Jemen, vritet numri dy i Al Kaedës

Forcat e sigurisë në Jemen kanë vrarë Said al Shihri, i konsideruar si numri dy i Al Kaedës në Gadishullin Arabik, kanë njoftuar burime qeveritare. 

Në faqen e internetit të qeverisë jemenase thuhet se Al Shihri ishte një shtetas saudit që ishte lirua nga burgu amerikan i Guantanamos në vitin 2007. 

Al Shihri raportohet se është vrarë në zonën Hadramaut, në jug të Jemenit, ku ushtria lufton prej muajsh me militantët islamikë. 

Ministria jemenase e Mbrojtjes ka raportuar ndërkohë se Al Shihri ka mbetur i vrarë bashkë me gjashtë militantë të tjerë gjatë operacionit të ushtrisë, por nuk ka dhënë detaje të tjera. 

Jemeni rezulton një nga bazat kryesore ku është vendosur rrjeti terrorist, pas goditjeve të shumta që ka marrë në Irak apo vende të tjera. 

Megjithatë, autoritetet e vendit kanë refuzuar ndihmën e huaj, duke deklaruar disa herë se nuk do të lejojnë që vendi i tyre të kthehet në Afganistanin e dytë. 

Gjithësesi, sulmet amerikane në Gadishullin Arabik përmes avionëve të telekomanduar nuk kanë munguar, por kanë qenë të pranishme në zonat ku ushtria nuk hyn dot. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button