Gazetarët që kanë qenë të pranishëm në Kuvend gjatë sulmit më 27-prill 2017, do ta padisin shtetin (VIDEO)

Gazetarët e Maqedonisë, të cilët raportojnë nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë dhe të cilët kanë qenë të pranishëm në sallën e Kuvendit natën e 27-prillit të vitit të kaluar kur ndodhi sulmi,  do të ngrenë padi kundër shtetit për shkak të miratimit të ligjit për amnisti, transmeton Portalb.mk.

Nismën e publikoi gazetari, Bobi Hristov, i cili në një prononcim për opinionin tha se padia mund të zgjerohet, përkatësisht me procedurë civile, në mënyrë që të përcaktohet përgjegjësia e individëve të cilët me aktivitetin ose pasivitetin e tyre kanë kontribuar në këtë situatë.

“Bëjmë të ditur se të paktën 15 gazetarë të cilët kanë raportuar më 27 prill nga salla 3 brenda Kuvendit, fillojnë një nismë për ngritjen e një padie kundër shtetit, për kompensim në përputhje me nenin 166 të ligjit mbi detyrimet”, tha Hristov.

Ai vuri në dukje se nisma është e hapur për të gjithë gazetarët që raportuan atë ditë nga Kuvendi, por edhe për fotografët dhe kameramanët. Procedura tha ai, do të vazhdojë pas Vitit të Ri, për çka kanë siguruar një ekip avokatësh.

Hristov tha se shuma e kompensimit dhe të gjitha detajet tjera do të harmonizohen me palët e përfshira në këtë nismë, në të cilën dëshirojnë të përfshijnë edhe punonjësit në Kuvendin e Maqedonisë.

“Atje ishim në vendin e punës, ndërsa raportimi ynë mendoj se ka kontribuar të mos ketë pasoja të rënda, të mos them vrasje”, tha Goran Trenovski, njëri nga nismëtarët.

Kujtojmë se mbrëmjen e 27 prillit të vitit 2017, pas zgjedhjes së Talat Xhaferit në një situatë kaotike për kryetar të Kuvendit, protestuesit e kryesuar nga nisma qytetare “Për Maqedoni të Përbashkët”, të cilët ishin tubuar para Kuvendit, me forcë hynë brenda godinës dhe ushtruan dhunë ndaj deputetëve, pjesëtarëve të policisë, si dhe punonjësve mediatik. Për dhunën në Kuvend janë gjykuar dhjetëra persona, përfshirë edhe deputetë të VMRO-DPMNE-së të cilët më pas u amnistuan për këtë vepër.

LEXO: Gjithçka që ndodhi gjatë sulmit në Kuvend (FOTO+VIDEO)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button