Efektet e taksës 100%, Shqipëria kalon Serbinë pa rritur eksportet drejt Kosovës
Bizneset shqiptare nuk po arrijnë dot të shfrytëzojnë rritjen 100% të taksave, që Qeveria “Haradinaj” u ka vendosur produkteve serbe, transmeton Top Channel.
Nga data 1 deri më 22 dhjetor, periudhë kjo që përkon me rritjen e taksës për prodhimet serbe, eksportet shqiptare drejt Kosovës ishin rreth 13 milionë euro dhe zunë 9% të totalit të eksporteve tona, kurse në muajin nëntor u eksportuan 22 milionë euro mallra, ose 9.3% e totalit.
Arben Shkodra, nga Shoqata e Prodhuesve Shqiptarë, thotë se me shumë gjasë kjo do të jetë një masë e përkohshme, prandaj bizneset shqiptare duhet të shfrytëzojnë këtë periudhë për t’u futur dhe konsoliduar në tregun kosovar.
“Ne kemi marrë të dhëna paraprake nga prodhuesit eksportues shqiptarë, të cilët e kanë shfrytëzuar në këtë moment, këtë dritare mundësie ekonomike që është dhënë nga Qeveria e Kosovës. Natyrisht që kjo është e përkohshme. Natyrisht që ne e kemi theksuar vazhdimisht që ky është thjesht një pozicionim tjetër përkundrejt një negociimi të ardhshëm që do të ketë Qeveria e Kosoves ndaj Serbisë”, tha Arben Shkodra.
Për rritjen e eksporteve, prodhuesit kërkojnë heqjen e pengesave për shkëmbimet tregtare mes dy vendeve.
“Shqipëria ka kapacitetet e plota për t’u pozicionuar mirë në tregun e Kosovës. Kemi nevojë vetëm të mos na e vështirësojnë shkëmbimin tregtar. Vështirësim do të thotë që ne të kemi mundësi, që nga fabrikat tona deri në pikën e shumicës në Kosovë të mos kemi barriera tarifore dhe jotarifore. Përditë na krijohen këto gjëra dhe ne mundohemi që si e si të ulim kostot e prodhimit, me qëllim që ne të jemi të konkurrueshëm në rajon. Kështu që ky është një nga elementët e rëndësishëm”, tha më tej Arben Shkodra.