Kur të lëvizni gotat kujdes tavolinën!

Gjatë kohës së trazirave dhe eksodit masiv të shqiptarëve (1991) – në njërën prej stinëve më të vështira nëpër të cilën ka kaluar Shqipëria postkomuniste, kur shqiptarët e revoltuar e të katandisur gjithanshëm ikën me mijëra nga Atdheu dhe shkatërruan gjithçka shoqërore (institucione, fabrika…), duke lënë pas vetes hiroshima, Kadareja botoi shkrimin, nëpërmjet të cilit përcolli mesazhin: Lëvizni gotat, por kujdes tavolinën!

Besoj është e qartë përse e tha këtë gjeniu i letrave shqipe, njëri prej shkrimtarëve më të njohur të veprave antidiktaturë të ish kampit monist, intelektuali dhe njeriu që i përjetoi rëndë dhembjet e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, në një kohë kur mllefi i akumuluar me dekada ndaj një sistemi u ndërsye kundër Atdheut, duke e rrezikuar seriozisht shembjen e tij të përfundshme.

Ngjarja për të cilën shkroi Kadareja, natyrisht nuk mund të krahasohet me këtë që do t’ju rrëfej më poshtë, por e nisa kësisoj, sepse janë të një sindromi dhe kanë të njëjtin burim – atë vesin tonë kronik që na ka bërë sa e sa herë ta djegim jorganin për një plesht…, sado që pleshtat për të cilët po flasim nuk janë për t’i neglizhuar, sepse ekspansioni i tyre ka shkërmoqur shoqëri më stabile se kjo jona.

Po e rrëfej pra ngjarjen e ndodhur në një fshat fushor të Pollogut, të populluar 100% me shqiptarë, ku në vitet e tetëdhjeta të shekullit të kaluar u ndërtua një fabrikë tekstili, që hapi mundësinë e punësimit të femrave shqiptare, mundësinë e përmirësimit të gjendjes sociale të shumë familjeve, që po mbijetojnë akoma me nga një apo me asnjë të punësuar në punë shteti, siç shprehen tetovarët.

Rastin e dhënë e shfrytëzuan gratë, motrat dhe vajzat e familjeve pak më përparimtare, që nisën të punojnë, duke braktisur mekamin e jetës pasive brenda katër mureve të shtëpisë dhe sigurimin e mirëqenies familjare vetëm nga krahët e burrave. Por, akoma pa nisur mirëfilli të funksionoje fabrika, mori dhenë shpifja: Në fabrikën… ndodhin gjëra të papranueshme…

Natyrisht, shpifjet e bënë të veten dhe njerëzit e bënë temë dite degjenerimin që gjoja shpërtheu në një fabrikë ku gati 100 % e të punësuarave ishin gra.

Për çudi, askush nuk u lodh ta kuptojë burimin e sihariqit monstruoz. Rrallë kush e kuptoi dhe qëllimin e kësaj shpifjeje, e cila, krahas telasheve të natyrave të tjera, përshpejtoi mbylljen e fabrikës, duke shkaktuar dhe dy dëme të pariparueshme, i pari prej të cilëve kishte të bëjë me dëmtimin e buxhetit familjar të të punësuarave në fabrikën në fjalë, me çka nxitej dhe bëhej e paevitueshme shpërngulja e përgjithmonshme e shqiptarëve nga trojet e të parëve…, kurse dëmi i dytë kishte të bëjë me fyerjen e dinjitetit dhe moralit të grave, motrave dhe vajzave tona, sepse i binte sikur ato, posa dalin nga shtëpitë e tyre, përbaltin nderin personal e familjar!!!

Kësi rastesh, kur ne luajmë injoratnshëm lojën e tjetrit, kur djegim jorganin për një plesht, kur rrënojmë institucione për një mi gjirizesh, kur e fyejmë racën për ndonjë degjenerik emrin e të cilit e brohorasim në kor, pa guximin qytetar që t’ia dëshmojmë fajet konkrete… ka pa kufij, po për to do të shkruaj një ditë tjetër.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button