Gjyqi “Prifti” drejt epilogut

Proçesi gjyqësor ndaj Dritan Priftit është drejt mbylljes. Kjo, si rezultat i një vendimi të dhënë nga Gjykata e Lartë mesditën e së hënës, ku videoja e ish-ministrit të Ekonomisë dhe Privatizimeve Dritan Prifti dhe zëvendësit të tij aso kohe Leonard Beqiri u konsiderua si e pavlefshme.

Siç pritej kjo gjykatë, e cila duhet të jetë e unifikuar në vendimet e saj, nuk mund të kishte një tjetër gjykim ndryshe nga ai ku gjykohej ish-zv.kryeministri Ilir Meta. Edhe videoja e tij u shpall e pavlefshme për t’u përdorur si provë në proçes.

Videoja Prifti-Beqiraj u transmetua në media, ndërkohë që ajo u gjet nga ekspertët amerikanë në momentin që lap topi i zotit Prifti iu dorëzua si provë materiale Prokurorisë së Përgjithshme, kur nën akuzë ishte zoti Meta.

Shpallja e papërdorshme e videos është marrë me shumicë votash nga Kolegji Penal në Gjykatën e Lartë. Për avokatët mbrojtës dhe vetë të pandehurit, ky vendim do të thotë pushim i çështjes, e cila me shumë gjasa do të ndodhë në një nga seancat e radhës të këtij proçesi gjyqësor.

Seanca më e afërt do të jetë ajo të premten e kësaj jave në 14 shtator. Ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti dhe zëvendësi i tij në vitin 2010, akuzohen për korrupsion të funksionarëve të lartë shtetëror.

Lajme të ngjashme

Back to top button