Shteti në ‘Pazarin Kozmopolit’‎

Jetojmë në një kohë të pikëpyetjeve të shumta lidhur me ardhmërinë e njerëzimit dhe të ‎botës. Gardianët tradicionalë të rendit global hoqën dorë nga mbrojtja e tij (Ischinger). Siria po digjet, ‎Lindja e Mesme vlon, Trumpi sfidon, ksenofobitë e djajthtizmat europianë po ringjallen, Kina zgjohet, ‎bota dridhet (parashikuar qysh nga Napoleoni), eko-sistemi global dita-ditës po çekuilibrohet… Flitet ‎për rend global, ndërsa krizat e kaosi po duken si fjalë kyç të shekullit të ri, ndonëse fillimshekujt duhet ‎të jenë sihariques.‎

‎ Vepra e profesorit, mendimtarit, ish-presidentit të Shqipërisë, Rexhep Meidani, Rendi ‎global dhe shteti komb (Mileniumi i Ri, Tiranë, 2018, 572 fq.), është një studim të vëllimshëm ‎sociologjik dhe politologjik që merret me çështjen shtetit nacional në rendin planetar-mondial, me ‎etninë  e kombësinë, me gjuhën, kulturën e identitetin kulturor, analizon skenare deprimuese për ‎marrdhëniet ndërkombëtare si përplasja e qytetërimeve, pazaret kozmopolite (f. vi) etj. Në pjesën e ‎parë, autori analizon qytetërimet, nga të hershmet (sumer, pers, egjiptian, kinez, hindu, maja), atë ‎grek, romak, ilir, mysliman, për të arritur te ai europian bashkëkohor. Në pjesën e dytë Meidani ‎shqyrton rendin dhe qeverisjen globale, institucionet globale politike, ekonomike, social-kulturore, ‎OKB-në, të drejtën ndërkombëtare, problemet e rendi global si përgjegjësitë bashkësisë ‎ndërkombëtare, pavarësia relative dhe ndërvarësia absolute, fuqia e fortë dhe ajo e butë, trinomi ‎shkop-karrotë-përqafim, sekularizmi dhe feja, të drejtat e njeriut, valët e demokracisë, shkëputja, ‎secesionizmi dhe separatizmi, gjuha dhe identiteti kombëtar, duke arritur deri te imponimi politik i një ‎gjuhe, çështja e dyshes globalizmi-atomizmi, pranvera arabe etj. Autori zbërthen edhe një problem të ‎shoqërisë moderne-perëndimore, shoqëria e përzier, pluralizmi kulturor, getoizimet e migrantëve, ‎dilema integrim-asimilimi, kombi qytetar apo etnik (f. 127) e kështu me radhë. Përmes gojës së ‎Miterrand tërheq vërejtjen për kontradiktat dhe paudhësitë e kohës: “Qytetërimi është afër ‎barbarisë.” (f. 77) Ndër temat e elaboruara është edhe ajo e shtetit të mirëqenies sociale,  me ‎elemente të altruizmit, por që s’është identik me të, që moralisht dhe ekonomikisht krijon tërheqje ‎për nga poshtë, jo rrallëherë edhe “orekse” të padrejta. Autori merret edhe me politikën ‎panshqiptare në kontekstin e shekullit XXI, “Shqipërinë Etnike” apo “të  Madhe”, me populizmin dhe ‎të djathtën ekstreme në shtetet europiane, politikat antiemigracion, ksenofobinë (f. 180), çështjen ‎kruciale të Trumpit “America first” (Amerika e para). Ai sikur dëshiron të thotë se vetë duhet t’i ‎zgjidhim problemet e kohës, citon një thënie spanjolle: “Udhëtar, rrugë nuk ka. Rrugët janë bërë duke ‎ecur.” (f. 191) Ai detekton një fakt të kalimit nga periudhët e luftërave të shenjta në atë të “eksportit ‎të demokracisë” (f. 224), që është në shërbim të kapitalistëve, bankierëve dhe tregtarëve të ‎mëdhenj. Meidani mbështet pohimin e Kissingerit se sfida e politikës së sotme është “shndërrimi i ‎fuqisë në konsensus”, duke ndajshtuar se politika globale nuk duhet të jetë e drejtuar kundër ndonjë ‎vendi apo doktrine, por kundër urisë, varfërisë, dëshpërimit dhe kaosit (f. 261), se duhet t’i shmangë ‎luftërat e pista (la sale guerres) (f. 297) përmes bashkëveprimit, afirmimit të vlerave gjithënjerëzore, ‎të kuptuarit se një shtet është sa i madh, po aq edhe i vogël, se besimi dhe familja, jo qeveria dhe ‎burokracia janë në qendër të jetëve tona (f. 558), se s’mund të ketë lumturi përderisa nuk ka një ‎ekonomi morale të tregut, metakapitaliste, mjaft më sociale (f. 565). Në këtë drejtim rol të ‎rëndësishëm ka edhe qytetari global, që në çdo vend të botës së atomizuar do të klithë: Civis sum! ‎‎(Unë jam qytetar), me çka i afrohet konceptit kantian për ligj dhe qytetari globale. ‎

Teksti përmban edhe të dhëna dhe analiza historike e antropologjike, detektim ndërveprimesh ‎qytetërimore, vështrime komparative…  Libri pas çdo kapitulli ka literaturën-referencat që e rrisin ‎cilësinë e tij, e bëjnë një tekst serioz dhe të sugjerueshëm edhe për katedrat universitare. Një e metë ‎e librit është metoda kryesore, ajo deskriptive, pra të dhënat janë si një shirit enciklopedizmi. Në libër ‎ka edhe shkarje si ajo për pjesëtarët e një qytetërimi që sipas autorit “jetojnë në të njëjtin territor të ‎dhënë”, që nuk përkon me realitetin sepse qytetërimet janë kategori kozmopolite, kështuqë ‎pjesëtarët e një civilizimi mund të jenë të shpërndarë në katër anët e botës (p.sh. civilizimi kristian në ‎Brazil dhe Kore, islami në Indonezi dhe Shqipëri, budizmi si kulturë e re në vendet europiane). Një ‎gabim tjetër është ai i cilësimit të civilizimit islamik si arab, që shpërfaq një qasje reduksioniste, sepse ‎qytetërimi islam është shumë më i madh se sa ai arab, aty ka “mëlmesa” e kontribute kulturore të ‎popujve, kombeve, gjeografive të ndryshme të globit. Për ta lexuar këtë libër duhen lexime ‎paraprake, durim për maratonë këndimi.‎

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button