Kartëmonedhat ekzistuese 500 euroshe do të vazhdojnë të jenë të ligjshme

Banka Qendrore Evropiane (BQE) ka bërë të ditur se nga 27 janari i vitit 2019, 17 nga 19 banka qendrore kombëtare në eurozonë nuk do të prodhojnë kartëmonedha prej 500 eurosh, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim, BQE thekson se për të siguruar një tranzicion të qetë dhe për arsye logjistike, Gjermania dhe Austria, përkatësisht Deutsche Bundesbank dhe Oesterreichische Nationalbank, do të vazhdojnë prodhimin deri më 26 prill të vitit 2019.

“Kartëmonedhat ekzistuese prej 500 euro do të vazhdojnë të jenë të ligjshme, kështu që ju ende mund t’i përdorni si mjete për pagesë apo mjete për të shpenzuar. Në mënyrë të ngjashme, bankat, zyrat për këmbim dhe palët e tjera komerciale mund të vazhdojnë recirkulimin e 500 eurove ekzistuese”, tha BQE.

Më tej, BQE po ashtu bën të ditur se ashtu si të gjitha denominacionet e kartëmonedhave euro, kartëmonedha 500 euro gjithmonë do të ruajë vlerën e saj dhe mund të shkëmbehet në çdo kohë në një bankë qendrore kombëtare të eurozonës.

Në vitin 2016, BQE njoftoi se do të ndal me prodhimin e kartëmonedhave prej 500 euro, për shkak të “shqetësimeve se këto monedha lehtësojnë aktivitetet e paligjshme”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button