Rexhepi: Deri në vitin 2025, shumica e qyteteve dhe komunave do të gazifikohen

Qeveria paralajmëron aktivitete ndërtimore të shtuara për ndërtimin e gazsjellësit në vitin 2019, dhe për këtë qëllim në buxhet janë ndarë 1 miliardë e 557 milionë denarë. Drejtori i Burimeve të Energjisë të Maqedonisë  (MER), Bajram Rexhepi në një intervistë për Meta thotë se sistemi i transmetimit do të jetë operacional së shpejti. Stacioni matës-rregullues (SMRG) Shtip do të jetë në gjendje për të shërbyer gjatë tremujorit të dytë të vitit 2019. SMRG Negotinë gjatë tremujorit të tretë të vitit të ardhshëm, kur planifikohet lidhja e zonave TIZ në Shtip, në atë periudhë. Të gjitha stacionet e tjera në rajonin e Pellagonisë dhe Pollogut do të jenë në funksionim kah mesi i vitit 2020, transmeton Portalb.mk.

Qeveria e obligoi Ministrinë e ekonomisë të formojë një grup pune i cili do vendosë për modelin më efikas për zhvillimin e sistemit të distribuimit të gazit natyror në Maqedoni. I çfarë rëndësie është formimi i këtyre qendrave distributive për përshpejtimin e gasifikimit?

Projekti i gasifikimit është prioritet kyç në punën e kësaj qeverie. Ky grup pune do duhet t’i propozojë Qeverisë model për zhvillimin e rrjetit distributiv të gazit natyror në shtet, me qëllime dhe pritshmëri të definuara qartë, gjegjësisht të mundësojë kyçje deri tek çdo përdorues në të gjithë teritorin e shtetit si dhe të realizojë gasifikim të shpejtë dhe efektiv, veçanërisht në rajonet ku niveli i ndotjes së ajrit është alarmant.
Për arritjen e këtyre qëllimevе do duhet të sigurojmë kyçje me çmim të lirë deri tek çdo familje dhe konsumator, çmim të ulët për metër kub gaz, dhe t’u ndihmojmë amvisërive në adaptimin e instalimeve të mbrendshme nëpërmjet subvencionimit apo kredive të volitshme.

Sa qendra të tilla distributive janë të nevojshme, për çdo komunë, apo do funksionojë në nivel të rajoneve?

Ligji në fuqi për energjetikë mundëson treg liberal për operatorët distributiv të gazit natyror. Megjithatë, që të vijmë deri tek përgjigjja e pyetjes dhe për të realizuar qëllimet e përcaktuara, do duhet të analizojmë disa faktorë.Sipas studimit të fizibilitetit, investimi i përgjithshëm është vlerësuar të jetë rreth 250 milion euro. Duke parë fuqinë financiare të komunave tona, kuadrot profesionale që janë në dispozicjon dhe faktin se çdo komunë veçmas do duhet të ndërtojë qendra dispeçere, skada sistem për mbikqyrje, billing sistem, mirëmbajtje dhe një sërë harxhimesh të tjera fikse, unë personalisht, jam absolutisht i bindur se ajo nuk do funksionoje dhe nuk do arrihen qëllimet e pritura.
Duke parë praktikat më të mira europiane dhe arsyet pse ishte e pasuksesshme thirja në v.2013 për vendosjen e partneritetit publik privat (aso kohe janë ndarë tre zona koncesioni: lindor, perëndimor dhe rajoni i Shkupit), unë mendoj se duhet të vendoset partneritet publik privat me partner privat serioz, para së gjithash me eksperiencë të madhe, me fuqi financiare të madhe, i cili do ketë obligim ta zhvillojë rrjetin në të gjithë territorin e shtetit dhe të ketë obligim në afat prej 3-4 vitesh të mundësojë kyçje me çmim të lirë për çdo konsumator në rajonet më të ndotura, por paralelisht edhe në të gjitha qytetet në shtet. Njëkohësisht, duke mos e cënuar tregun e lirë, çdo operator tjeter i cili do të dëshirojë të ndërtojë dhe operojë me rrjetin distributiv në rajone apo qytete të caktuara, t’i mundësohet në kuadër të ligjit.

