e të gjitha katër objekteve të çerdheve, Lile Todorovska, tha për “Meta” se nga 750 fëmijë në këtë periudhë vetëm shtatëdhjetë shkojnë në kopshte.

– Numri në përgjithësi është zvogëluar, sepse është koha e pushimeve. Ne pranuam një vendim nga Inspektorati shtetëror sanitar dhe shëndetësor, si dhe nga Ministria e shëndetësisë, në të cilën janë urdhëresat si duhet të veprojmë. Gjegjësisht, ndalohet akomodimi pa pranim të vaksinës MRP sipas kalendarit. Ne i kemi këto të dhëna në dispozicion, sepse kur regjistrojmë çdo fëmijë, kemi kalendar për statusin e tij imunitar, i cili është kusht për t’u pranuar. Çdo vit ajo përditësohet dhe dihet saktësisht se çfarë ka marrë fëmija nga vaksinat. Për fëmijët për të cilët nuk kemi pasur shënime, në këto dy ditë prindërit mbanin dokumente dhe ne i akomodonim ata. Kishte pesë ose gjashtë fëmijë, prindërit ose gjyshet e të cilëve nuk ishin të informuar për këtë masë, ne i informuam dhe i kthyem. Prindërit nuk ankohen, sepse e dinë se ky nuk është një vendim i kopshtit, por një vendim i Ministrisë – thotë Todorovska.

Ajo njofton se në ndërkohë inspektorët kontrollojnë nëse ka fëmijë të cilët janë pranuar, e të cilët nuk janë të vaksinuar.

– Pranuam edhe fëmijë të cilët prindërit i kishin vaksinuar këtë mëngjes. Gjithashtu akomodojmë edhe fëmijë që nuk kanë marrë asnjë vaksinë, por kjo bëhet me deklaratë e nënshkruar nga një prind – shpjegon infermierja kryesore e katër objekteve të kopshtit Koço Racin.

Edhe në kopshtin “13 Nëntor” në Qendër informojnë se prej sot e respektojnë masën e ndalimit dhe se pranohen vetëm fëmijët që kanë marrë vaksinë MRP.

Rabie Loku, drejtoresha e kopshtit “Fidani” në Çair, thotë se në këtë periudhë zakonisht ndërmerren masat sanitare-higjenike dhe anti-epidemike.

– Për ne kjo është diçka e përditshme, dezinfektohet tërë hapësira. të gjitha lodrat, ndërsa kjo periudhë kur reduktohet numri i fëmijëve përdoret pikërisht për këtë punë. Sot kishim njerëz nga Qendra e shëndetit publik të cilët kryen kontrolle. Ne kemi fëmijë që nuk i kanë marrë të gjitha vaksinat, por sot ata nuk kanë ardhur në kopsht. Nuk erdhën as ata të cilët e kanë marrë vaksinën MRP. Njerëzit mbase i kanë lidhur pushimet, dhe është koha e pushimeve, – thotë Loku.

Nëna e një vajze prej një viti e gjysmë të “Meta” thotë se ajo nuk është kthyer, por se është njoftuar nga kopshti në të cilin ajo e çon fëmijën e saj se nuk do të pranohet nëse nuk merr vaksinën MRP.

“Fëmija im është 18 muajsh dhe nuk është vaksinuar sepse edhe unë dhe mjeku kemi vlerësuar se në atë momentin nuk kishte qenë e shëndetshme për të marrë vaksinën. Udhëheqësja e kopshtit më tha se sot, megjithëse ekziston ndalesa, ata do të kenë mirëkuptim dhe do ta pranojnë fëmijën, sepse prindërit nuk munden që për gjysmë dite, të gjenden dhe ta japin fëmijën në përkujdesje në ndonjë vend tjetër. Por theksoi se nesër, sipas rekomandimeve të Ministrisë së shëndetësisë, do të duhet të marr një kopje të faqeve në librezën shëndetësore nga kalendari për imunizim dhe se do ta pranonin vetëm në bazë të kësaj. Planifikoj ta vaksinoj, e kuptoj seriozitetin e krejt kësaj pune, por mendoj se krejt kjo duhet të organizohet më mirë, pasi shumë prej nesh nuk kanë një alternativë apo ndihmë për përkujdesjen e fëmijëve. Tjetër gjë që duhet të sqarohet është nëse duhet të dëgjojmë mjekët të cilët thonë se pas marrjes së vaksinës fëmija duhet të jetë në shtëpi dhe nën mbikëqyrje, ose, është e sigurt të fillojë  menjëherë të shkojë në kopsht – thotë Elena S. ..

Dje, Ministria e shëndetësisë shpalli epidemi të fruthit në nivel të Shkupit për shkak të 12 rasteve të reja. Ministri Venko Filipçe tha se gjashtë nga rastet e reja janë konfirmuar përmes analizave laboratorike. Kjo u përcoll me ndalesë për dërgim në kopshte të fëmijëve të cilët nuk kanë marrë vaksinën MRP.

– Të gjitha rastet e reja janë persona të pa vaksinuar me vaksinën MRP. Kjo është arsyeja pse u shpall epidemia e fruthit në Shkup dhe jemi të detyruar të marrim masë të përkohshme – ndalesë për pranim të fëmijëve të cilët nuk janë vaksinuar në kopshte – tha Filipçe.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button