Dyshohet në vërtetësinë e armëve të Skënderbeut në Muzeun e Vjenës

Dr. Frederik Stamati, restaurues objektesh antike dhe historike shqiptar po punon për të zbardhur të vërtetën rreth dyshimeve që janë hedhur më parë për origjinalitetin e shpatës së Skënderbeut, e cila ndodhet në Muzeun Historik të Artit në Vjenë. Së bashku me përkrenaren e famshme me brirë të dhisë, ajo do t’i huazohet Tiranës për ekspozim nga ky muze, në kuadër të shënimit të 100-vjetorit të Pavarësisë.

Mediat shqiptare kanë cituar shefin e Laboratorit të Arkeometrisë dhe Restaurimit në Shqipëri, Stamati të thotë se studimi i tij, është teknik dhe jo historik, dhe do të zbardhë një sërë çështjesh, të cilat nuk janë thënë ndonjëherë dhe do të ndihmojnë variantet e vërtetësisë së tyre.

“Nuk e kam përfunduar ende këtë studim”, ka thënë Stamati.
Ai ka bërë të ditur se Muzeu i Vjenës disponon dokumentacionin e blerjes së këtyre armëve të Skënderbeut dhe se si janë trashëguar.

“Arsyet se pse ngrihet nga ndonjë person ndonjë dyshim mendoj se janë të karakterit dokumentar, që kërkojnë të rrisin sigurinë. Nganjëherë skeptikët të shtyjnë të ecësh përpara dhe bëjnë më shumë mirë se sa dëm, sepse i afrohesh më pranë të vërtetë, ndoshta pikërisht asaj. Unë për këtë po punoj”, ka thënë Stamati.

Ka qenë i pari Konica ai që kishte shprehur dyshimet për origjinalitetin e armëve të heroit kombëtar që ndodhen në Vjenë. E të njëjtën gjë e ka bërë edhe historiani Oliver Schmitt, i cili ka bërë një studim të thellë mbi Skënderbeun.

Dy shpata që ndodhen në Muzeun e Armëve në Vjenë – njëra e gjatë 90 centimetra dhe tjetra 31 centimetra – Schmitt, konsideron se nuk janë përdorur nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Ndryshe, pas shumë kërkesave të Shqipërisë, Muzeu Historik i Artit në Vjenë është bindur të japë leje për ekspozim në kryeqytetin shqiptar armët e heroit kombëtar. 

Premtimi për të lejuar sjelljen e këtyre eksponateve për ekspozim në Shqipëri, qe bërë nga ministri i Jashtëm austriak, Mikael Spindeleger, gjatë një takimi që zhvilloi me kryeministrin Sali Berisha në samitin e përvitshëm të Dubrovnikut, që u mbajt në Kroaci në fillim të këtij muaji.

Kërkesa për të sjellë në Shqipëri armët e Skënderbeut janë bërë disa herë që në kohën e Zogut, së fundi edhe në kuadër të 600-vjetorit të lindjes së Skënderbeut, mes një sërë aktivitetesh të rëndësishme, u fol edhe për mundësinë që Qeveria austriake t’i huazonte sa për ekspozim. Përgjigjja ka qenë gjithnjë negative, duke theksuar se rregullat e muzeut nuk e lejonin lëvizjen e objekteve të kësaj rëndësie që janë ekspozuar. Kjo do të jetë hera e parë e ekspozimit të tyre në Tiranë./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button