Çka pritet në vitin 2019: Tatim progresiv, kthim i TVSH-së, DAP-i do të “hedh sy” në llogaritë tona …

Po kalon vit turbulent në të cilin qytetarët e Maqedonisë ishin të nënshtruar ndaj skandaleve të papara politike, pasigurisë dhe stagnimit ekonomik. Megjithëse vetëm koha mund të tregojnë nëse do të ketë ndryshime pozitive në vitin 2019 ka disa momente ekonomike dhe politike për të cilat që tani mund të parashihen, e  të cilat do të kenë ndikim të rëndësishëm në jetën e përditshme, njofton Portalb.mk.

Është e sigurtë se prej 1 janar të vitit 2019 do të ketë tatimim progresiv prej 18 përqind për të ardhurat e personave të cilët kanë të ardhura personale mujore mbi 90.000 denarë. Sipas rregullores së re, nëse baza tatimore e një page individuale sipas ndonjë nga bazat që tatohet me shkallë progresive e tejkalon limitin prej 90.000 denarë, për pjesën mbi 90.000 do të paguhet tatim me shkallë më të lartë tatimore prej 18 përqind që në momentin e pagesës. Për shembull, nëse paguhet kompensim në bazë të kontratës për vepër prej 100.000 denarë, paguesi do të duhet të paguajë tatim të përgjithshëm prej 10.800 denarë (10 përqind gjegjësisht 9.000 denarë për pjesën që është deri 90.000 denarë dhe 18 përqind gjegjësisht 1.800 denarë për pjesën që e tejkalon pragun prej 90.000 denarë).

Po paralajmërohet edhe se prej 1 korrik të vitit 2019 do të ketë kthim të TVSH-së për qytetarët. Ky projekt duhej të kishte filluar nga muaji shkurt, mirëpo për shkak të përgatitjes së sistemit është prolonguar. Parashihet kthimi i 15 përqind TVSH të limitohet në 30.000 denarë në muaj.

Mbase një prej ndryshimeve më pozitive, që vitin e ardhshëm do të hyjnë në fuqi, janë ndryshimet e Ligjit për noteri dhe të Ligjit për përmbarim me të cilat zvogëlohen tarifat e noterëve dhe të përmbaruesve prej 50 deri 90 përqind. Në procedurat para noterëve, qytetarët do të çlirohen prej taksave gjyqësore dhe nga kompensimi për klauzolë për plotfuqishmëri dhe përmbarueshmëri, kurse shpërblimi për noterin do të jetë 10 përqind e borxhit kryesor, por jo më tepër se 500 denarë. Nëse borxhi është një mijë denarë, kompensimi për noter do të jetë 100 denarë. Nëse borxhi është 10 mijë denarë, kompensimi në vend të 1.000 denarë do të jetë 500 denarë. Për faturat për ujë, mbeturina dhe mirëmbajtje të hapësirave të përbashkëta në lartësi prej 6 mijë denarë, nuk do të nevojitet pjesëmarrje e avokatëve, si dhe për faturat për rrymë dhe ngrohje qendrore deri në 15 mijë denarë.

Gjithashtu zvogëlohen shpërblimet e përmbaruesve, me atë që vendoset kufizim që gjatë përmbarimit të urdhër pagesave për shpenzime komunale, shpërblimi të mos mund të jetë më tepër se 20 përqind të lartësisë së borxhit kryesor.

Vitin e ardhshëm hyjnë në fuqi ndryshimet e Ligjit për bankat me të cilat Drejtoria e të ardhurave publike do të mund të ketë qasje në të dhënat dhe informatat të cilat i kanë në dispozicion bankat vetëm në bazë të kërkesës me shkrim që parashtrohet për çdo person fizik veçmas. Ndryshimet kanë për qëllim t’ia lehtësojnë Drejtorisë së të ardhurave publike, e cila prej vitit 2019 do të fillojë të përpilojë fletëparaqitje tatimore për çdo obligues tatimor.
Të mëdha janë pritjet në politikë, të cilat bazohen në pyetjen a do të pranohet Marrëveshja e Prespës me të cilën parashihet ndryshim i emrit të shtetit në Republika e Maqedonisë Veriore, e për të cilin Kuvendi duhet të vendoset kah mesi i muajit janar të vitit 2019.

Sipas paralajmërimeve nga NATO, nëse marrëveshja miratohet, Maqedonia do të bëhet anëtarja e 30-të e aleancës që në fillim të vitit të ardhshëm. Negociatat për anëtarësim tash më kanë filluar dhe pritet të përfundojnë në janar 2019.

Planet e Qeverisë edhe në lidhje me anëtarësimin në Bashkimin Evropian janë ambicioze. Pritet viti i ardhshëm 2019 të jetë viti kur Maqedonia do t’i fillojë negociatat për anëtarësim në BE. Pritjet e këtilla bazohen në finalizimin e obligimeve nga Marrëveshja e Prespës, për realizimin e asaj që është hartuar nga Plani 18 dhe para se gjithash në deklaratën e euro-komisionarit Johanes Han për kornizën kohore për aderim drejt Bashkimit.

Fija e pasigurisë që ende ekziston në aspekt të Marrëveshjes së Prespës, nuk vlen për zgjedhjet presidenciale. Përkatësisht, në prill të vitit 2019 janë caktuar zgjedhje pas të cilave në vendin e Gjorgje Ivanovit do të ulet person tjetër.

Befasi mund të jetë vetëm realizimi i “lajmërimeve turpshme” për zgjedhje të mundshme të kryetarit në Kuvend nëse nuk arrihet konsensus në zgjedhjet presidenciale, që padyshim do të ishte edhe një risi për të cilën do të mbahet mend viti 2019.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button