GJUHA JONË

Si ndjehem? Ku ta di unë… Kurrqysh nuk ndjehem… Ndjehem i vetmuar…

Kam nevojë t’u jap zemër të rinjve ta thonë zëshëm të vërtetën, sepse ajo është rruga e vetme… E vetmja… që mund të na shpijë përpara, mos të them të na nxjerrë nga situata ku jemi: probleme me pozitën e gjuhës shqipe, probleme me lumin e pandalshëm të emigrimit të rinisë sonë, fshatrat e mbetura shkretë, ambientin tonë dikur të pastër si pika e lotit, sot i helmuar mbi tokë e nën tokë, në ajër e në ujë, të dhënat e mëdha për shërbimet komunale e pagesa të tjera të planifikuara dhe të paparashikueshme. Dua t’i mbështes me krejt forcën time ta mësojnë mirë shkathtësinë e demokracisë, jo të bëjnë eskivazha. Ky mendim më sillet në kokë vazhdimisht dhe mundohem ta shtjelloj mirë, që të jem i qartë se çfarë dua t’u them. Nuk mundem të tëra këto t’i përfshij në listën time të qëllimeve të mia. S’ka fjalë, duhen të gjitha këto të zgjidhen, por më mirë, mendoj unë, është të vihet një rend me përparësi. Të shkojmë më së pari me gjuhën. Mendoj se është problemi më i rëndësishëm. Dhe, unë jam thellësisht i bindur se gjuha është problemi ynë kryesor, se është problemi ynë numër një jetësor, se është problemi me qenë ose mos me qenë. Nuk e kuptoj se gjithmonë politikanët tonë e lënë problemin e gjuhës të mbetet për më vonë, “për kohë të tjera”…

Duke pasur parasysh makinerinë propaganduese të të gjitha shteteve ballkanike që janë formuar para Shqipërisë e cila, si dje edhe sot e nxit urrejtjen e paparë për gjuhën tonë, duke pasur parasysh edhe indolencën e shteteve shqiptare për pozitën e gjuhës shqipe këtu, veçmas kur e kam parasysh neglizhencën e faktorit politik shqiptar te ne, ideja ime duket si një mison i pamundshëm. Por, meqë kam vendosur të flas do të flas dhe do të bëj përpjekje të vazhdueshme që pozita e gjuhës shqipe këtu dhe barabarësia e saj me gjuhën “zyrtare” (ç’term anakronik -zyrtare për këtë shekull!) të jenë përparësitë e brezit të rinj të intelektualëve dhe veçmas e gazetarëve dhe politikanëve.

Fatkeqësisht ndjehem i vetmuar në këtë punë…

Ju mund të thoni se ta ngresh zërin për mbrojtjen e gjuhës shqipe është sikur të dalësh e të bërtasësh në shkretëtirën e pafund, se askush nuk ta dëgjon fjalën dhe përfundimi do të jetë ai nga fushata e grave të akademisë, të cilës askush institucionalisht nuk iu përgjigj. Unë them me plot gojën se nuk është ashtu. E di se do të ketë sukses kjo nismë nëse të gjithë intelektualët e marrin seriozisht këtë punë, pra të flasim e të shkruajmë vazhdimisht. Nëse themi se nuk heqim dorë nga gjuha jonë, nuk do të heqim. Nëse heshtim, atëherë na pret e zezë dita.

Kjo është detyrë vetëm jona. Askush nuk do të na e zgjidhë problemin e përdorimit publik, me gojë e me shkrim të gjuhës sonë, ashtu si është zgjidhur përdorimi i serbishtes, ta zëmë në Kosovë. As faktori i jashtëm, as do të kemi ndihmë nga Shqipëria, as do të na shtrijë dorë dikush tjetër. Ne vet duhet ta bëjmë punën qetas, pa e ngritur temperaturën e grave të akademisë, por me fakte, me argumente dhe me vendosmëri.

Këtë punë duhet ta bëjmë të gjithë duke u dhënë material politikanëve me penën e studiuesve dhe të gazetarëve dhe, fundja, edhe duke i detyruar në njëfarë mënyre sepse ata janë në kolltuqet politike në saje të votës sonë. Dhe pikërisht politikanëve tonë duhet t’ua bëjme me dije me tërë seriozitetin faktin se gjuha shqipe është gjithçka për ne. Jeta jonë fillon me fjalën e parë shqipe që e kemi dëgjuar nga nënat tona. Në këtë gjuhë është ngritur kështjella jonë epike, në këtë gjuhë janë kënduar këngët më të bukura erotike, në këtë gjuhë është ruajtur kujtesa kolektive, në këtë gjuhë ka shkruar Jeronim De Rada, ka shkruar Naimi, Mjeda dhe në këtë gjuhë përfundimisht shkruan Ismail Kadareja. Këtë gjuhë ne e kemi derë hyrëse, ku ka hyrë çdo ças gëzimi, ku për ditë të verës bëhen ceremonitë e lashta, kurse brenda saj është urtia e pleqve tanë, janë dasmat që dikur janë bërë ditën e enjte, ditën e Zeusit, janë ninulat, janë vajtimet, janë fjalët e dashurisë. Kjo gjuhë nuk ka derë dalëse, sepse jashtë kësaj gjuhe ne nuk jemi, ose jemi të zhbërë, të zhdukur. Dera hyrëse është ajo që prapa vetes e ka kullën, ku nëna e Zef Sermbes ia ka mësuar të birit të saj fjalët: të dua, biri im! Ku e kalojmë jetën tonë shqip.

Do të kisha dashur të punojmë të gjithë së bashku, pa prekur interesat e të tjerëve, por ta mbrojmë interesin tonë: gjuhën tonë që me shekuj është djepi ynë. Është hapësira më e shenjtë jona.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button