Sot do të realizohet takimi Zaev-Kasami, ASH-ja hesht

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev dhe kryetari i njërit fraksion të Lëvizjes BESA, Bilall Kasami sot do të realizojnë takim, në të cilin do të bisedohet për kërkesat e këtij të fundit si kusht për votën “për” për ndryshimet kushtetuese, transmeton Portalb.mk.

Takimi do të mbahet në ora 16:00 në Qeverinë e Maqedonisë.

Meqë votën “për” nuk e garantuan as nga Aleanca për Shqiptarët me kryetar Ziadin Sela, nga kjo parti edhe pse të pyetur, nuk përgjigjen se: “A do të ketë edhe takim Zaev-Sela dhe cilat janë kërkesat e tyre për votën “për” për ndryshimet kushtetuese”.

LEXO: 80 votat për ndryshimet kushtetuese, Zaev: Numrin përfundimtar do ta dimë në ditën e votimit

Kryeministri Zaev, dje deklaroi se takimi do të realizohet që të bisedohet për atë për çfarë lideri Kasami mendon se duhet të flitet për ndryshimet kushtetuese.

“Unë jam duke vazhduar bisedimet me të gjitha partitë, kështu do të realizoj takim edhe me zotërinë, Bilall Kasamin, ku do të flasim për atë që ai mendon se duhet të flasim. Por mu më vjen mirë që kemi dy parti politike, që janë nga opozita shqiptare, siç është Besa e udhëhequr nga Bilall Kasami dhe Aleanca për Shqiptarët e udhëhequr nga Ziadin Sela, se kemi përkrahës të mëdhenj të proceseve integruese të Maqedonisë në NATO dhe BE, dhe kjo do të thotë se me nga ata presim përkrahje”, tha Zaev

Takimin e kanë konfirmuar edhe nga partia me kryetar Kasamin, dhe shtuan se fakti se ka bisedime dhe dialog, nuk duhet të paragjykojmë se nuk do të pranohen kërkesat që Besa i paraqiti si kusht për dy votat e saja “për” ndryshimet kushtetuese.

“Po do ketë takim mes kryetarit Kasami me kryeministrin Zaev. Do bisedohet për propozimet e Lëvizjes Besa rreth ndryshimeve kushtetuese. Fakti qe ka biseda dhe dialog nuk duam te paragjykojmë se nuk do pranohen kërkesat e Lëvizjes Besa”, tha zëdhënësi i BESA-s, Elmedin Memishi.

Siç sqaroi ai, kërkesat kanë të bëjnë: “Me ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe funksional, dhe duke pasur të gjitha argumentet në anën tonë, besojmë se këto amendamente do të pranohen”.

Përndryshe, ky takim vjen pasi që lideri Kasami deklaroi se: “Nëse Zaev nuk ka vesh për kërkesat e Besës, le të kërkojë vota tjera për ndryshimet kushtetuese”.

Se do të votojnë “për” ndryshimet kushtetuese nuk kanë garantuar as nga ASH-ja.

“Kemi sinqerisht dilema të mëdha se si do të votojmë në lidhje me ndryshimet kushtetuese, këtu punohet për dy çështje të cilat janë njësoj të rëndësishme për shqiptarët – edhe inkuadrimi i Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian, por mos i harrojmë se shumë i rëndësishëm për ne është edhe statusi i shqiptarëve, andaj kemi dilema shumë shumë të mëdha, të cilat do t’i vendosin organet partiake”, tha sekretari i përgjitshëm i ASH-së, Arben Taravari.

Përndryshe, të mëdha janë pritjet në politikë, të cilat bazohen në pyetjen a do të pranohet Marrëveshja e Prespës me të cilën parashihet ndryshim i emrit të shtetit në Republika e Maqedonisë Veriore, e për të cilin Kuvendi duhet të vendoset kah mesi i muajit janar të vitit 2019.

Sipas paralajmërimeve nga NATO, nëse marrëveshja miratohet, Maqedonia do të bëhet anëtarja e 30-të e aleancës që në fillim të vitit të ardhshëm. Negociatat për anëtarësim tash më kanë filluar dhe pritet të përfundojnë në janar 2019.

Planet e Qeverisë edhe në lidhje me anëtarësimin në Bashkimin Evropian janë ambicioze. Pritet viti i ardhshëm 2019 të jetë viti kur Maqedonia do t’i fillojë negociatat për anëtarësim në BE. Pritjet e këtilla bazohen në finalizimin e obligimeve nga Marrëveshja e Prespës, për realizimin e asaj që është hartuar nga Plani 18 dhe para se gjithash në deklaratën e euro-komisionarit Johanes Han për kornizën kohore për aderim drejt Bashkimit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button