Lavrov: Rusia dhe Turqia arritën marrëveshje rreth hapave të ardhshëm në Siri

Rusia dhe Turqia kanë arritur marrëveshje për ndërmarrjen e hapave të ardhshëm në Siri, theksoi ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në takimin e sotëm në Moskë, në të cilin ishin të pranishëm zyrtarë të lartë rusë dhe turq të ministrive të punëve të jashtme dhe të mbrojtjes dhe këshilltarë presidencialë, është biseduar për tre tema kryesore lidhur me procesin paqësor sirian.

“Temat kryesore të takimit ishin gjetja e zgjidhjes për çështjet humanitare, duke përfshirë riatdhesimin e refugjatëve, gjendja në terren pas tërheqjes së forcave të SHBA-ve dhe nisja e procesit politik”, theksoi Lavrov.

Kryediplomati rus shtoi se: “U dakorduam rreth asaj se në cilën mënyrë përfaqësuesit ushtarakë të Rusisë dhe Turqisë të vazhdojnë të koordinojnë hapat e tyre në terren në kushtet e reja, me qëllim të çrrënjosjes përfundimtare të kërcënimit terrorist në territorin sirian”.

Lavrov tha se edhe Turqia edhe Rusia edhe njëherë theksuan respektimin pakusht të sovranitetit dhe integritetit territorial të Sirisë.

“Së dyti, janë parashikuar masa konkrete për të intensifikuar punën tonë të përbashkët në mënyrë që të krijojmë kushte që do të mundësojë më shumë refugjatë të kthehen në shtëpitë e tyre. Tema e tretë ishte procesi politik i nisur nga vendet që janë garantuese të Platformës nga Astana dhe morën nxitje shtesë falë Kongresit Kombëtar të Dialogut në Soçi. Rusia, Turqia dhe Irani kanë bërë gjithçka që kanë premtuar për të formuar Komitetin Kushtetues, i cili pritet të fillojë punën vitin e ardhshëm në Gjenevë”, tha Lavrov.

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, shefi i inteligjencës turke MIT, Hakan Fidan, dhe zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalın, u takuan me homologët e tyre rusë në Moskë.

Në takim nga pala ruse përveç ministrit të Jashtëm, Sergey Lavrov dhe të Mbrojtjes, Sergey Shoygu, morën pjesë Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Rusisë, Valery Gerasimov si dhe përfaqësuesi special i presidentit rus, Vladimir Putin, për Sirinë, Alexander Lavrentyev.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button