Ndërtimi i aksit Shkup-Gostivar ështe i rëndësishëm edhe për linjën e interkoneksionit me Greqinë dhe për të tashmë keni aplikuar për grant bashkë me Greqinë, gjegjësisht me operatorin grek. Cilat do jenë dobitë për shtetin dhe çfarë rëndësie ka kjo linjë për ne?

Ndërtimi i linjës interkonektive me Greqinë është prioriteti numër një për ne, për shkak të diversifikimit dhe konkurencës mes burimeve tona furnizuese me gaz natyror. Të qartësojmë se me ligjin e ri për energjetikë dhe detyrimit për ndarje të veprimtarive,operimi me rrjetet distributive nuk është në ingerencat tona, por është shumë i rëndësishëm për ne, që të mos vijmë në situate ku pas investimit të një shume të madhe, të mos ketë kush ti shfrytëzojë shërbimet dhe infrastrukturën tonë për përçim të gazit natyror. Jam optimist se deri në fund të vitit të ardhshëm do përfundojmë me projektimin e linjës interkonektive, studimet e nevojshme dhe ashtu me rradhe, dhe të sigurojmë leje ndërtimi. Gjithsesi do të përmbyllet konstruksioni finansiar që të mund të shpallet thirje për angazhimin e operatorëve për ndërtim dhe pritshmëria reale është që deri në fund të v.2022 ky interkonektor të jetë operativ.

Për aksin Shkup-Gostivar paralajmëruat se duhet të përfundojë kah funi i vitit të ardhshëm apo fillimi I v. 2020, për shkak të paraqitjes së nevojës për një numër të madh ndryshimesh gjatë ndërtimit. Për çfarë ndryshime konkretisht bëhet fjalë?

Është e vërtetë se në këtë llot u paraqit nevoja për disa ndryshime të domosdoshme të trasës, gjegjësisht ndryshime që janë të natyrave të ndryshme. Njëra ndër ta është ndryshimi i trasës në Vodno, për shkak të kërkesave të shoqatave të qytetarëve. Të tjerat kanë të bëjnë me faktin se pas definimit të trasës, deri në fillimin e realizimit në terren, më shumë komuna sjellin plane të detajuara të urbanizmit, japin leje ndërtimi, legalizime, koncesione në vetë trasën dhe ashtu me rradhë.

Kur priten rezultate konkrete nga gjithë këto aktivitete rreth gasifikimit që paralajmëruat se do përfundojnë në vitin që vjen dhe rreth mesit të v.2020? Gjegjësisht, kur do gasifikohen amvisëritë dhe kompanitë?

Sistemi ynë përcjellës do jetë i operueshëm së shpejti. SMRG Shtip do mund të shërbejë gjatë kuartalit të dytë të v.2019. SMRG Negotinë gjatë kuartalit të tretë. Në atë periudhë planifikojmë ta kyçim edhe ZZTI Shtip. Të gjitha stacionet tjera, në rajonin e Pellagonisë dhe Pollogut do jenë operative deri në mesin e v.2020. Është shumë e rëndësishme të kemi operatorë seriozë për distribucion, që deri atëherë të përfundojnë me projektim dhe të posedojnë leje ndërtimi, që të mund të fillojnë me aktivitete ndërtimi. Jam optimist se gjatë v.2020 do të nisin aktivitetet ndërtimore në pjesën më të madhe të qyteteve dhe komunave, dhe deri më v.2025 të gjitha qytetet dhe komunat do jenë të mbuluara. Përveç dobive ekonomike, krejtësisht do zgjidhet edhe problemi me ndotjen e ajrit.

