Dhjetë blerjet më të mëdha në histori të afateve të janarit, nga Coutinho te Van Dijk e Mata

Kur kemi hyrë zyrtarisht në afatin kalimtar të janarit, këto janë dhjetë transferimet më të mëdha të ndodhura në histori të këtij mini-afat, ku ndodhi shumë transferime.

Afati kalimtar i janarit shpeshherë është thikë me dy tehe për skuadrat, pasi nuk kanë asnjë garanci se transferimi i tyre, qoftë edhe ‘bombë’ do të ‘ndezë’, transmeton Telegrafi.

Kështu, ka ndodhur vite me radhë pasi edhe pse janë paguar shifra të mëdha për transferime, ato nuk kanë arritur t’i shpaguajnë paratë e paguara dhe kanë dështuar.

Por, ka edhe nga ato transferime si ai i Virgil Van Dijk apo edhe ato të Aymeric Laporte dhe Pierre-Emerick Aubameyang që kanë qenë të qëlluara.

Bazuar në çmimet e faqes së specializuar të transferimeve Transfermarkt, Telegrafi ua sjell 10-të transferimet më të shtrenjta në histori në afatet kalimtare të janarit.

10.Andy Caroll – Nga Newcastle te Liverpooli për 41 milionë euro

Renditja e dhjetë transferimeve më të shtrenjta në afatin e janarit nis me një blerje të dështuar.
Është sulmuesi anglez Andy Caroll, i cili u transferua nga Liverpooli për 41 milionë euro, por që shënoi vetëm gjashtë gola nga 44 ndeshje.

9.Jackson Martinez – Nga Atletico Madrid te Guangzhou për 42 milionë euro

Martinez u ble në verën e 2015 nga Atletico Madridi për 35 milionë euro, ndërsa gjashtë muaj më vonë u shit te Guangzhou Evergrande për 42 milionë euro.
Ky doli të jetë një biznes i madh për klubin spanjoll, pasi pati plusëvalencë, por për klubin kinez doli një dështim pasi nuk ka justifikuar aspak shifrën e paguar.

8.Juan Mata – Nga Chelsea te Manchester Unitedi për 44.7 milionë euro

Londinezët e blenë Matan nga Valencia në vitin 2011 për 26 milionë euro, por trajneri Jose Mourinho e konsideroi të panevojshëm dhe ia shiti Manchester Unitedit për thuajse 45 milionë euro në janar të vitit 2014.
Më pas portugezi shkoi te Unitedi pas disa vitesh, por befasisht e kuptoi se Mata është lojtar me vlerë dhe shpeshherë ishte pjesë e rëndësishme të ekipit të tij.
Special One tashmë është larguar, ndërsa Mata është ende në Old Trafford.

7.Alex Teixeira – Nga Shakhtar Donetsk te Jiangu Suning për 50 milionë euro

Ka luajtur vetëm në Brazil te Vasco dhe në Ukrainë te Shakhtar Donetsk, por kushtoi plot 50 milionë euro.
Teixeira është lojtari brazilian për të cilin kinezët e Jiangsu Suning shpenzuan një mal me para në vitin 2016, por ai nuk justifikoi paratë e paguara pasi shënoi vetëm 32 gola në tri vite në Kinë, teksa skuadra nuk arriti të fitojë asnjë trofe.

6.Fernando Torres – Nga Liverpooli te Chelsea për 58.5 milionë euro

Ylli spanjoll u largua për te Chelsea në janar të vitit 2011 për plot 58.5 milionë euro.
Megjithatë, Torres nuk arrti të tregojë as gjysmën e formës dhe nivelit të treguar te Liverpooli, pasi në Londër rezultoi një dështim.

5.Oscar – Nga Chelsea te Shanghai për 60 milionë euro

Në vitin 2016 klubi londinez e shiti mesfushorin brazilian, Oscar, për 60 milionë euro.
Braziliani përfundoi në Kinë, duke firmosur një kontratë ëndrrash në Shanghai, por nuk arriti t’i përmbush pritshmëritë e klubit kinez pasi në fillim të aventurës u dënua për tetë ndeshje mos-lojë shkaku i një kacafytje.

4.Pierre-Emerick Aubameyang – Nga Borussia Dortmund te Arsenali për 63.75 milionë euro

Sulmuesi nga Gaboni renditet në vendin e katërt të blerjeve më të shtrenjta në afatin kalimtar të janarit, pasi me kërkesë të Arsene Wenger, Aubameynag u pagua plot 63.75 milionë euro.
Aubameyang ka treguar nivel të lartë në aspektin individual pasi ka shënuar rregullisht në këtë një vit me Arsenalin, por klubi ende nuk është në nivelin më të lartë të skuadrave tjera angleze.

3.Aymeric Laporte – Nga Athletic Bilbao te Manchester City për 65 milionë euro

City pagoi klauzolën e kontratës së baskut për të transferuar në Etihad mbrojtësin Laporte, i cili renditet në vendin e tretë për blerjet më të shtrenjta të janarit.
Megjithatë, Laporte ka dalë transferim i qëlluar për klubin anglez, pasi është bërë titullar i padiskutueshëm i mbrojtes së Pep Guardiolas, duke formuar një dyshe të fortë me anglezin John Stones.

2.Virgil Van Dijk – Nga Southamptoni te Liverpooli për 78.8 milionë euro

Në vendin e dytë të blerjeve më të shtrenjta të janarit gjendet mbrojtësi më i shtrenjtë në histori, Van Dijk.
Holandezi u pagua afër 80 milionë euro nga Reds, por ka rezultuar transferim i qëlluar duke u bërë lider i mbrojtjes në skuadrën e Jurgen Klopp.
Me Van Dijk në mbrojtje, Liverpooli arriti deri në finale të Ligës së Kampionëve në sezonin e fundit, ndërsa këtë sezon janë lider të Ligës Premier.

1.Philippe Coutinho – Nga Liverpooli te Barcelona për 130 milionë euro

Blerja më e shtrenjtë e janarit është ylli brazilian Coutinho, i cili u pagua plot 130 milionë euro nga Barcelona në janar të vitit 2018.
Barcelona kërkonte një lojtar klasi për të harruar Neymarin dhe Ousmane Dembele nuk rezultoi goditja që pritej nga drejtuesit dhe për këtë u transferua edhe Coutinho.
Megjithatë, nuk mund të thuhet ende me bindje të plotë që braziliani i ka justifikuar paratë e shpenzuara, pasi Coutinho shpeshherë po mbetet rezervistë në formacionin e Ernesto Valverdes.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button