Një herë viktima të dhunës seksuale, tash viktima të padrejtësisë e stigmatizimit

Lufta e fundit në Kosovë përfundoi me mijëra të vrarë e të zhdukur, pasoja të cilat lanë gjurmë të pashlyera në kujtesën e shoqërisë kosovare. E një nga plagët më të rënda, që vazhdon të jetë e freskët edhe sot, është dhunimi seksual i mijëra grave e vajzave të reja, por edhe burrave. Konsiderohet se rreth 20 mijë gra e vajza patën fatin tragjik të jenë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

E tash, kur kanë kaluar 20 vite nga ajo kohë, këto gra po vazhdojnë të “dhunohen” në mënyra të ndryshme. Po, po vazhdojnë të dhunohen psiqikisht nga mendësia e ndryshkur në të cilën jeton kjo shoqëri, shoqëri që fajëson viktimat, që në vend të përkrahjes morale, ua shumëfishon dhimbjen duke i stigmatizuar për diçka që ndodhi kundër dëshirës e vullentit të tyre. Sepse nderi i shqiptarëve përkufizohet te një cipë e hollë!

Dinjiteti i këtyre 20 mijë grave u dhunua edhe kur disa deputetë të Kosovës propozuan ekzaminim mjekësor për t’ia njohur statusin e viktimës së dhunës seksuale, për një dhunim të ndodhur para 20 viteve! Sepse, sipas tyre, ky numër mund të rritet për shkak të përfitimit financiar. Ta lëmë anash anën jologjike të këtij propozimi, a mendoni se për një pension simbolik do të dilnin gra e të paraqiteshin si viktima të dhunës seksuale? Në një vend ku e dhunuara turpërohet e dhunuesi lirohet? Kush do ta shiste dinjitetin për një pension simbolik? Gratë tona të cilat janë rritur me mendimin se nderi i tyre ndodhet mes këmbëve? Jo, sigurisht që jo. Unë nuk e besoj. Por ata që vetë bëjnë gjithçka për para, e besojnë, sepse nuk shohin përtej hundës së tyre.

Nejse! U formua edhe komisioni për njohjen e viktimave të dhunës seksuale, e prej 20 mijë grave sa konsiderohet se janë viktima, as 1000 prej tyre nuk kanë aplikuar për këtë status. Ato po heshtin, sepse zëri i tyre po vazhdon të shtypet e dhunohet në shumë mënyra.

Integriteti i tyre po dëmtohet edhe në institucionet ku pretendohet të jenë edukuese e vetëdijësuese. Një “profesor”, në librin e tij shkruan se ‘viktimat e marrëdhënieve seksuale me dhunë zakonisht janë femrat që gënjehen lehtë, të pakujdesshme, mendjelehta dhe të përdala’. Mjafton t’i lexosh katër fjalitë e para të këtij citimi për ta parë formulimin jo logjik të këtij definimi. Prandaj, edhe fjalët e një personi të tillë nuk do duhej të merreshin seriozisht, por fatkeqësisht, me atë libër janë arsimuar gjenerata, të cilëve u është ngulitur në kokë se viktima është fajtore. Kjo lëndon dhe goditë viktitmat e dhunes seksuale, të cilat i mundon edhe ndjenja e një faji që kurrë se patën.

Nejse! I shpallën heroina e ndërtuan edhe lapidar për këto gra, por në realitet i trajtojnë krejt ndryshe. I ofrojnë përkrahje në rrjetet sociale, e kur ato flasin, prapë gjejnë hapësira për t’i kritikuar.

Vasfije Krasniqi Goodman së fundmi foli publiksht mes lotësh për dhunën seksuale që përjetoi gjatë luftës në Kosovë. Por prapë, ajo u kritikua pse pranoi një dekoratë nga Presidenti i vendit, president që mbase ajo nuk e njeh mirë, meqë u largua para shumë vitesh nga Kosova. Pra, edhe kur heshtja thyhet, zëri i tyre vazhdon të “dhunohet”. Sepse ky shtet nuk i do gratë! Vasfija e mijëra gra të tjera u “dhunuan” kur deputetët që kërkuan ekzaminimin e tyre, sot pozuan krah tyre, kinse po i përkrahin. Ironi!

Por ky shtet, ky popull, këta pushtetarë nuk e dinë që këto gra janë shumë të forta, pavarësisht dhunës që përjetuan. Ato nuk kanë nevojë për dekorata e pensione qesharake, sepse, siç tha Vasfija, duan drejtësi e mbrojtje ligjore. Atyre iu duhet përkrahje morale. Nëse nuk mund t’ua ofroni këto, lërini të qeta, e paragjykimet mbajeni për vete.

Kjo liri atyre u kushtoi shumë, andaj mos i izoloni me paragjykimet e stigmatizimet tuaja. Bëhuni zëri i tyre e ndihuni krenarë më to, që pavarësisht stigmave, po guxojnë ta shpalosin të vërtetën e dhimbshme.

Por, kujt po i flas në fakt? Harrova që ky shtet ndihet krenar me gratë vetëm kur marrin çmime ndërkombëtare! Ky (pu)shtet që fajëson viktimën ani pse nuk e mbron.

Por zërat si Vasfija nuk do të heshtin. Sepse njerëzit shuhen, por jo edhe e vërteta. Publikisht ose në kushte anonimiteti, ato do të vazhdojnë të flasin, sepse pavarësisht stigamitizimit që u bën ky shtet, ato do të sakrifikojnë për hir të së vërtetës. Ato do të vazhdojnë të flasin… deri në drejtësi!

—-

Ky shkrim është fitues i garës për ese me temë “Çështja e të mbijetuarëve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë” mbështetur nga Fondacioni Jahjaga.

Burimi: sbunker.net

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button