A do e caktojnë vetë komunat tarifën për kyçje me gaz? Për shembull, në Komunën e Kumanovës shuma ishte 800 euro, por me subvencione nga komuna çmimi për kyçje të amvisërive u ul në 650 euro. Ky çmim është i lartë për një familje me të ardhura mesatare. Si do të gjenden mënyra që gazi të jetë i disponueshëm për qytetarët?

Jo. Ajo nuk është në ingerencë të komunave. Tarifën për përçim deri tek operatorët distributiv e cakton komisioni rregullator, kurse tarifa për kyçje do mvaret nga kushtet e tregut. Sa për krahasim, çmimi mesatar për kyçje në vendet e rajonit është dhjetë fish më i ulët sesa në Strumicë dhe Kumanovë. Sipas metodologjisë për përllogaritje të këtij çmimi, rritja e sasisë apo e numrit të përdoruesve do ndihkojë drastikisht në uljen e çmimit.

Në buxhet janë paraparë mjete për eksproprijim, a do të thotë se janë tejkaluar të gjitha problemet e këtij lloji dhe cilat do të ishin pengesat që do sjellin në zgjatjen e afateve?

Është bërë gabim i madh kur në v.2017 nuk janë ndarë mjete për eksproprijim. Prandaj në v.2018 dhe 2019 kemi paraparë mjete për eksproprijim. Unë gjeta situatë me asnjë lëndë të zgjedhur për eksproprijimi, a kemi mijëra lëndë të tilla. Jam i kënaqur me rrjedhën e zgjidhjes së lëndëve të eksproprijimit në 6- 7 muajt e fundit. Në Llot 2 ( Negotinë – Manastir) janë realizuar mbi 80% të lëndëve të eksproprijimit dhe pres që së shpejti të realizohet edhe pjesa tjetër. Në llot 5 për shkak të numrit të madh të lëndëve, si pasojë e ndyshimeve dhe ngecjeve në disa institucione, kemi tempo më të ngadalësuar të realizimit. Pjesa më e madhe e pengesave tashmë janë tejkaluar dhe presim që edhe në këtë llot së shpejti ta kryejmë eksproprijimin.

Sipas aktivistëve për mbrojtjen e Vodnos, atje punohet pa vendim të plotfuqishëm për ndryshime gjatë ndërtimit, për shkak se trasa e sapo projektuar akoma nuk është miratuar. Sipas cilës trasë punoni, të resë apo të vjetrës?

Po vazhdojmë të përsërisim të njëjtën disa here. Leje ndërtimi kemi për të gjithë projektin. Ndryshimi në vodno i përket segmentit nga kilometric 20 deri në kilometrin 24. Ne atje nuk punojmë deri sa të sigurojmë leje të re ndërtimi qe i përket segmentit të ndryshuar, me të cilën do të pajisemi së shpejti. Në vodno hapëm trasën nga kilometri 24-27, dhe plani ishte të hapet edhe nga kilometri 17-19, por për të arritur maqineritë e ndërtimit deri ne kilometrin 19, në terren u paraqit nevoja për rrafshim të terenit në disa pjesë. Maqineritë kanë qarkulluar në trasën e re për të cilën presim leje, dhe jo nëpër trasën e vjetër për të cilën posedojmë leje ndërtimi sipas projektit bazik. Këtë e planifikuam për shkaqe praktike, që të mos rrafshojmë në trasën e vjetër e cila nuk do të përdoret. Këtu ishte keqkuptimi me aktivistët, që për mua është joracionale, por megjithatë vendosëm të presim pajisjen me leje për ndyshimin. Të cekim edhe një herë, Vodno jo vetëm që nuk do dëmtohet por edhe do të perfitojë shumë nga ky projekt.

Kush bën kontrollin si punohet, a ka mbikqyrje mbi punimet në Vodno?

Sigurisht që ka. Mbikqyrja është prezente në gjithë rrjedhën e ndërtimit dhe në çdo lokalitet ndërtimi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button