Fazllagiq: Përvoja më Shkëndijën e Tetovës, jashtëzakonisht e bukur

Enis Fazllagiq, ish-futbollisti i Shkëndijës së Tetovës, i cili këtë vit u nderua nga Federata e Futbollit të Maqedonisë (FFM) si lojtari më i mirë i ri për sezonin 2018, e ka vlerësuar pozitivisht përvojën në klubin tetovar, duke thënë se atje është pritur tejet mirë nga bashkëlojtarët.

Futbollisti 18-vjeçar nga mesi i këtij viti u transferua nga Shkëndija në klubin sllovak Zhilina, ku aktualisht është standard në formacionin e parë.

Në një bisedë për Anadolu Agency (AA), Fazllagiq foli në lidhje me sukseset e tij, rolet për punën e futbollistëve të rinj dhe mundësitë për avancimin e tyre brenda dhe jashtë vendit, si dhe për perspektivat e ardhshme.

Ai thotë se është i lumtur dhe i kënaqur për shkak se çmimi që i është ndarë nga federata vërteton se pavarësisht të gjithave, përpjekjet e bëra në karrierën e tij të futbollit dalin në dritë dhe janë rezultat i dashurisë së tij të madhe për futbollin qysh në moshë të hershme.

“Kur bëni atë që dëshironi, nuk e keni problem t’i kushtoni kohë për trajnim, në mënyrë që t’i përkushtoheni plotësisht asaj pune. Ky është një detyrim dhe një zgjidhje e thjeshtë për të arritur sukses”, thotë Fazllagiq, i cili beson se sakrifica dhe qasja serioze për ndonjë punë, madje edhe në futboll, pas një kohe japin fryte.

Futbollisti i ri, aktualisht është lojtar standard në ekipin e parë në pozitën e mesfushorit në Zhilina të Sllovakisë, i cili gjendet në pozitën e tretë në tabelën e ligës së parë në këtë vend.

“Zhilina është klub shumë i këndshëm për lojtarët e rinj që u jep atyre një shans të madh dhe hapësirë ​​të madhe për të shprehur potencialin dhe talentin”, shprehet Fazllagiq.

– Përvoja me Shkëndijën

Duke folur për karrierën e tij të deritanishme në futboll, ai kujton se para të qenit pjesë e klubit Zhilina, ka luajtur për Shkëndijën e Tetovës, ku, siç theksoin, është pritur jashtëzakonisht mirë nga bashkëlojtarët.

“Isha te Shkëndija nga viti 2015. Kam kaluar tre vjet atje. Ishte një periudhë jashtëzakonisht e bukur për mua. Si një lojtar i ri, unë shkova në një mjedis të ri. Më pranuan shkëlqyeshëm, më dhanë mundësinë për të bërë atë që dua më së shumti, të luaj futboll, të jem i lumtur, i kënaqur, dhe më në fund sezoni im i fundit te Shkëndija për mua ishte shumë i suksesshëm, si në kategoritë e të rinjve, ashtu edhe në ekipin e parë”, tha Fazllagiq, i cili shprehu falënderime për lojtarët e Shkëndijës dhe trajnerët që i kanë dhënë mundësinë për të luajë.

Ai thotë se nuk ka formulë klasike për sukses në futboll, por, shton ai, suksesi është rezultat i punës së përkushtuar dhe qasjes serioze dhe dashurisë së madhe për atë që bëjmë.

“Vetëm përqendrohuni në punën që dëshironi. Bëni gjërat me dëshirë, disiplinë dhe në mënyrë normale. Punoni, punoni dhe vetëm punoni…”, porosit Fazllagiq.

Sa u përket kushteve për zhvillimin e futbollistëve të rinj në Maqedoni dhe në klubet jashtë vendit, ai thotë se qasja ndaj punës dhe kushtet e nevojshme janë të ndryshme.

“Kemi kushte shumë më të mira për punë. Edhe këtu mbase mund të ketë shumë cilësi, por për lojtarët e rinj nuk ka burime të mjaftueshme për punë, infrastrukturë, terrene. Për lojtarin e ri është më e rëndësishme të luajë dhe të zhvillohet në mënyrën më të mirë të mundshme”, shtoi Fazllagiq.

Ky lojtar i ri është pjesë e ekipit kombëtar rinor të Maqedonisë (U21). Ai mendon se atmosfera në ekipin kombëtar është e shkëlqyer dhe pret sukses në garat e ardhshme.

Fazllagiq shton se të gjithë futbollistët në ekipin e të rinjve janë persona dhe sportistë të shkëlqyer, duke e veçuar Agron Rufatin, i cili luan për Lokomotivën e Zagrebit, si bashkëlojtar dhe person i mirë.

– “Futbolli në Turqi është mjaft cilësor”

Duke folur për ligën e parë të futbollit në Turqi, Fazllagiq shprehet se i ndjek ndeshjet në këtë ligë, sidomos ndeshjet e Fenerbahçe-s, për të cilin ekip luan futbollisti i ri Elif Elmas, i cili po ashtu është pjesë e ekipit kombëtar të Maqedonisë.

“Kohët e fundit, e ndjek mjaft futbollin turk, sepse kolegu im dhe shoku i mirë Elif Elmas është atje. Unë gjithmonë e ndjek atë dhe ndeshjet e tij, si dhe garat e tjera në Turqi. Futbolli është mjaft i mirë, ka lojtarë të mirë dhe me përvojë nga klubet e huaja që kanë ardhur atje. Një ligë shumë e mirë, mjaft e barabartë, ndërsa klubet në krye janë mjaft të mira dhe cilësore”, thotë Fazllagiq.

Ndër të tjera, futbollisti i ri informoi se gjatë angazhimit të tij te Shkëndija, disa herë ka qëndruar në kampe trajnimi përgatitor në Antalya të Turqisë, të cilat, siç thotë ai, kanë kushte të shkëlqyera pune që mundësojnë përgatitje të mirë.

“Sa i përket Antalyas, ka kushte të shkëlqyera pune, kampe trajnimi, hotele…Çdo vit shkojmë atje në përgatitje dhe gjithmonë kalojmë mirë, na presin mrë, kujdesen për ne, por edhe ne përgatitemi mirë”, thekson Fazllagiq.

Ndryshe, Enis Fazlagiç, 18-vjeç, është nga Orizarja e Epërme në Veles. Ai bëri hapat e tij të parë në futboll në shkollën e futbollit “Veles” , kurse më pas në shkollën e futbollit “Forca Xhipunov” në Shkup. Në vitin 2015, ai u bë pjesë e klubit nga Tetova Shkëndija, për të cilin ai luajti deri në mes të këtij viti, kur u transferua në klubin sllovak Zhilina.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button